11 bebet VIP 2011

Feb 27, 2011 | 10:06
SHPËRNDAJE

Të famshëm ende pa lindur. Edhe pse askush nuk ua di emrin, gjininë, pamjen, që në javët e para të ngjizjes ata janë të njohur. Që në bark prodhojnë lajm të bujshëm, po aq sa edhe mamatë që i bartin. Një famë e trashguar para dhe pas lindjes, por vijimi i saj do të varet nga aftësitë e tyre, nëse thjesht do të quhen fëmijë VIP-i apo VIP-i vetë. Dhe për këtë vit, duket se kemi me bollëk. Kemi numëruar disa mama në karrierë, të cilat sapo kanë sjellë në jetë një fëmijë dhe plot të tjera që pritet të lindin gjatë javëve e muajve në vijim. Mbase kemi harruar edhe të tjera, por thjesht nga fakti se edhe ato vetë mund të mos ta dinë….

Alketa Vejsiu
Duket se shtatzënia po i shkon më së miri. Pavarësisht se në muajin e shtatë, asaj ende nuk i është rritur shumë barku dhe në pamje të parë duket vetëm sikur është pak në mbipeshë. Mbase është edhe meritë e rrobave me stil të lirshëm që vesh, por gjithsesi arrin t’i fshehë format e rrumbullakosura. Sipas informacioneve nga familja, Alketa nuk ka probleme me shtatzëninë, megjithatë ajo fëmijën do ta lindë në Greqi. Për Alketën, ky do të jetë fëmija i saj i dytë pas Nicole, vajzës 5-vjeçare.

Xhemi Shehu
Kjo do të jetë eksperienca e parë për Xhemi Shehun si nënë. Vetëm pak pas celebrimit të saj dhe dasmës tradicionale në shtatorin e vitit 2010, Xhemi Shehu vendos të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, që do të jetë djalë. Normalisht, fëmija lind në 2011… Nuk dihet nëse do të ndodhë në fund të majit apo fillim të qershorit, pasi kjo është çështje Perëndie, por edhe mjekësie. Ndërkaq, Xhemi vijon të shfaqet në televizion çdo të diel si prezantuese e programit “E diell”, në krah të Adi Krastës, por ka ndryshuar veshjen, me fustane dhe bluza disi më të gjera se zakonisht.

Elsa Lila
Ajo është në muajin e tetë dhe mjekët kanë konfirmuar se bebja është e seksit femër. Këngëtarja 29-vjeçare ka vendosur që të krijojë familjen e saj me të dashurin italian, Alessandro, ndërsa përveç gëzimit të përbashkët për ardhjen në jetë të krijesës së tyre, në planet e çiftit deri tani nuk ka ndonjë ceremoni martese. Ndërkaq, ajo duket se ka imituar deri diku aktoren e famshme të Hollivudit, Demi Moor, pasi ka pozuar shtatzënë dhe shumë transparente në revistën “Shqip”. E mbuluar me një tyl të hollë, Elsa shfaqet mjaft sensuale, teksa përgatitet të bëhet nënë. Këngëtarja ka bërë të ditur se vajzën do ta quajë Eva, ashtu si mamaja e saj e ndjerë.

Rosela Ariodante-Bogdani
Lajmi është mësuar nga një gol. Erjon Bogdani ka shënuar golin e katërt për sezonin e Serisë A (fund nëntori 2010), duke treguar se është duke kaluar një moment të artë, që siç duket ky moment po i printe edhe në familje. Në përballjen mes Çezenës dhe Palermos, sulmuesi kuqezi ka qenë një nga më të mirët në fushë, ku pas ndeshjes ka bërë publik dedikimin e golit, ndërkohë që tregonte barkun e bashkëshortes. “Ia dedikoj golin gruas sime, Rosela Ariodante. Po, gruaja ime është shtatzënë. Ma kishin thënë të gjithë që Cezena të sjell fat, është kështu. Jemi shumë të lumtur”, ka thënë ai, ndërsa mësohet se modelja italiane është tashmë në muajin e pestë të shtatzënisë, por nuk bëhet e ditur gjinia.

Gerta Heta
Pas martesës me futbollistin kroat, Matko Djarmati, çifti ka vendosur të bëhet edhe me fëmijë. Duket se gjithçka u ka korresponduar me dëshirën, sepse të dy kanë dëshiruar shumë një vajzë dhe ashtu do të jetë. Gerta tashmë është në muajin e shtatë të shtatzënisë, që ashtu si edhe koleget që përmendëm më sipër, duket se gjithçka po i shkon pa probleme. Ajo vijon ende me punën si prezantuese në radio, ndërsa pas pushimeve të lejë-lindjes do të rikthehet menjëherë.

Ledina Çelo
Gjithnjë ka deklaruar se do të donte një fëmijë dhe tashmë është shumë pranë. Këngëtarja Ledina Çelo është në muajin e fundit të shtatzënisë, por nuk ka dashur që ta bëjë publike seksin e fëmijës. E vendosur në Gjermani prej disa vitesh, ku është martuar me biznesmenin Naim Kabashi, Ledina ka braktisur përkohësisht aktivitetet muzikore, por gjithsesi duket se është muzika që nuk e braktis atë. Kënga e saj “Dangers”, po vijon të shfaqet në kanalet televizive muzikore në Gjermani, ku edhe është ngritur në klasifikim.

Enada At’Nikolla
Më në fund ndihet e kompletuar. Janari ishte muaji kur familjes iu shtua një djalë, që aq shumë e kishte dëshiruar. Jo për veten, më shumë se sa për vajzën. “Këtë herë është një djalë. Në të vërtetë dëshiroja shumë të ishte i tillë që kur mbeta shtatzënë, sepse në fakt vajzën e kam. Më duhej një djalë dhe ja ku Zoti ma dhuroi. Vajza ime, Kendra, tashmë është 5 vjeç dhe ndihet shumë e lumtur për vëllain e vogël. Ashtu si unë… Tashmë kemi vajzën dhe djalin, familja më është kompletuar”, thotë stilistja, e cila tashmë ka spostuar për në fund të pranverës të gjitha projektet profesionale.

Julka Gramo
Gjithnjë e rezervuar për jetën private, kësaj here nuk ka se si ta fshehë… sadoqë përpiqet. Vetëm 2-muajshe lajmi ka dalë shpejt. Bebja ka kohë që të vijë në jetë, kështu që deri atëherë Julka do të vazhdojë punën në radio “Energy”. Duket se ajo i menaxhon mirë daljet e saj publike nën kujdesin edhe të Andy Dj, me të cilin bashkëjeton prej vitesh. Ajo pati shumë sukses me këngën “Gansta”, në bashkëpunim me Big Bastën, ndërkohë që po përgatitet për një dalje të re në muzikë.

Edona Llalloshi
Pas katër vitesh divorc nga martesa e parë, Edona jo vetëm që është fejuar, por edhe po pret një vajzë. Ajo ka zyrtarizuar në të njëjtën ditë lidhjen me biznesmenin nga Peja, Gazmend Fejzullahu, si edhe lajmin për ardhjen në jetë të vogëlushes.
“E kam njohur Edonën përmes shoqërisë, kemi kaluar një vit së bashku e tashmë, pasi është shtatzënë, kemi vendosur të fejohemi e të martohemi”, thotë ai.

Shtatzënitë e rreme për këtë vit
Jo rrallë herë thashethemet kanë lënë shtatzënë, kanë lindur apo abortuar plot fëmijë. Për këtë vit, mund të themi që 3 çifte kanë qenë më kryesorët, të cilët kanë rënë në rrjetën e këtyre shtatzënive të rreme. Ami me Ermal Mamaqin kanë qenë të parët. Menjëherë pas martese, të dy u panë në një emision televiziv, ku i dhuruan njëri-tjetrit kapuç e çorape bebi dhe të gjithë menduan se edhe prezantuesja e “Portokallisë” ka mbetur shtatzënë, por lajmi nuk u konfirmua nga çifti. Sigurisht, që pas martese të gjithë çiftet kërkojnë ta mbushin shtëpinë me fëmijë, por për Amin dhe Ermalin ende nuk ka ardhur momenti, kjo edhe për shkak të detyrimeve që ata kanë marrë përsipër për prezantimin e spektaklit “Dancing with the stars”.
I njëjti lajm u përhap këtë fillimviti edhe për zëdhënësin e Partisë Demokratike, Gert Bogdani dhe bashkëshorten e tij, Edlira Çepani. Shpejt u mohua gjithçka, por javë pas jave, del sërish, ashtu si edhe humbet prapë…
Kemi edhe Çiljetën. Një dëshirë për të pasur fëmijë, e shprehur publikisht, menjëherë u komentua si shtatzëni e saj me të dashurin e ri që jeton në Londër, Aleksin. E pyetur nga gazeta jonë, ajo nuk mohon mundësinë e një shtatzënie në të ardhmen, por aktualisht nuk është. Listës së shtatzënive të rreme i shtohen edhe emra të tjerë VIP-ash, kryesisht këngëtare si Rezarta Shkurta, Tuna Sejdiu, Adelina Ismajli, Leonora Jakupi, etj.

 

Elisabeta Ilnica

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura