“Përgjimet e Gërdecit, të pavlefshme”

Apr 30, 2011 | 10:42
SHPËRNDAJE

Mihal Delijorgji kë-rkon që përgjimet telefonike të bëra ndaj tij pas tragjedisë së Gërdecit të mos përdoren si prova në gjykatë.Avokati i Delijorgjit i kërkoi dje Gjykatës së Tiranës të mos pranojë si provë përgjimet telefonike të bëra klientit të tij pas ngjarjes. Në seancën e radhës në ngarkim të 29 të pandehurve për shpërthimin tragjik, avokati Gëzim Veleshnja tha se Prokuroria e ka përgjuar Mihal Delijorgjin në kundërshtim me ligjin. Kundërshtimet e avokatit kishin në “themel” dy përgjime të Delijorgjit të bëra më 16 mars 2008, një ditë pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Avokati pretendoi se bëhej fjalë për përgjime bisedash telefonike mes klientit të tij, Mihal Delijorgji, dhe avokatit Artan H. Para se të paraqiste kundërshtimin e tij, avokati Veleshnja kërkoi të dinte se kush ishte personi me emrin “Ylli” dhe personi me emrin “Tani” që përmendeshin në përgjimet e datës 16 mars 2008, ndaj Delijorgjit. “Për këtë do ta sqarojmë gjykatën kur të japim konkluzionet përfundimtare”, u përgjigjën përfaqësuesit e akuzës. Në vijim, avokati Vleshnja u shpreh: “Kërkoj që fashikulli nr.74, që ka të bëjë me përgjimet, të mos përdoret. Të gjitha përgjimet janë marrë në shkelje të ligjit, pasi organi i akuzës ka lejuar përgjimet e klientit tim, Mihal Delijorgji, me avokatin e tij, Artan H. Sipas ligjit, nuk lejohet përgjimi i bisedave të të pandehurve me avokatët”. Përveç këtyre dy përgjimeve, për pjesën tjetër të tabulateve avokati u shpreh se “ato nuk kanë lidhje me këtë hetim”. Pretendimi i avokatit u kundërshtua nga përfaqësuesit e Prokurorisë në proces. “Aty bëhet fjalë për një bisedë të datës 16 mars 2008. Ndërsa mbrojtësi Artan H. është bërë avokat i Delijorgjit më datë 17 mars 2008, ditë kur ai u arrestua”, pohoi prokurori Genci Qano. Por, pretendimi i Prokurorisë u kundërshtua nga avokatja Elira Kokona, përfaqësuese e kompanisë “Albademi” në proces. Sipas saj, studioja ku bënte pjesë edhe avokati Artan H. kishte qenë përfaqësuese e shoqërisë “Albademil” që në themelimin e kësaj shoqërie. Tabulatet e kundërshtuara dje u paraqitën në seancat e kaluara si provë shkresore nga ana e organit të akuzës. Ato janë zbardhje e përgjimeve të bisedave të të pandehurve, direkt pas ngjarjes, teksa flasin mbi shpërthimin e Gërdecit. Gjykata pranoi dje kërkesën e përfaqësuesve të Prokurorisë në seancë për pyetjen e të pandehurve të procesit. “Kërkojmë që radha e marrjes së provave të kalojë në fazën e pyetjes të së pandehurve para gjykatës”, kërkuan prokurorët. Në këto kushte, për t’i dhënë kohë për konsultim me avokatët e tyre të pandehurve, si edhe për t’i dhënë kohë Prokurorisë për t’u përgatitur, gjykata ndërpreu seancën.

Ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, akuzon amerikanin

TIRANE – I pandehuri Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, rikërkoi dje paraqitjen në seancë të administratorit amerikan të “SAC-Albademil”, Patrik Henri. Në një deklaratë para gjykatës, Pinari “radhiti” dhjetë pika, sipas të cilave Patrik Henri kishte gënjyer në deklarimet e tij për llogari të dosjes “Gërdeci”. Sipas Pinarit, Patrik Henri gënjen duke rënë në kundërshtim me dokumente që i ka lëshuar po ai vetë gjatë korenspondencave me MEICO-n. Ish-kreu i MEICO-s u shpreh se amerikani Henri është përpjekur që gjatë dëshmisë së tij të krijojë profilin e një personi të paditur, që nuk kishte informacionin e duhur për të zhvilluar aktivitetin e tij në Shqipëri. “Patriku ka ardhur në Shqipëri 8 herë dhe pjesën me të madhe të kohës e kalonte në zyra, ku merrte informacionin që i interesonte para investimit të tij”, tha Pinari. Gjithashtu, Pinari tha se amerikani ka gënjyer tek ka thënë që “më sugjeruan që demontimi duhet të bëhet në Shqipëri”.

 

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura