A po cenohet besimi te pensionet?

Jun 30, 2014 | 12:24
SHPËRNDAJE

KASTRIOT SULKA

  Sepse i prek të gjithë njerëzit. Sot janë mbi 500 mijë njerëz që përfitojnë, por të gjithë të tjerët urojnë dhe mendojnë që të kalojnë në një fazë të tillë me shëndet dhe gëzim. Sipas statistikave te Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensionistëve në fund të vitit 2013 rezulton të jetë 570,423, nga të cilët 418,399 ishin pensionistë të zonave urbane dhe 152,024 ishin pensionistë të zonave rurale. Po të kihet parasysh se numri i kontribuuesve është 702,086, na rezulton se numri i pensionistëve është kategoria e popullsisë më e madhe si grup shoqëror, pasi në kontribuuesit përfshihen edhe ata persona që paguajnë kontribute, por në të vërtetë nuk kryejnë aktivitete ekonomike konkrete, siç janë rastet kur pagesat kryhen nga emigrantët për anëtarë të afërm të tyre në Shqipëri, apo shtëpiake të cilat kontribuojnë për skemën për të siguruar kohën e pleqërisë. Pra, grupi i pensionistëve është një grup shumë i madh personash, të cilët preken dhe do të preken edhe në të ardhmen nga çdo iniciativë apo ndryshim politikash, që kanë të bëjnë me skemën e sigurimeve shoqërore dhe sidomos atë pjesë që u takon pensioneve.
Nga ana tjetër, kjo kategori shumë e madhe njerëzish është për t’u marrë në konsideratë, pasi ata ndiejnë mbështetjen e këtyre skemave dhe ndryshimeve që kanë të bëjnë me këto fusha, kur kanë mbaruar pjesën aktive të jetës së tyre. Ne sot jemi dëshmitarë të disa lloj pensionistësh, të cilët, pavarësisht se kanë kontribuar dhe kanë punuar në të njëjtat fusha dhe për të njëjtat periudha kohe, nuk janë përfitues të së njëjtës masë pensioni. Ajo që është edhe më e rëndësishme, këto ndryshime i gjejnë këto grupe të shoqërisë në moshën kur nuk mund të kenë mundësinë që ta korrigjojnë apo të influencojnë për të ardhmen e tyre për shkak të moshës apo edhe situatës në tërësi. Në vend që të shikojnë dhe të shijojnë pjesën tjetër të jetës në qetësi, do t’ju duhet të shqetësohen për politikat që do t’i prekin në të ardhmen, në mënyrë absolute apo relative, siç është rasti kur i njëjti profesion për shkak të ndryshimeve të tilla, të cilat hyjnë në fuqi në një datë të caktuar, ndiejnë diferencat, pavarësisht se cilat janë kontributet e tyre.
Sepse kërkon kohë të zbatohet apo të ndihen dhe riparohen efektet e këtyre politikave. Po të shikohet edhe në dokumentin e politikave të pensioneve që është vendosur në faqen zyrtare të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, tregohet se bëhet fjalë për periudha mbi 60-vjeçare të efekteve, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm jo vetëm ndaj statistikave aktuale apo parashikimeve, por edhe ndaj supozimeve, pasi një shembull i fillimviteve ’90 me emigracionin do t’i shkatërronte të gjitha skemat, sepse ndërmjet të tjerash do të largoheshin kontribuuesit dhe mbeteshin përfituesit.
Sepse ndërtohet mbi besimin që njerëzit kanë sot në idenë se, po të kontribuojnë, do të marrin shpërblimin nesër. Besimi për afate kaq të gjata është i lehtë të shkatërrohet me dashje ose pa dashje (duke bërë politika disentivuese). Mjafton të kujtojmë këtu se shifrat e papunësisë së dhëna nga INSTAT nuk i beson as Partia Socialiste, pra vetë qeveria, pale të mendosh se do t’i besojnë në popull. Po ashtu është krijuar një kulturë tashmë e faljeve të borxheve për energjinë elektrike, për ujin apo falja e kamatëvonesave, apo legalizime pa pagesa ose me pagesa të pjesshme (shumë presin ndonjë gjest tjetër kalorësiak me pronën e tjetrit) etj. si këto, e cila është e lehtë që të përcillet edhe te personat që kontribuojnë ose pritet të kontribuojnë. Nga ana tjetër, ka vetëm një vit që ka mbaruar efektet e veta reforma e mëparshme e rritjes së moshës së pensioneve, pra kemi vetëm një brez që ka filluar të dalë në pension në moshën 65 vjeç, dhe t’u thuash njerëzve se do të fillojmë t’ju rrisim përsëri këtë moshë, demonstron pasiguri te popullsia. Kur u kaluan ndryshimet për rritjen e moshës së daljes në pension, në vitin 2002, nga 60 vjeç në 65 vjeç (për burrat) dhe po e njëjta rritje për gratë u bë një pakt me një grup njerëzish, të cilëve iu shpjegua që ju (kryesisht ata që ishin 35 deri 45 vjeç) do të sakrifikoni, sepse do të duhet të bëni një sakrificë duke punuar 5 vite më shumë në mënyrë që të gëzoni një pension të plotë. Tani po u themi po të njëjtëve njerëz që do ta prishim atë pakt dhe do t’ua rrisim me dy vite të tjera. Të gjitha këto na çojnë në përfundimin se pasiguria është evidente dhe mund të ndodhë edhe me skemën e pensioneve, dhe atëherë do të ishte shumë e vështirë që të bindje njerëzit, që të kontribuojnë sot për të marrë përfitimet në një të ardhme dikur.
Sepse duhet të synojmë të zgjidhim problemin dhe jo ta anashkalojmë atë, apo më keq, ta shtyjmë. Thelbi i së keqes për sistemin tonë të pensioneve qëndron në faktin që numri i kontribuuesve është i vogël për të mbajtur numrin e përfituesve dhe është në raportin pothuajse një me një dhe, për të qenë më të saktë (megjithëse nuk është ky qëllimi i shkrimit), është 1 përfitues me 1.1 kontribuues (dhe kjo është marrë nga dokumenti i politikave dhe pensioneve, se po të shikojmë statistikat e Institutit të Sigurimeve është 1 me 1.25). Pra, kemi një raport shumë të ulët dhe, kur duhet të shkojmë drejt raportit ku për një pensionist kontribuojnë të paktën 3 punonjës. Nuk po zgjatem të analizoj se pse vjen ky raport, por duke e marrë si të mirëqenë, është e sigurt që do të duhet të rritet numri i kontribuuesve, pasi në të kundërt buxheti i shtetit do të duhet të financojë për pensionet. Duke u thënë njerëzve, që edhe po nuk kontribuuat, pra edhe po nuk paguat sigurimet, ju do të merrni një pension social, unë mendoj se ata nuk do të shtyhen të paguajnë, sepse edhe pa pasur pension fare ata nuk po paguanin.
Sepse nuk mund të bëjmë dy sakrifica, kemi pensionet më të ulëta, por s’kemi arsye që të kemi edhe gëzueshmërinë më të ulët. Këtu do të doja të theksoja se nuk është i ri fakti që, me gjithë rritjen e vazhdueshme të pensioneve përgjatë këtyre 7-8 viteve, ne përsëri kemi pensione më të ulëta se në Itali. Megjithatë, Italia ka edhe një avantazh tjetër, sepse e ka jetëgjatësinë më të madhe sesa ne. Që të mos prekja asnjë institucion, unë iu referova listës së publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për vitin 2013 (mund ta gjeni në internet: http://en.wikipedia. org/ëiki/List_of_countries _by_life_ expectancy) dhe aty shkruhej se Italia e ka jetëgjatësinë 83.1 vite, ndërsa Shqipëria 74 vite. Pra një italian jo vetëm që merr një pension më të madh (dhe kjo është afërmendsh), por pse ne duhet të fillojmë të rrisim moshën e pensionit, pra të ulim vitet që pensionistët duhet ta gëzojnë pensionin, kur edhe kështu ne e gëzojmë afërsisht 9 vjet më pak.
*Drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike dhe Sociale

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura