“Sekreti shtetëror”, PS voton kundër

Feb 29, 2012 | 11:40
SHPËRNDAJE

Komisioni i sigurise

Debate në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për varësinë e informacionit të klasifikuar.

Gjoni: Berisha po merr në dorë të gjitha informacionet shtetërore.

Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi dje mes debatesh një ndryshim në ligjin “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, që ka të bëjë me ndryshimin e varësisë së Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK), nga Këshilli i Ministrave te Kryeministri.
Deputetët e opozitës e kundërshtuan  këtë ndryshim, duke theksuar se me anë të tij Kryeministri grumbullon më shumë pushtet. “Ky ndryshim në ligj nuk garanton pavarësi profesionale dhe nuk lidhet aspak me përmirësimin e ligjit, por me një patologji politike të Kryeministrit për të grumbulluar sa më shumë pushtet në duart e tij. Ndryshimi ligjor bazohet në këtë filozofi, pasi kalohet nga një kontroll dhe menaxhim kolegjial në atë individual”, tha nënkryetari i Komisionit, Ilir Gjoni. Deputetët e maxhorancës thanë se me këtë ndryshim nuk cenohet asnjë nga parimet e funksionimit të institucionit të DSIK, si paanshmëria, besueshmëria dhe pavarësia profesionale, të cilat janë të garantuara me ligj. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, e cilësoi politik qëndrimin e opozitës ndaj këtij rregulli ligjor sipas tij, pasi varësia e DISK nga Kryeministri, sipas Demit, ka qenë që në 2004-n, kur në pushtet kanë qenë socialistët. “Jam kundër përcaktimit tuaj politik rreth këtij ligji. Sipas ligjit organik të DSIK, kreu i institucionit varet nga Kryeministri, emërohet prej tij dhe i jep llogari atij. Në 2004-n, qeveria socialiste me një akt normativ përcaktoi varësinë e DSIK nga Kryeministri. Sot ne po e përfshijmë në ligj aktin normativ. Ne do ta votojmë këtë propozim, i cili do të qartësojë pozicionin e institucionit”, u shpreh kreu i Komisionit të Sigurisë, Demi.
Të pranishëm në mbledhje, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave u shprehën se ndryshimi përputhet me detyrat dhe objektivat e veprimtarisë së DISK dhe ai synon të garantojë mbarëvajtjen e këtij institucioni, veçanërisht nga pikëpamja administrative.
“Ne me këtë projektligj nuk po bëjmë asgjë të veçantë, vetëm sa po shmangen keqkuptimet e mëvonshme. Pra, nga varësia e Këshillit të Ministrave, ato i kalojnë në varësi të Kryeministrit. Ky ndryshim është thjesht çështje teknike”, u shpreh përfaqësuesi i Kryeministrisë, Rezart Veseli. Pas diskutimeve, ligji u kalua vetëm me votat e maxhorancës, dhe iu përcoll për shqyrtim Komisionit të Ligjeve.

Debati në Komisionin e Sigurisë
Ilir Gjoni:
Në rastet që na u dha këtu, asnjë rast apo fakt nuk ishte bindës se paska pasur kundërshti. Në patologjinë e Kryeministrit të gjitha pushtetet duhen mbështjellë në duart e tij. Pra, shqetësimi ynë ka të bëjë me akumulimin e pushteteve, ku në rastin në fjalë nga mbikëqyrje kolegjiale që i është bërë deri më tani DSIK-ut, tashmë do i nënshtrohet një kontrolli individual. Është i njëjti precedent si në rastin e grumbullimit rreth vetes së tij të INSTAT-it apo prokurimeve Publike. Nga këtu duket qartë kjo mani e Berishës për akumulimin në duart e tij të të gjitha pushteteve të mundshme dhe të pamundshme.
Leonard Demi: Jam kundër përcaktimit tuaj politik. Nëse marrim në konsideratë ligjin organik, tregon se ky institucion varet nga Kryeministri, i jep llogari atij dhe emërohet prej tij. Në 2004-n, qeveria socialiste me një akt normativ përcaktoi varësinë e DSIK nga Kryeministri. Ne do ta votojmë këtë propozim.
Përfaqësuesi i Kryeministrisë, Rezart Veseli: Ne me këtë projektligj nuk po bëjmë asgjë të veçantë, vetëm sa po shmangim keqkuptimet e mëvonshme. Pra, nga varësia e Këshillit të Ministrave, ato i kalojnë në varësi të kryeministrit. Ky ndryshim është thjesht çështje teknike. Drejtoria e DSIK vetëm i mbikëqyr informacionet sekrete, pra ajo merret vetëm me menaxhimin dhe shpërndarjen e informacionit sipas institucioneve përkatëse.
Ben Blushi: Po bëj një pyetje që ju, përfaqësuesit e ekzekutivit, zor se do t’i përgjigjeni: A është një mënyrë kjo që, në pamundësi për të kontrolluar SHISH, Kryeministri të marrë nën kontroll informacionin që ka SHISH?!
Asllan Dogjani: Ju kërkoni ta kaloni DSIK në varësi të Kryeministrit. A është në gjendje Kryeministri ta kontrollojë informacionin e klasifikuar? A ka pasur raste të rrjedhjes së informacionit, ku kjo drejtori ka qenë e varur nga Këshilli i Ministrave, sepse tani ne kemi në duar dhe informacione të NATO-s?
Rezart Veseli: Neni 25 i ligjit organik të kësaj drejtorie përcakton se drejtori i DSIK informon periodikisht Kryeministrin dhe jo Këshillin e Ministrave. Ky përcaktim ka qenë që në 1999-n, kur është ngritur kjo strukturë, është rregulluar me një akt normativ në 2004-n dhe ne sot kërkojmë ta saktësojmë në ligj. Nuk ka pasur asnjë rrjedhje, shkelje apo incident sa u takon informacioneve të NATO-së nga institucioni ynë. Madje, për këtë kemi marrë lavdërime nga partnerët tanë.

ARISTIR LUMEZI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura