“S’dua barazimin me Bosnjën”

May 31, 2011 | 13:08
SHPËRNDAJE

Lorik Cana ndodhet në një nga momentet vendimtare të karrierës së tij, jo vetëm sa i përket klubit ku do të luajë në të ardhmen, por edhe rrugën që do të ketë me Kombëtaren kuqezi.Mesfushori refuzon të japë detaje nga bisedimet me Lacion, duke lënë të kuptohet se gjërat janë ende të paqarta edhe për të. Megjithatë, ai i ka idetë e kristalizuara kur bëhet fjalë për ndeshjen me Bosnjën.
Me padurim tifozët janë të interesuar për destinacionin tënd të ri: Lacio apo Gallatasarai?
Asgjë. Lexuesi ka lexuar më shumë gjëra sesa i përket të lexojë.
Si asgjë?
Nuk kam dëshirë të prononcohem për këtë problem. Është e parakohshme t’ju shuaj kureshtjen. Më mirë e lëmë këtë pikë të bisedës, sepse edhe situata nuk është e përshtatshme për të folur.
Atëherë le të kthehemi tek Bosnja?
Ashtu po.
Në konceptim tuaj si e trajtoni këtë ndeshje?
Është një takim shumë i rëndësishëm. Madje, më lejo të lutem ta trajtoj si jashtëzakonisht të rëndësishme. Ndodhemi në pozicion shumë të mirë, pas një fillimi të mbarë të edicionit. Atmosfera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në Diasporë është në temperaturën e vlimit. Pra, dua të them që jemi shumë të mirëpritur tek ata, pikërisht për këtë që kemi mundur të arrijmë deri tani.
Çfarë përshtypjesh ju bëjnë njoftimet që vijnë nga Bosnja, se tifozëria kosovare nuk do të lejohet të ndjekë takimin?
Nuk e di se çfarë do të bëhet me ta, por Bosnja nuk e njeh Kosovën dhe për rrjedhojë edhe pasaportat e saj. Por, sidoqoftë, nuk mund të pengohet prania shumë e madhe e shqiptarëve që do të vijnë nga ana e anës për t’u ndodhur pranë Kombëtares së saj. Ata mund t’i pengojnë kosovarët me pasaportën e re të këtij shteti, por, kurrsesi, transmetimin televiziv që do të kryhet.
Opinioni futbolldashës dëshiron të informohet, si është gjendja fizike e liderit të Kombëtares së tyre Lorik Canës?
Nuk mund të them që jam rikuperuar plotësisht, pasi kam një muaj që nuk luaj. Kam pak dhimbje në gjurin e majtë si rezultat i një dëmtimi.
Nuk do të shikojmë një Cane në gjendjen e tij optimale?
Mbetet edhe një javë kohë deri në ditën e ndeshjes për të dhënë mendimin përfundimtar. Nëse nuk do të jemi fizikisht optimal, të jeni i sigurt se në mëndje jam plotësisht optimal. (Qesh me të madhe).
Barazimin e konsideroni të kënaqshëm?
Absolutisht jo. Për barazimin firmos direkt unë. Duhet të konfirmoj një fakt: në Kombëtaren e tanishme shqiptare kemi kualitete dhe këtë e kemi treguar. Ne do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen, dhe jo për ta lënë rezultatin e saj në mëshirë të fatit dhe rastësisë.
Shpresoni se atmosfera e shkëlqyer në ekip që zotëroi në ndeshjen me Bjellorusinë do të na shoqërojë edhe me Bosnjën?
Të jeni i sigurt për këtë, që kështu do të ndodhë. Nuk flas thjesht për atmosferën, por shpreh besimin që ekziston te lojtarët, te skuadra, mbështetjen e fuqishme që na japin tifozët. Dhe do të luajmë me këtë besim të madh, me këtë koncentrim të energjive dhe forcave tona. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë.
Si do t’i përgjigjeshit një deklarimi që ka dhënë Sushiç, se me Shqipërinë fitorja është e sigurt?
Nuk e besoj se ka thënë kështu. Unë di që Sushiç është deklaruar se Shqipëria është favoritë për në finalet e Europianit, të vitit 2012. Ndoshta efekti i deklaratave është edhe psikologjik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura