“Publikimi i interesave do të rrisë konkurrencën”

Jul 31, 2012 | 12:50
SHPËRNDAJE
Autoriteti i Konkurrencës

Publikimi i interesave të bankave të nivelit të dytë do të rrisë mundësinë e zgjedhjeve të sakta dhe më të leverdishme për konsumatorët. Autoriteti i Konkurrencës reagoi dje për vendimin e Bankës së Shqipërisë për publikimin e të gjitha tarifave dhe komisioneve për bankat. “Një nismë e tillë do të rrisë transparencën në tregje, si dhe do të zvogëlojë asimetrinë e informacionit ndërmjet klientëve të shërbimeve bankare dhe bankave”, theksohet në reagimin e Autoritetit. Por më e rëndësishmja është përfitimi i qytetarëve. “Rritja e transparencës do t’u ofrojë më shumë mundësi zgjedhjeje klientëve, duke rritur në këtë mënyrë konkurrencën midis bankave”. Banka e Shqipërisë, vetëm pak ditë më parë publikoi në faqen e saj të internetit të gjitha tarifat, komisionet dhe normat e interesit për kreditë dhe depozitat në të gjitha monedhat. Në këtë mënyrë, çdo qytetar mund të shikojë vetë se cila bankë ka interesa më të leverdishme për depozitimin e parave, apo për kreditimin e biznesit dhe konsumit individual. “Këto masa janë në të njëjtën linjë me rekomandimet e dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës, me anë të vendimit nr. 174, datë 25.01.2011 ‘Për disa rekomandime në lidhje me transparencën dhe komisionet e aplikuara në tregun e shërbimeve bankare’”, thekson njoftimi i Konkurrencës. Në fakt ka pasur disa tentativa për t’i detyruar bankat të rritin transparencën me qytetarët. Por vendimi i Bankës së Shqipërisë dhe njoftimi online për të gjitha tarifat dhe detyrimet e qytetarëve, duket se i dha fund një kalvari të gjatë për rritjen e transparencës dhe rrjedhimisht konkurrencës në sistemin bankar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura