21 janari, gardistët përballë familjarëve të tri viktimave

Mar 31, 2011 | 12:46
SHPËRNDAJE
Momenti i vrasjes së Ziver Veizit para Kryeministrisë

Katër gardistë të akuzuar për vrasjen e demonstruesve më 21 janar janë përballur me familjarët e tre prej personave që mbetën të vdekur pranë Kryeministrisë në Tiranë.Prokuroria e kryeqytetit në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit, ka kryer veprimet e para të eksperimentit hetimor në vendin e ngjarjes. Familjarët e katër personave që humbën jetën, janë thirrur për të qenë të pranishëm në verifikimet e vendit të ngjarjes, procedurë e realizuar gjatë dy ditëve të fundit. Nga burime të Prokurorisë, mësohet se në matjet e kryera në bulevard pranë Kryeministrisë, kanë qenë të pranishëm të afërmit e tre të vrarëve Ziver Veizi, Faik Myrto dhe Aleks Nika. Të pranishëm në këtë procedurë kanë qenë edhe tre efektiva të Gardës, të dyshuar si autorë të vrasjeve, Sadik Çela, Mark Nikolli dhe Gazmend Ahmetaj. Ata ishin arrestuar me urdhër të Prokurorisë, por më pas Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i lanë të lirë. Proceduralisht, Prokuroria i ka thirrur për të qenë të pranishëm si palë në proces gjatë kryerjes së veprimeve. Veprimet e para hetimore për eksperimentin kanë qenë të ndara në dy faza. E para është kryer në zyrat e Prokurorisë së Tiranës, ku secili familjar është pyetur në lidhje me ngjarjen. Në një monitor janë shfaqur fotot dhe regjistrimet filmike të ngjarjeve pranë Kryeministrisë dhe familjarët kanë identifikuar saktë vendndodhjen e secilit nga viktimat: Ziver Veizi, Faik Myrto dhe Aleks Nika. Më pas, bazuar në këto konfirmime të dhëna nga familjarët, prokurorët kanë shkuar së bashku me palët në bulevard, ku kanë bërë shënime të ndryshme duke përcaktuar zonat ku ndodhej secili nga viktimat, projeksionet dhe drejtimet nga kanë ardhur plumbat, dhe detaje të tjera mbi mekanizmin e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë dje se pas konfirmimit të vendit ku ndodhej secili nga viktimat dhe shënimeve të bëra në vendin e ngjarjes, është krijuar një skicë. Kjo skicë e vendit të ngjarjes, do të përdoret për realizimin e një eksperimenti hetimor me ndihmën e ekspertëve të FBI-së, që po asistojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit dhe vrasjen e katër personave. Veprimet hetimore janë kryer edhe për saktësimin e rrethanave të plagosjes së shtatë personave të tjerë, që kanë marrë dëmtime me armë zjarri.

Ekspertizat

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar më tepër se 90 armë zjarri të përdorura nga efektivat e Gardës së Republikës gjatë mbrojtjes së Kryeministrisë. Armët, rreth 72 automatikë dhe 20 pistoleta, i janë nënshtruar ekspertizave dhe ekzaminimeve, nga të cilat ka dalë se vetëm një prej tyre përputhet me predhën që ka vrarë Ziver Veizin. Ajo ka qenë arma e gardistit Agim Llupo.

“Zbulohet” videoja e Aleks Nikës

Dy ditë më parë, familjarët e Aleks Nikës, demonstruesit nga Lezha që u plagos më 21 janar e më pas humbi jetën në Turqi, kanë identifikuar një video-regjistrim në të cilin zbardhet mënyra si është qëlluar me plumb në kokë 34-vjeçari. Të afërmit e Aleks Nikës u paraqitën në Prokurori, ku pasi u ballafaquan me filmime dhe foto të vendit të ngjarjes, përcaktuan vendin ku ndodhej Aleks Nika gjatë demonstratës më 21 janar, në bulevardin pranë Kryeministrisë.

 

Trazhgim Sokolaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura