“Shullazi prishi mitingun e PS për shkak të zhurmës”

Apr 30, 2011 | 10:39
SHPËRNDAJE
Emiliano Shullazi

Zbardhet vendimi gjyqësor që liroi nga qelitë e paraburgimit Emiliano Shullazin, i akuzuar së fundi se prishi një takim elektoral të Partisë Socialiste pranë banesës së tij në Njësinë Nr. 7 në Tiranë.Tri ditë pasi u ndalua për shkak të përfshirjes së tij në një incident elektoral, Gjykata e Tiranës caktoi më 24 prill masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Emiliano Shullazin. Sipas vendimit, dyshimet e prokurorisë se Emiliano Shullazi ka pasur si qëllim prishjen e takimit elektoral të kandidatit të Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr. 7 në Tiranë pasditen e 21 prillit, nuk kanë rezultuar bindëse. Referuar këtij fakti, gjykata nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë për lënien në “arrest me burg” të Shullazit. Nga vendimi rezulton se janë konstatuar mangësi dhe paqartësi në provat e paraqitura nga ana e përfaqësuesit të akuzës në seancë. Sipas gjykatës, prokuroria nuk ka faktuar pretendimet e paraqitura nga kallëzuesit, se Shullazi kishte dëbuar simpatizantë nga takimi elektoral. Gjithashtu, i paprovuar ishte edhe fakti që Shullazi kishte shkaktuar dëme materiale në lokalin ku zhvillohej takimi. Për të mbajtur qëndrim mbi masën e sigurisë që do të caktonte për Shullazin, ish-të dënuarin për trafik droge, gjykata ka pasur si provë vetëm pretendimet e vetë Shullazit, si dhe një deklarim të deputetes Vasilika Hysi mbi ngjarjen. Versioni i Shullazit mbështetej edhe nga një deklarim i shtetasit G. Dani.
Emiliano Shullazi u arrestua më 22 prill, pas një kallëzimi të dy deputetëve të Partisë Socialiste, Besnik Bare dhe Vasilika Hysi. Sipas kallëzimit të tyre, Shullazi kishte prishur një takim që deputetja Hysi dhe kandidati Erion Koka po zhvillonin në një lokal në rrugën “Ylbere Bylykbashi” në Tiranë. “Autori dyshohet se ka penguar subjektin politik Partia Socialiste, duke hequr mikrofonin dhe njëkohësisht qendrën e zërit. Ai dyshohet të jetë shtetasi Emiliano Hajdar Shullazi, 32 vjeç, me banim në Tiranë”, njoftoi zyrtarisht Policia pas ndalimit të tij.
NGJARJA
Para gjykatës janë paraqitur dy versione të ngjarjes së 21 prillit. E para ka qenë ajo sipas kallëzueses, deputetes Vasilika Hysi. “Më datën 21.04.2011, rreth orës 18:30, në një lokal të ndodhur në rrugën ‘Ylbere Bylykbashi’ në kryeqytet, është zhvilluar një takim elektoral nga përfaqësues të Partisë Socialiste me simpatizantë të saj, takim në të cilin merrnin pjesë, midis të ftuarve të tjerë, edhe zonja Vasilika Hysi, deputete e Partisë Socialiste, si edhe kryetari i Minibashkisë Nr.7 në kryeqytet. Rezulton se në këtë takim kanë qenë rreth 70-80 persona. Sipas pohimeve të V. Hysit, rezulton se në kohën që në këtë takim kishte marrë fjalën dhe po prezantonte programin e tij kandidati i kësaj njësie bashkiake, në ambientet ku zhvillohej ky takim hyn një djalë rreth 35 vjeç. Ai u ka bërë thirrje të pranishmeve, se kush nuk ishte banor i lagjes, të largohej menjëherë. Po kështu, ky person iu është drejtuar të pranishmeve me shprehjet: ‘Hiqeni këtë foni, se kemi njerëz të sëmurë’. Sipas shtetases së mësipërme (Vasilika Hysi), ky person (që më pas është identifikuar si Emiliano Shullazi), në kohën që dilte nga lokali, ka fyer të pranishmit dhe ka rrëzuar me shkelma dy tavolina. Më pas ai është larguar me disa persona të tjerë”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Ndërkohë, në seancën gjyqësore, Emiliano Shullazi është shfajësuar nga të gjitha pretendimet e ngritura nga prokuroria në drejtim të tij. Sipas tij, gjithçka ka qenë vetëm një kërkesë drejtuar drejtuesve të takimit në lidhje me volumin e lartë të zhurmës. “Nga ana e tij, në gjykim, shtetasi Emiliano Shullazi, si edhe nëpërmjet avokatit të tij, ka pohuar faktin se kërkesat e organit të Prokurorisë duhet të rrezohen. Kjo pasi shtetasi Emiliano Shullazi nuk ka pasur për qëllim prishjen e takimit elektoral, të cituar më sipër, por qëllimi i tij ka qenë kërkesa e tij drejtuar pjesëmarrësve për uljen e fonisë dhe të zhurmave, për shkak të njerëzve të tij të sëmurë”, citohet në vendimin e masës së sigurisë.
GJYKATA: “SHKELJET” E PROKURORISË
Në arsyetimin e vendimit, gjykata “radhit” një sërë mungesash në faktimin e pretendimeve të prokurorisë. “Në materialin e paraqitur nga ana e organit të akuzës (pa protokoll, pa datë), paraqitet si kallëzues në këtë procedim shtetasja Vasilika Hysi. Gjykata konstaton se në asnjë nga aktet e paraqitura, një fakt i tillë nuk është i vërtetë. Përkundrazi, rezulton nga aktet se kallëzimi në këtë procedim penal është paraqitur nga shtetasi Besnik Baraj. Ai kallëzon një fakt që lidhet me një ngjarje tjetër të datës 08.04.2011, për të cilën as vetë organi i akuzës nuk ngre asnjë dyshim ndaj shtetasit E. Shullazi, ndonëse kallëzimi i tij mban datën 21.04.2011 (13 ditë më pas). Nga përmbajtja e kallëzimit të shtetasit Besnik Baraj, gjykata bëhet me dije se ai, ndonëse paraqet kallëzimin si më sipër, rezulton të mos ketë qenë as vetë prezent, por faktet i ka të dëgjuara nga shtetasja V. Hysi. Po kështu, gjykata konstaton se ndonëse nga ana e deklaratës së zonjës V. Hysi citohet se në takimin elektoral të sipërcituar të kenë qenë rreth 70-80 pjesëmarrës, për të cilët pretendohet se një pjesë e tyre të jenë nxjerrë jashtë prej shtetasit E. Shullazi, gjykata konstaton se organi i akuzës nuk ka pyetur minimalisht asnjë prej tyre, rreth faktit penal të pretenduar më sipër. Nga sa parashtrohet, në kërkesën objekt gjykimi, evidentohet gjithashtu se shtetasi E. Shullazi të ketë dëmtuar njëkohësisht edhe disa pajisje të lokalit ku zhvillohej takimi elektoral. Ky fakt nuk i konfirmohet gjykatës me asnjë provë, madje as me deklarimet e pronarit të lokalit. Në rrethanat si më sipër, kur deri në këtë moment procedural, kësaj gjykate i vihet në dispozicion vetëm deklarimi i zonjës V. Hysi; përballë mohimit të shtetasit të dyshuar E. Shullazi, mbështetur edhe prej deklaruesit G. Dani dhe i kërkohet caktimi i masës së sigurimit shtrëngues më të rëndë që parashikon Legjislacioni Procedural Penal, siç është ai i ‘arrestit në burg’ ndaj shtetasit E. Shullazi, si dhe për faktin kur dispozita për të cilën dyshohet shtetasi E. Shullazi parashikon edhe një dënim me gjobë; gjykata çmon se një kërkesë e tillë nuk duhet pranuar për faktin e moskrijimit të dyshimit të arsyeshëm dhe të mbështetur në prova rreth kryerjes prej të dyshuarit E. Shullazi të veprës penale të ‘pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese’”, arsyetonte gjykata në vendim.

Avokati: Kanosje, jo pengim i partive

TIRANE – Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Shullazit, avokati i tij mbrojtës ka kundërshtuar cilësimin e akuzës së ngritur nga prokuroria. Referuar pretendimeve të mbrojtësit, akuza nuk duhet të ishte ajo e “pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Sipas avokatit, edhe sikur pretendimet e prokurorisë ndaj klientit të tij të ishin të vërteta, vepra penale mund të klasifikohej vetëm si “kanosje e kandidatëve”. “Në veprimet e të dyshuarit eventualisht mund të ketë elemente të veprës penale ‘kanosja e kandidatëve’, vepër që ligjvënësi e parashikon si kundërvajtje penale”, pohohej në vendimin e masës së sigurisë. Gjithsesi, gjykata nuk krijoi dyshimin e arsyeshëm, të mbështetur në prova, se Emiliano Shullazi kishte kryer veprën penale të “pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”.

 

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura