“Presidenti i ri të jetë konsensual”

Jul 30, 2011 | 11:11
SHPËRNDAJE

Pas nismës së Partisë Socialiste për hartimin e një pakete për ndryshimet kushtetuese ku të preket edhe zgjedhja e Presidentit, vijnë edhe
zërat e parë ndërkombëtarë pro. Një vit përpara se Parlamenti të mblidhet për të votuar Kreun e ri të Shtetit, pasi t’i ketë mbaruar mandati 5-vjeçar Bamir Topit, klasa politike dhe ambasadorët e akredituar në Tiranë
janë përfshirë në një diskutim lidhur me ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tij. Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Van
Den Dool, i bën thirrje Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që të zgjedhin një President konsensual, që nënkupton një kandidaturë të pranuar paraprakisht nga të dyja palët. Në një prononcim për mediat, diplomati
holandez u shpreh se “Duhet që Presidenti i ri të mos jetë një zgjedhje politike. Opinioni im është që Presidenti të mos jetë politik, por një zgjedhje
mes opozitës dhe maxhorancës e bazuar në merita. Zgjedhja e tij duhet të jetë me mazhoritet sa më të mundshëm. Shpresoj që në 2012-n të shohim pikërisht këtë gjë”. Mënyra se si zgjidhet Presidenti ishte një nga
nenet e Kushtetutës që u prekën nga ndryshimet në seancën parlamentare
të 21 prillit 2008. Fillimisht, Kreu i Shtetit zgjidhej me 84 vota në pesë raunde dhe, nëse në asnjërin prej tyre nuk arrihej numri i nevojshëm i votave, Parlamenti shpërndahej. Më pas, me konsensusin e të
dyja partive u vendos që zgjedhja e Presidentit të bëhet me 84 vota në tri raundet e para dhe, nëse nuk arrihet numri i nevojshëm i votave, në raundin
e katërt ai të zgjidhet me 71 vota. Në atë kohë si PD-ja, ashtu edhe PS-ja deklaruan se u mënjanua një krizë e mundshme politike për zgjedhjen e
Presidentit.
KRITERET E BE
Ambasadori holandez në vendin tonë i bën sërish apel shumicës dhe opozitës që të ulen në një tryezë së bashku, për të përmbushur 12 kriteret
që Bashkimi Europian i ka lënë Shqipërisë për të plotësuar. Sipas tij, tani që u mbyll edhe kapitulli i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, Sali Berisha dhe
Edi Rama duhet të kenë prioritet ‘detyrat e shtëpisë’ të lëna nga Brukseli. “Roli i ndërkombëtarëve në nxitjen e dialogut mes opozitës dhe
maxhorancës është mbështetës. Unë di që vitin e kaluar nisi një tryezë mes partive politike, por që u la përgjysmë. Ne duam që kjo tryezë mes
maxhorancës dhe opozitës të rifillojë sërish për 12 hapat e integrimit të BE. Raporti i ODIHR-it do të dalë në muajin shtator. Polarizimi politik
ka bërë që të ngadalësohet integrimi në Bashkimin Europian”,
tha Van Den Dool. Pak ditë më parë ishte ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sequi, që gjatë një takimi me Presidentin Topi i bëri apel klasës politike të bashkëpunojë për integrimin e vendit në BE. “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12
përparësitë e kërkuara nga Europa e Bashkuar, prandaj është shumë e rëndësishme që si maxhoranca, ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe perspektiva europiane e
vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhorë të popullit shqiptar”, u shpreh Sequi.                              ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura