21 janari, akuza: Hekuran Dedën e vrau Agim Llupo

Feb 29, 2012 | 12:40
SHPËRNDAJE

Gjatë homazheve për të vrarin e 21 janarit, Hekuran Deda

Zv.shefi i Shtabit të Njësisë Speciale ekzekutoi edhe Ziver Veizin.

Krimi u zbulua nga filmimet amatore të dëshmitarit Hysni P.

Prokuroria e Tiranës ia faturon Agim Llupos vrasjen e demonstruesit të 21 janarit, Hekuran Deda. Protestuesi nga Dibra, banues në Laknas, në periferi te kryeqytetit, ishte i pari që u vra më 21 janar, mes katër personave që u goditën me plumba dhe gjetën vdekjen. Pas më shumë se 13 muajsh hetime, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se vrasja e Hekuran Dedës është bërë nga gardisti Agim Llupo, i cili ka pasur intensitet qitjesh me armë në drejtim të Hekuran Dedës. “Vepra penale që i atribuohet Agim Llupos, me detyrë zv.shef Shtabi i Njësisë Speciale të Gardës, është provuar nga deklarimet e dëshmitarëve, fotografitë dhe pamjet filmike”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, mes filmimeve dhe fotove, ndodhen edhe regjistrimet amatore të realizuara nga shtetasi Hysni P., person i cili është ndodhur fare pranë Hekuran Dedës në momentin kur ndodhi vrasja. “Akuza për vrasjen e Dedës ende nuk i është njoftuar Agim Llupos, pasi po kryhen edhe disa veprime, por formulimi i saj ka përfunduar tashnmë”, kanë thënë burimet e Prokurorisë ditën e djeshme. Vrasja e Hekuran Dedës kishte mbetur “pa autor”, pasi demonstruesi kishte plagë tejshpuese dhe predha që i mori jetën nuk ishte gjetur. Në këto rrethana, hetuesit nuk kanë pasur çfarë të eksperimentojnë për të përcaktuar armën që ka kryer qitjen që vrau Hekuran Dedën. Ndodhur në këto rrethana, Prokuroria iu drejtua filmimeve, fotove dhe dëshmitarëve për të sqaruar rrethanat e vrasjes së Hekuran Dedës.
Tri vrasjet E tjera
Sipas hetimeve të Prokurorisë, vrasja e demonstruesit tjetër Ziver Veizi është kryer me automatikun e përdorur nga Agim Llupo, ndërsa Faik Myrtaj është vrarë me armën e përdorur nga komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Për Aleks Nikën, ende nuk është arritur të zbulohet autori i vrasjes pasi, ndonëse ka ngjashmëri, predha e gjetur në trupin e tij është e dëmtuar. Sipas Prokurorisë, këqyrja e kufomave të viktimave është bërë më datë 21.01.2011. Nga këqyrja e viktimave janë gjetur në trupin e shtetasit Ziver Veizaj dhe Faik Myrto, respektivisht nga një predhë metalike e kalibrit 9 mm, të cilat janë marrë me cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Më datën 21.01.2011, ora 18:00, është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, brenda oborrit të ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe pikërisht nga pjesa veriore e tij, është gjetur një sasi gëzhojash, prej të cilave 131 gëzhoja të kal. 9 mm, si dhe gëzhoja kalibër 7.62 mm, të shpërndara në mënyrë të çrregullt, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr.975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se: “…predha e gjetur te viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul “244” dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike “244”. Veprimet hetimore të mëtejshme kanë vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. Sipas ekspertizës së kryer në SHBA nga FBI, më 5 janar 2012, Faik Myrtaj është vrarë nga arma e Ndrea Prendit, e cila ka qëlluar 11 herë drejt turmës. Katër plumba të armës së Prendit janë gjetur në zyrat e UNHCR dhe në disa pemë, ndërsa një predhë është gjetur në trupin e Faik Myrtajt.

FBI pastroi pamjet filmike, gardisti qëllon në turmë
Më 8 shkurt 2012, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, vendosi zgjatjen e afatit të paraburgimit për Agim Llupon deri në 8 maj 2012. Prokuroria e Tiranës e bazoi kërkesën e saj në  faktin se kishte nevojë për verifikime komplekse, nëse Agim Llupo ishte implikuar në vepër tjetër penale veç vrasjes së Ziver Veizit. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 14.07.2011, ka vendosur edhe kryerjen e eksperrtimit teknik pranë Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), ne Qunatico të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria ka kërkuar gjatë këtij ekspertimi teknik që të bëhet pastrimi i imazheve fotografike dhe filmike. Konkretisht, Prokuroria ka dërguar për ekzaminim: imazhe fotografike të skedarit, që bën fjalë për viktimën Aleks Nika;  Skedar fotosh; 32 pamje video që bëjnë fjalë për viktimën Ziver Veizi; Imazhe të marra në televizionin “Top-Chanel”, si dhe pamje të marra në aparatin telefonik të deklaruesit Hysni P. Pikërisht nga analizimi i këtyre imazheve dhe ekspertimi i tyre në SHBA, si dhe nga pyetja e dëshmitarëve, mësohet se është arritur të identifikohet Agim Llupo si personi që ka kryer vrasjen e Hekuran Dedës. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se i konsiderojnë të plota dhe të mjaftueshme provat në lidhje me këtë fakt. Mësohet se kanë qenë dy regjistrime të Hysni P., dëshmitar i ngjarjes, të cilat pasi janë pastruar, kanë nxjerrë gardistin që qëllonte me armë në drejtimin ku ndodhej Hekuran Deda në momentin e ngjarjes.

Urdhri
Prokuroria e kryeqytetit e konsideron të përfunduar procesin e verifikimit për urdhrin e dhënë në lidhje me hapjen zjarr nga Garda e Republikës më 21 janar 2011. Sipas organit të akuzës, në momentin kur është provuar se komandanti i Gardës ka qëlluar 11 herë mbi turmën, është e qartë se edhe efektivat në varësi të tij do të kryenin të njëjtin veprim. Në këto kushte, sipas Prokurorisë, urdhri konsiderohet i dhënë pasi edhe ushtarët kanë ndjekur nga pas veprimet që ka bërë komandanti i tyre, i cili ka qëlluar 11 herë me armë zjarri.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura