A e doni dominimin e botës? Madhësia ka rëndësi

Jul 31, 2013 | 12:43
SHPËRNDAJE

RICHARD ROSECRANCE

  Horace Greeley, Napelon Bonaparte dhe Cecil Rhodes mund të duken shokë të këqij shtrati, por të gjithë ishin të një mendjeje se madhësia ekonomike, politike dhe territoriale ishte kritike për suksesin e një shteti. Ata donin më shumë tokë – në Perëndim, në Europë, ose edhe përtej deteve. Në vitin 1904, Halford Mackinder, një gjeograf nga Oksfordi, i kishte thënë një audience gushti në Shoqërinë Mbretërore të Gjeografëve se shteti që kontrollonte “zemrën” ruse, një pjesë mes stepash në Azinë Qendrore, do ta dominonte “ishullin botëror” – territori i kombinuar i Europës dhe Azisë Veriore – dhe me kalimin e kohës do ta sundonte botën. Një copë territori i lokalizuar në qendër sikur rrafshina ruse, argumentonte Mackinder, do të mund të zgjerohej në Lindje dhe Perëndim pa pasur nevojë të përdorimit të forcës detare.
Sikur edhe doli, Rusia atëherë po përballej me luftë dhe revolucion, dhe nuk mund ta kontrollonte plotësisht zemrën e tokës së saj, e lëre të flitet për kontrollimin e mbarë botës. Por fjalët e Mackinderit vënin theksin në rolin kritik të madhësisë ekonomike dhe territoriale në konkurrencën ndërmjet shteteve.
Pa cituar Mackinderin, Presidenti amerikan, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, së fundi kanë kërkuar të formojnë një zonë të gjerë të tregtisë së lirë që do të bashkonte Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një partneritet të ri transatlantik të tregtisë dhe investimeve, me qëllim të krijimit të një fuqi ekonomike me pothuajse gjysmën e prodhimit të brendshëm të botës. Më 19 qershor, së bashku me Merkelin në Berlin, Obama deklaroi se Europa dhe Shtetet e Bashkuara do të ishin “makinë e ekonomisë botërore” dhe se ato duhej ta konsideronin veten “si diçka më të madhe” në kërkesën e botës për liri, drejtësi dhe paqe.
Afërmendsh, bashkimi i dy kontinenteve do të rriste tregtinë dhe punësimin. Do të lehtësonte qëllimin e Obamës për dyfishimin e eksporteve dhe rritjen e investimeve dhe konsumit. Merkel do të qeshte derisa makinat dhe pajisjet mjekësore gjermane do të vërshonin tregjet amerikane, dhe Uashingtoni do t’ia kthente nderin me mikorprocesorë, pajisje bioteknike dhe gaz të lëngshëm natyror. Nëse marrëveshja do të finalizohet në vitin e ardhshëm sikur është planifikuar, ekonomistët thonë se do të mund të krijoheshin së paku një milion vende të reja pune në dhjetë vitet e ardhshme, dhe rreth 0.5 për qind rritje të GDP-së, në të dy anët e Atlantikut. Pakti i ri do t’i bashkonte 259 prej pesëqind kompanive të patundshmërive. Investimet do ta vërshonin turizmin dhe kapitali do të përjetonte një rritje të re.
Por vënia e theksit mbi urën e ngushtimit të “Kanalit Atlantik” është se fuqia po devijon drejt lindjes, dhe ka një nevojë për konsolidimin e sërishëm të Perëndimit. Është paradoksale se marrëdhëniet më të afërta me Europën do të jenë mjete me të cilat Obama po zbaton politikën e tij të “pivotit në Azi”, derisa Amerika dhe Gjermania bashkojnë industritë e avancuara dhe një pjesë të madhe të popullsisë së punëtorëve të shkathët.
Në planin afatshkurtër, Kina do të kundërpërgjigjet (dhe tashmë është kundërpërgjigjur) karshi këtij kombinimi transatlantik duke fuqizuar lidhjet e veta me botën e jashtme. Me dumping dollarit dhe blerje të eurove, Kina ka nisur t’i shndërrojë bondet e veta me monedhën amerikane në aksione në korporatat amerikane. Kina tani ka nisur t’i zhvendosë paratë e veta në tregjet londineze të financave dhe ka investuar shumë në mbarë Afrikën. Sidoqoftë, asnjëra prej këtyre veprimeve nuk ka krijuar një njësit alternativ politik.
Shtete si puna e Sudanit, Zimbabvesë dhe Koresë Veriore asnjëherë nuk do të jenë shtylla të një rendi të ri ndërkombëtar ekonomik. Nuk ka asnjë kundërpeshë në shpërthim politik dhe ekonomik ndaj ansambleve të shteteve demokratike të Perëndimit, që në fillim të këtij muaji e ka bërë Kroacinë anëtarin e 28-të të Bashkimit Europian.
Qasja e Obamës dhe Merkelit për të zbatuar një strategji të madhësisë më të gjerë demokratike nuk është objektiv i ri. Analistët gjithnjë e kanë ditur se shtetet me më shumë popullsi, pasuri dhe hapësirë ekonomike mund të prodhojnë dhe tregtojnë më shumë si një rajon më i gjerë. Heqja e tarifave botërore ka dështuar: çka do të ishte më e përshtatshme për Obamën dhe Merkelin sikur të kërkonin hapësirë më të gjerë alternative në të cilën tregtia e lirë do t’i fuqizonte industritë e tyre në një konkurrencë me shtete në rritje të Lindjes?
Strategët e epokës së pasluftës arritën përfundime të ngjashme. Shefat legjendarë e planifikimit të politikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, George F. Kennan dhe Paul H. Nitze, pranuan se “një kombinim i burimeve fizike të Rusisë dhe Kinës me shkathtësitë teknike dhe veglat mekanike të Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore mund të nxjerrin një formulë ushtarake më të fuqishme se çdo gjë që do të mund të mobilizohej kundër saj”. Kështu nisi akumulimi i ngadalshëm i shteteve aleate rreth asaj që u quajt Organizata e Traktatit Veriatlantik (NATO), që ishte mbështetur nga konsolidimi ekonomik i Tregut të Përbashkët Europian dhe pastaj Bashkimit Europian.
Nën Mikhail S. Gorbachev dhe veçanërisht nën Boris N. Yeltsinin, Rusia donte t’i bashkohej Perëndimit dhe Bashkimit Europian. Zgjedhjet e vitit 1996 i kishin bërë disa të besonin se Moska do të mund të bëhej eventualisht një përafrim i demokracisë perëndimore. Sidoqoftë, kur Vladimir Putini pasoi Yeltsinin, kjo ëndërr u shua derisa skenën nisën ta dominonin ish-agjentët e KGB-së. Dhe kur u rrit çmimi i naftës, Rusia mendonte se nuk kishte nevojë për Perëndimin, e as kishte nevojë të demokratizohej.
Më në fund, triumfi në luftën e ftohtë erdhi prej një grumbullimi të fuqisë vendimtare ekonomike dhe industriale të Perëndimit. Nuk ishte barazimi i fuqisë që e gjunjëzoi Bashkimin Sovjetik, por fuqia e tepërt, ose një “stërbaraspeshë” në duart e Perëndimit.
Kjo nuk është deklarim i luftës ekonomike kundër Lindjes. Më shumë është një reflektim i një ndërgjegjësimi se Kina dhe të tjerët duhet të afrohen nga Perëndimi, duke i bashkuar dy gjysma të botës. Një kombinim më i madh amerikan dhe europian do të mblidhej sot me 32 trilionë dollarë dhe shumë më shumë nesër. Baraspeshimi i fuqisë çon nga konflikti. Por baraspeshimi i mbibaraspesha i josh të tjerët në bërthamën e vet ekonomike.
Dhe Kina është e varur prej asaj bërthame. Ndryshe prej Rusisë, Kina duhet të importojë shumicën e naftës, dhe Kina po përdor tani 9.7 milionë barela në ditë. Paratë për ta blerë naftën dhe gazin natyror duhet të vijnë prej eksporteve, kryesisht eksporte në Perëndim. Këtu Perëndimi ruan një epërsi të vazhdueshme, sepse Kina merr vetëm pesëdhjetë për qind të “vlerës së shtuar” të eksporteve të veta. Pjesa tjetër shkon në llogari në kompanie europiane dhe amerikane, të cilat promovojnë kërkime dhe zhvillimin, dizajnin, marketingun, dhe financojnë shumicën e eksporteve që eksportohen prej Kinës.
Në dekadat e ardhshme Kina do të duhej të shiste në Perëndim për të fituar para, dhe të ketë qasje në teknologji që ende nuk i ka. Konsolidimi i njësitit ekonomik europian-amerikan do ta detyrojë Kinën t’i bashkohet gjithashtu, kur të bëhet më e hapur, më liberale dhe me një qeverisje më të butë.
Skeptikët do të argumentojnë se kjo është vetëm edhe një avancim në rritje e një lidhje tashmë mjaft të fortë dhe se Perëndimi mund ta tërheqë Kinën pa këtë marrëveshje të re tregtare. Por Amerika ka provuar dhe ka dështuar. Ka provuar të formojë një bllok dypalësh me Kinën, G-2shin në vitin 2009, por liderët kinezë refuzuan dhe frustruan planet e Obamas për të bashkëpunuar në adresimin e ndryshimit klimatik. Ishte bërë e qartë se Amerikës i duhej një Perëndim më i fuqishëm për të pasur vëmendjen e Kinës. Avantazhi kyç i një partneriteti të ri me Europën është se ai ka një themel të fuqishëm politik dhe sigurie. Do të jetë një aleancë paqësore, por e fuqishme, që do t’i shtohen elemente teknologjie, fuqie ushtarake dhe vullneti politik për ta ringjallur Perëndimin në punët e tij me pjesën tjetër të botës.
Në fund, tregtia – jo lufta – do t’i joshin të tjerët t’i bashkohen bërthamës ekonomike të Perëndimit.

*Autori është profesor i politikës publike në shkollën “Kennedy” të Universitetit të Harvardit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura