21 janari,Basha në SHBA:Hetimi të bazohet në ligj

Jan 31, 2012 | 12:00
SHPËRNDAJE

Washington- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka folur nga Washingtoni për 21 janarin, duke kërkuar vetem zbatimin e ligjit. Sipas kreut të bashkisë, procesi duhet të bazohet në ligj dhe të ecë në parametrat e shtetit ligjor.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të ecë në parametrat e shtetit ligjor  dhe në këtë kuptim çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji  dhe nga nevoja për të ekzekutuar  brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka”- ka thënë Basha, i pyetur për të komentuar mbi 21 janarin, kohë kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Në vijim të vizitës së tij në SHBA, Basha takohet sot me kryetarin e Bashkisë të Washingtonit Vincent Gray. Gjatë qëndrimit në Washington, Basha ishte ftuar dje në qendrën e studimeve të avancuara ndërkombëtare SAIS, ku ai foli për vizionin e tij si kryetar i bashkisë së kryeqytetit.

Ai tha se si kryetar i qytetit më të madh e të rëndësishëm të Shqipërisë, gjithë energjia e tij do të drejtohet drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve të saj.

Sipas tij, problemet e Tiranës janë të shumta dhe nuk mund të zgjidhen brenda 24 orësh, por ai shtoi se për zgjidhjen e tyre ai do të tërheqë  mendimin e qytetarëve dhe do ta mbajë  bashkinë larg politikës.

“Mendoj se kemi arritur të nxjerrim bashkinë e Tiranës nga vorbulla e  konfliktit politik dhe orientimin e saj 100%  tek problemet, sfidat, dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve . Bashkia është e hapur për qytetarët  jo vetëm me takimet me mua personalisht  por edhe përmes kontakteve  të drejtpërdrejta me njerëzit. Gjithashtu qytetarët janë të përfshirë në vendimmarrje. Asnjë vendimmarrje  e rëndësishme nuk është bërë pa pjesëmarrjen e qytetarëve.”

Gjatë fushatës elektorale Basha premtoi të zgjidhte një prej problemeve më të mprehta për Tiranën, siç ishte ai i regjistrimit të banesave.  Basha theksoi se hipotekimi pritet të përfundojë brenda vitit 2012.

“ Ministria e Transportit dhe e Drejtësisë janë mbështetëse  të procesit të hipotekave dhe falë kësaj ne kemi arritur të avancojmë shumë mirë me një pjesë të pallateve me leje por të pahipotekuara. Me mbështetjen e tyre do të arrijmë t’a finalizojmë këtë proces brenda një kohe të shkurtër, brenda vitit 2012”- tha ai. (VOA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura