“Presidenti”, kreu i LDK-së kërcënon me radikalizëm e bojkot

Jul 31, 2012 | 12:13
SHPËRNDAJE
Isa Mustafa

Kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa, kërkon me çdo kusht respektimin e marrëveshjes për Presidentin, e arritur vitin e kaluar mes tij, Hashim Thaçit e Behgjet Pacollit në praninë e ambasadorit amerikan, Kristofer Dell. Kushtetuesja vendosi që Presidentja e zgjedhur me konsensus të të treve, Atifete Jahjaga, duhet të qëndrojë në këtë detyrë për mandatin e plotë pesëvjeçar dhe jo aq sa kërkonte marrëveshja, vetëm një vit derisa të kryheshin ndryshimet në Kushtetutë. Por Mustafa kërkon respektimin e plotë të marrëveshjes. Ndërsa një ditë më parë ai u shpreh se e humbura nga mosrespektimi i marrëveshjes është Kosova, dje ai kërcënoi me bojkot të Kuvendit në shtator. “LDK-ja nuk i përjashton veprimet radikale në qoftë se marrëveshja për Presidentin nuk do të respektohet. Veprimet e LDK-së do të varen nga qëndrimi i Presidentes, Kryeministrit dhe faktorit ndërkombëtar nëse do të respektohet apo jo marrëveshja”, tha Mustafa. Ai shtoi se LDK-ja nuk e përjashton as bojkotimin e Kuvendit në shtator. Në një prononcim për KTV-në, Mustafa ka komentuar edhe raportin e EULEX-it për vrasjet e pasluftës në Kosovë. “Asgjë zyrtare nuk na ka ardhur, pos asaj që jemi informuar nga mediat”, tha ai duke iu referuar raportimeve të mediave se hetimet e EULEX-it kanë treguar se vrasjet e zyrtarëve të LDK-së kanë ndodhur për arsye politike, kreu i LDK-së tha se pret veprime konkrete nga EULEX-i.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura