ERGYSI i “BB4” Dashurinë e vërtetë e gjeta në internet, ju tregoj për njohjen me pedagogen nga Kosova

Jul 30, 2011 | 12:46
SHPËRNDAJE

Protagonist i veçantë i një “reality show” si “Big Brother” na sjell eksperiencën e tij të jetës virtuale. Ergys Bamçi, i njohur i “Gjenerali i ushtrisë së pabindur” në “Big Brother 4”, nuk aktron aspak kur zbulon historinë e dashurisë plot pasion, që po përjeton së fundi nëpërmjet internetit. 25-vjeçari nga Shkodra tregon për pedagogen 28-vjeçare nga Kosova, me të cilën po përjeton ndjenjën e vërtetë, edhe pse në distancë.

Si person me prirje të theksuara artistike, nuk dimë se si po shkon jeta jote private…

Në fakt, kohët e fundit jam njohur me një vajzë nga Kosova nëpërmjet internetit. Më pas më telefonoi, jemi dëgjuar shpesh e komunikojmë me messenger rregullisht. Është një vajzë tepër e veçantë, e cila me quan “diell” (për vlerësimin që ajo ka për mua). Është shumë e mirë dhe e ëmbël, nuk jemi takuar ende, pasi është i bukur kontakti në këtë mënyrë, ndaj duam ta zgjasim edhe pak.

Meqë bëhet fjalë për një njohje virtuale, si do t’i përshkruaje ndjenjat e tua për këtë vajzë?

Me sinqeritet po jua them që ekziston një lidhje aq e fortë me këtë zonjushë, saqë kur jemi parë për herë të parë në msn live, nuk ka pasur emocion më të madh të përjetuar ndonjëherë nga secili prej nesh. Madje, ajo më ka dhënë “besën”, por edhe unë gjithashtu.

Çfarë të ka pëlqyer kaq shumë tek ajo, ndërkohë që pas daljes nga “BB4” shumë vajza mund të jenë ofruar për të të njohur?

Gjithmonë më ka pëlqyer të njihem me një vajzë nga Kosova, pasi unë e dua shumë Kosovën. Madje, nga dashuria e madhe që ndiej për të, këtë zonjushë e kam quajtur “sheqerka e diellit”, sepse e adhuroj për mënyrën e thjeshtë të komunikimit dhe po ashtu tepër të sinqertë. Pasuria e saj shpirtërore më ka ma bërë për vete.

Po flet për një ndjenjë të fortë, ndërkohë që ende s’jeni takuar. Kur e keni lënë të përballeni realisht?

Besoj këtë muaj do takohemi dhe e pres në Shqipëri, më ka premtuar për të kaluar pushimet bashkë këtu. Deri atëherë do ta mbaj të fshehtë emrin dhe foton e saj. S’dua ta bëj publike para se ta takoj, sepse kam frikë se humbet magjia e së tërës. Këtë e them, pasi unë kam krijuar një ide të veçantë për këtë histori. Nuk mund ta imagjinoni dot sa speciale është ajo çka po përjetoj… Edhe mua vetë nuk më besohet, pasi është edhe pak e koklavitur si histori. Pse e ngatërruar si histori? I beson virtualitetit?

Unë s’futem asnjëherë në ujëra jo artistike. E po qe se ky raport do marrë përmasa më të mëdha, do ishte gjigante e, nëse mbetet aty, përsëri do jetë një histori filmash. Po për sa i përket pyetjes nëse i besoj virtualitetit do të thosha, “jo plotësisht, por në një masë të madhe po dhe në këto përmasa është historia ime “fiction”. Kaq mund të them për momentin, se po të ishte më tej, do tregoja më shumë.

Sa kohë keni që komunikoni në chat?

Kemi pak më shumë se një muaj që komunikojmë rregullisht në chat dhe gjatë bisedave me të kam kuptuar se ajo ka një adhurim të jashtëzakonshëm për mua. Më ka ndjekur gjatë gjithë kohës në BB4 dhe deri tani do e quaja femër të veçantë, sepse ajo më njeh në një mënyrë perfekte. Ajo di mirë ç’të më pyesë e më ka vjedhur vëmendjen, aq sa unë mendoj pjesën më të madhe të ditës për të. Ka hyrë shumë thellë në jetën time, saqë sinqerisht i tregoj gjithçka për veten e ditët e mia. Thotë që nuk ka besuar kurrë që do mund të kishte kontakte me mua, pasi i dukej e paarritshme, aq me tepër fakti që a mund të kuptohej me mua në komunikim. Dhe, më e rëndësishmja është që tani me mua ndihet vajza më e lumtur në botë.

Është vajzë e bukur, ç’mund të na zbulosh më shumë rreth saj?

Është yll e bukur dhe pak më e madhe në moshë se unë. Është pedagoge në Kosovë, në moshën 28-vjeçare dhe që e do shumë artin e artistët. Vërtet është shumë e bukur, me sytë blu që i shkëlqejnë dhe një pamje shumë të ëmbël e paqësore. Ajo vajzë m’i thyen kufijtë.

Përveç kësaj historie, cili është angazhimi yt i fundit? Me çfarë je duke u marrë?

Unë në fakt po merrem me diçka shumë të bukur. Jam menaxheri i premierës së filmit “Falja e Gjakut” me regjisor Joshua Marston, në të cilin është bashkëskenarist dhe bashkëproducent Andamion Murataj. Unë po punoj që filmi, që në Festivalin e Berlinit u nderua me çmim të parë: “Ariu i Argjendtë” për skenarin më të mirë, tashmë të përgatitet të mbajë premierën botërore në kinema, pikërisht në vendin e origjinës, në Shkodër, në shtator të 2011-s. Premiera shqiptare do të pasohet nga shfaqjet e filmit në rrjetet më prestigjioze të kinemave në botë nga Amerika në Australi. Distributor i filmit për Amerikën është një nga kompanitë me reputacionin më të lartë “Sundance”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura