Cila Europë e frymëzon këtë kryqëzatë kundër Drejtësisë

Jul 19, 2014 | 12:14
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

  Sulmet e pareshtura të qeverisë kundër institucioneve të Drejtësisë dhe ndërhyrjet e saj në legjislacionin që rregullon funksionimin e tyre po shkojnë drejt finalizimit pa marrë opinionin e specializuar të Komisionit të Venecias apo të ndonjë forumi tjetër euroamerikan që merret me përhapjen dhe monitorimin e legjislacionit demokratik për Drejtësinë.
Nuk po flasim për injorimin e grupeve të interesit në vend. Ky zakon nuk ekziston më për asnjë çështje, as për buxhetin e shtetit. E vetmja mundësi që u ka mbetur grupeve të interesit të shihen me qeverinë “Rama” është të bëjnë popull në paradat propagandistike të Kryeministrit.
Nuk po flasim as për shpërfilljen e aktorëve dhe faktorëve të tjerë institucionalë të sistemit të drejtësisë, siç është Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj. Përjashtimi i tyre nga kjo e ashtuquajtur reformë shumë e rëndësishme është një provë tjetër se qeveria nuk e ka me Drejtësinë, por me qeverinë e Drejtësisë, nuk ka hallin ta përmirësojë, por ta kapë sistemin. Përndryshe nuk do të kishte asnjë arsye të mos bashkëpunonte ngushtë dhe çiltër me Presidentin, me KLD-në, madje edhe me opozitën. Qëllimet e mira nuk janë asnjëherë përjashtuese. Qëllimet e mbrapshta dhe hileqare po.
Po flasim për anashkalimin dhe injorimin e një konsili, jurie apo akademie europiane supreme të legjislacionit demokratik, siç është Komisioni i Venecias, i mirënjohur edhe në Shqipëri, duke qenë se ky Komision u ka dhënë viston dhe bekimin Kushtetutës dhe sa e sa ligjeve të tjera të dorës së parë që rregullojnë jetën tonë demokratike. Shmangia dhe fshehja nga Komisioni i Venecias është një lajm shumë i keq për publikun europianist shqiptar, një kambanë alarmi për fatin e Drejtësisë shqiptare, një veprim tipik oligarkësh që duan ta bëjnë siç duan vetë në një vend që ka zgjedhur të qeveriset siç e kërkojnë standardet europiane.
Ka arsye për një shqetësim dhe alarm të madh publik. Të mos i vijë keq ministrit të Drejtësisë, zotit Nasip Naço. Me gjithë respektin, Komisioni i Venecias na siguron më shumë se ai. Komisioni i Venecias na siguron më shumë se disa deputetë që e kanë bërë profesion transferimin e konformizmit dhe budallallëkut nga një legjislaturë në tjetrën. Komisioni i Venecias na siguron shumë me shumë se Edi Rama që sa herë fut këmbën apo dorën në pallatin e drejtësisë lë pas me qasjen e tij inatçore dhe partizane pasojat e ariut në dyqanin e qelqurinave.
Pse nuk pret qeveria ekspertizën dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias para se të konkludojë? Pse po nxiton kështu? Përgjigjja sipas meje është e thjeshtë: Sepse “Venecia” do t’i gjejë të papajtueshme me standardet demokratike ndryshimet e propozuara prej tyre në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë; sepse “Venecia” nuk do t’i pranojë e nuk do t’i certifikojë ndërhyrjet e tyre dinake dhe antidemokratike në sistemin e drejtësisë. Nxitimi i shumicës për të kaluar në Kuvend amendamente substanciale pa marrë opinionin e Komisionit të Venecias padit hapur vetëdijen e Ramës dhe Metës se janë duke bërë një gjë të palejueshme që bie ndesh hapur me principet e Europës. Ata po rrezikojnë shumë dhe kjo tregon se sa i madh është interesi i tyre për të marrë nën kontroll gjykatat, Prokurorinë, institucionet e pavarura me radhë.
Do t’ia dalin apo jo, do ta lejojë apo jo këtë gjëmë sistemi demokratik në fuqi, do ta pranojë apo jo opinion publik, kjo është një çështje më vete që do të kemi rastin ta trajtojnë më shumë se një herë në betejën e gjatë të Ekzekutivit me Drejtësinë.
Përtej lojërave të fjalëve dhe shpjegimeve alla-shvejkiane në Komisionin e Ligjeve, kemi kuptuar se me ndryshimet që propozohen, një gjyqtar mund të pezullohet sapo regjistrohet një padi në ngarkim të tij në prokurori. Kjo është skandaloze. Drejtësia në demokraci është ajo që gjendet midis padisë dhe vendimit të formës së prerë. Një dispozitë e tillë e zhduk drejtësinë pikërisht aty ky jepet, në gjykatë. Një dispozitë e tillë “shtetrrethimi” e bën vrastare padinë, frymëzon sajesat dhe intrigat e pambaruara për t’i bërë gropën njërit dhe tjetrit në aulën e paradrejtësisë. Edhe Aranit Çelës do t’i vinte turp të kthente në këtë formë thelbin e “drejtësisë” komuniste që e mbërthente një herë “fajtorin”, pastaj vihej me demek në kërkim të provave. Që kur nuk i gjente, i sajonte. Në ditët tona nuk bëhet fjalë për të sajuar prova. Sistemi e përjashton në përgjithësi këtë zakon pervers të shoqërive totalitare. Por në rastin që po shqyrtojmë bëhet fjalë për të ta bërë të keqen paradhënie, para se të flasin provat. Po të lejohet kjo, Drejtësia do t’u ekspozohet goditjeve politike dhe kriminale-mafioze që nuk mund të imagjinohen.
Sot është vendi të ndalemi te një aspekt shumë i veçantë i punës përgatitore të Kryeministrit para se të nxirrte shpatën kundër Drejtësisë. Ai e ka avancuar dufin e tij si një shtytje, si një kërkesë ngulmuese, si një nxitje, frymëzim dhe kusht nga Brukseli, nga Europa. Sa e sa herë e kemi dëgjuar të thotë gjatë këtyre muajve se kishte mbetur pa fjalë dhe ishte ndier i turpëruar kur homologët europianë e kishin folur për gjendjen e Drejtësisë shqiptare. Nuk mund ta dimë përqindjen e saktë të vërtetësisë dhe ekzagjerimit në këto kumte të Kryeministrit pas takimeve të zhvilluara me homologë të tij në Europë. E vërteta është se Europa ka kohë që ngulmon në progres-raportet zyrtare të saj për nevojën e forcimit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, në rrafshin mediatik, Shqipëria ka prodhuar lajme të bujshme të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, siç ka qenë për shembull rasti i ish-ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, që kanë habitur e madje shokuar partnerët tanë euroamerikanë. Pra ka qenë edhe është e kuptueshme që problemi i Drejtësisë t’i transmetohet me theks të veçantë në çdo takim njohës të Kryeministrit të ri të Shqipërisë me homologët e tij europianë.
Ç’ka bërë Rama me problemin? Këtu nis “pjesa shqiptare” e historisë. Nga një anë e ka fryrë siç i ka pëlqyer duke dashur ta bëjë kartabiankë europiane për të dhënë goditjet që po jep. Nga ana tjetër, nuk ka durim të presë dhe të marrë konsulencën e Komisionit të Venecias. Sjellja është në parametrat tipikë të politikanëve dinakë të vendeve të vogla, që mjaftohen të marrin një gjoja bekim politik nga “të mëdhenjtë” për atë që duan të bëjnë në çifligun e tyre. Mirëpo midis bisedës politike për një çështje të caktuar dhe shprehjes ligjore-institucionale të saj është një rrugë e domosdoshme për t’u bërë. Komisioni i Venecias është terminali juridik i Europës politike. Venecia dhe Europa në këtë kuptim janë kompementare, janë një. Po nuk shkove në Komisionin e Venecias, ke shkuar kot në Europë për ketë punë.
Cila Europë, cilët europianë i kanë sugjeruar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të bëjë këtë që po bën me KLD-në? Gjermania? Anglia? Holanda? Kush? Sot është dita që ata kryeministra, ministra të Jashtëm apo ministra Drejtësie të vendeve europiane që kanë ndarë dashamirësisht shqetësimet e tyre për Drejtësinë shqiptare me Kryeministrin e Shqipërisë, të shohin dhe të shprehen për këtë që po ndodh me ligjin e KLD-së në Tiranë. Edi Rama i ka thirrur në kauzë kur ua ka faturuar atyre për muaj me radhë shtytjen për këto ndërhyrje të pakonsultuara me Komisionin e Venecia që tjetërsojnë thelbësisht pavarësinë e pushtetit gjyqësor në vend.
Nuk e dimë se çfarë i ka kërkuar konkretisht Kancelarja Merkel, emri dhe takimi me të cilën janë cituar më shpesh nga Kryeministri i Shqipërisë. Nuk besoj kurrë që zonja Merkel të ketë për Drejtësinë këtë koncept që po demonstron Rama në Tiranë. Por Gjermania duhet të flasë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u thirrën në kauzë për ketë çështje gjithashtu me deklaratat e fundit të Ramës se nga NATO në Europë dhe nga Europa në NATO i kishin zënë atij në gojë vetëm një emër, atë të gjyqtarit Gjin Gjoni. Fyerja për Aleancën e Atlantikut të Veriut duhet të jetë e dukshme që Kryeministri i Shqipërisë i atribuon shqetësime të tilla nominale, a thua se problemi i tij me emrin “Gjin Gjoni” është edhe problemi i mbarë botës. Mund të sigurohet Aleanca se Kryeministri ynë nuk ka pasur e nuk ka për qëllim të fyejë. Ai thjesht ka nevojë të ngrejë një zhurmë të madhe dhe ta paraqesë sa më të zi gogolin e Drejtësisë për të përligjur “reformën” e tij. Spekulimi në këtë rast është i përmasave të mëdha. Duhet edhe një kokë turku, siç thotë populli (që në këtë rast i bie të jetë një kokë mirditori). Gjin Gjoni është në hetim. E vërteta për pasurinë e tij do të zbardhet në rrugë ligjore, dhe kjo është e pashmangshme. Përtej kësaj, duke parë zotin Rama si e mbushte gojën me emrat Gjin dhe Gjon që paskan habitur NATO-n dhe Europën, mund të themi me siguri të plotë se Gjini dhe Gjoni nuk shqiptohen në Europë me përbuzjen dhe urrejtjen që janë shqiptuar nga kasta e regjimit komunist, me atë përbuzje dhe urrejtje, jehonën e së cilës e shohim të gjallojë si një kujtim fëmijërie në të folurën e disa qeveritarëve të sotëm.
Drejtësia është në pesë shkallë dhe garanton më shumë se çdo qeveri dhënien e drejtësisë. Janë tri shkallët e sistemit brenda vendit, është Gjykata e Strasburgut. Shkallë të pestë unë konsideroj opinionin publik. E vërteta flet edhe kur e spërdredhin në gjykatë. Ekziston një drejtësi e opinionit të shëndoshë publik. Në këtë sistem, herët a vonë, haka do të shkojë se s’bën tek i zoti. Për mirë apo për keq. Ndaj në parim themi se nëse për të dënuar një njeri u dashka shkatërruar gjithë sistemi, kjo është një marrësi e pastër që nuk duhet lejuar. Duhet “Venecia” para Ramës. Kemi nevojë të flasin SHBA dhe Europa, NATO dhe Këshilli i Europës: Vallë këtë keni kërkuar nga Shqipëria për Drejtësinë? Këtë që bëri kësaj jave Komisioni i Ligjeve?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura