“Në vitin 2011 ngadhënjeu ligji”

Dec 29, 2011 | 11:51
SHPËRNDAJE

Berisha, dje në konferencë shtypi

Berisha: Mesazhi i 21 janarit, s’ka pushtet me dhunë.

Kryeministri Sali Berisha ka bërë dje bilancin e vitit 2011, ku është ndalur në disa nga ngjarjet më të rëndësishme. Komunikimin me mediat, ai e ka filluar me protestat e dhunshme të 21 janarit dhe vazhdoi më pas me zgjedhjet lokale të 8 majit, reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e Presidentit.
21 janari
Duke u ndalur në ngjarjet përpara Kryeministrisë, të cilat përfunduan me katër të vrarë, kreu i qeverisë tha se ajo ishte e pamotivuar nga ana ligjore dhe ku u testua kushtetueshmëria e vendit. “Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore, ngjarje të cilat provuan, testuan funksionimin e kushtetutshmërisë së vendit, ngjarje të cilat morën përgjigjen më kushtetuese dhe ligjore. Shqipëria u faktua si vend i shtetit ligjor, për të dhënë një herë e përgjithmonë mesazhin se në këtë vend askush dhe kurrkush një qeveri të zgjedhur me votë të lirë ta nxjerrë nga pushteti apo të marrë pushtet me dhunë”, theksoi Kryeministri.
8 maji
Lidhur me zgjedhjet lokale të 8 majit, Berisha u shpreh se raporti i pak javëve më parë i Komisionit të Venecias provoi se institucionet shqiptare kishin vepruar drejt, kur numëruan votat e hedhura në kutinë e gabuar. Ai vlerësoi maksimalisht këto zgjedhje, teksa vuri theksin te përpjekja e opozitës për të bllokuar shpalljen e rezultatit përmes rrethimit të KQZ-së. “Direktivat e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR, të dhëna muajin e fundit, faktojnë katërcipërisht qëndrimin e drejtë që ne mbajtëm duke mbrojtur ato parime që s’mund të shkelen kurrë. Kjo maxhorancë mori në Tiranë në katër garat 10.900 vota më shumë. Një përpjekje absurde për të bllokuar rezultatin, për të bllokuar numërimin e votave, disa skena të rrethimit të KQZ-së, nuk realizuan qëllimin e tyre. Ligji dhe vetëm ligji ngadhënjeu”, theksoi më tej Berisha.
Reforma Zgjedhore
Sa i përket reformës zgjedhore, kreu i shumicës tha se opozita refuzoi të shkruante vetë Kodin dhe të votohej pasi të merrte miratimin e Venecias dhe OSBE/ODIHR. Sipas tij, në këtë mënyrë të gjitha ndryshimet tashmë do të bëhen përmes konsensusit në komisionin parlamentar. “Po e bëmë bashkë, do e bëjmë mbi bazën e respektit reciprok. A mundem unë t’u them bashkëpunëtorëve të mi, shkoni uluni me bashkëpunëtorët e Ramës, ne do të votojmë. Ti s’mund t’i kërkosh kurrë një bashkëpunëtori gjëra që bien në kundërshtim dhe ata e pranuan variantin e dytë”, vlerësoi kreu i qeverisë.
Presidenti
I pyetur mbi përplasjet me Presidentin, Berisha tha se ligji themeltar i shtetit përcakton se cili duhet të jetë qëndrimi që duhet të mbajë kreu i shtetit. Sa i përket deklaratës se shumica do të zgjedhë Presidentin dhe rrezikut se kjo zyrë do të kthehet në zyrën e një partie të madhe, Kryeministri tha se: “Kam deklaruar se do të respektohet Kushtetuta, që përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i tij. Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar nga Kushtetuta, edhe qëndrimi i tij. A kthehet ajo karrige në parti të madhe apo të vogël? Ajo karrige nuk është as për parti të madhe, as për të vogël, por për Presidentin, të cilit Kushtetuta i thotë se duhet të mbash këto qëndrime. Unë i qëndroj Kushtetutës. Nuk janë këtu personat. Çdo person duhet të qëndrojë në përputhje me Kushtetutën. Unë si kryetar i Këshillit të Ministrave, kam një ligj, mbi të cilin funksionoj, përveç prerogativave kushtetuese”.

Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje pas deklaratave të Kryeministrit Berisha për ngjarjet e 21 janarit. Në komunikimin e tij të përhershëm në “Twitter”, kreu i opozitës akuzoi kundërshtarin e tij politik për vrasjen e katër protestuesve dhe vjedhjen e zgjedhjeve lokale. “Shteti kushtetues e ligjor do funksionojë kur të dalin para drejtësisë e të ndëshkohen vrasësit e 21 janarit, kush dha urdhër e kush qëlloi! Vrau në Bulevard, vodhi “ditën për diell”, gënjen edhe kur fle e i këndon një Shqipërie që s’ka lekë, s’ka punë, as drejtësi! Koha për rilindje”.

Statusi
Sa i përket refuzimit nga KE-ja për statusin e vendit kandidat, Berisha u shpreh se: “Shqipëria nuk mori këtë vit statusin e kandidatit, sepse opozita në një akt të paprecedentë në historinë e Europës vendosi të përdorë votën e vet për të bllokuar ligjet, ligje që u hartuan me ekspertët më të mirë të BE-së dhe SHBA-ve. Nuk u votuan, sepse opozita në një qëndrim politik të verbër mendoi se duke bllokuar votimin e tyre, do dëmtonte qeverinë dhe t’i faturonte asaj dështimin e refuzimit të statusit të kandidatit. Por kjo u zgjidh nga shqiptarët me votën e tyre më 8 maj”, tha Kryeministri.

Kartolina e vitit të ri
I pyetur nëse edhe Berisha do të bëjë të njëjtën gjë si Rama kur të urojë qytetarët përmes një kartoline në internet, Kryeministri tha se ajo do të jetë si në çdo vit tjetër, me logon zyrtare të Këshillit të Ministrave. “Si komunikim online, që nuk është online, unë mbaj SMS. Shkalla e penetrimit është 140% në Shqipëri, interneti është rreth 50%. Në qoftë se interneti do arrijë në shifrat që unë e gjykoj se do mund të më drejtohet mua çdo qytetar, do ta kaloja me kënaqësi, sepse kjo është më e mundimshme se interneti. Unë nuk bëj kartolina online, bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave dhe kjo është një kartolinë zyrtare që unë e dërgoj si Kryeministër”, tha Berisha.

Berisha çon dhurata në fshatin SOS
Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij kanë qenë dje në Fshatin SOS, ku kanë shpërndarë dhurata për fëmijët e këtij fshati. Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit u shpreh se: “Pak javë më parë, ju festuat 15-vjetorin e Fshatit SOS dhe na ftuat. Me koncertin tuaj dhe organizimin e shkëlqyer që kishit bërë, ju na dhatë një kënaqësi shumë të madhe. Por këtë herë ne vendosëm të vijmë vetë këtu dhe të festojmë me ju Vitin e Ri, t’ju urojmë Vitin e Ri, të shprehim nderimin tonë më të madh për mësueset tuaja, për nënat dhe tezet e Fshatit SOS, misionin shumë human dhe fisnik që ato përmbushin, duke u kujdesur për vogëlushët e këtij fshati, duke u kujdesur për ju dhe duke ju plotësuar juve gjithçka që një familje i plotëson fëmijës së tij të dashur”. Sipas tij “qeveria është e gatshme që, në çdo rast dhe në çdo nevojë, t’ju japë të gjithë mbështetjen që ju nevojitet, për të përmbushur me dinjitet dhe fisnikëri këtë mision kaq njerëzor dhe kaq përfaqësues për njerëzinë e mbarë shoqërisë shqiptare”.

Qeveria miraton vendimin. Për këtë vit ishte 1146 punonjës
Punonjësit me kontratë, 415 për 2012-n
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar vendimi për të përcaktuar numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme. Sipas këtij vendimi, për vitin e ardhshëm do të jenë 415 punonjës, ndërsa një vit më parë numri ishte 1146, pra 731 më shumë. “Përjashtimisht për punonjësit e kontraktuar nga Instituti i Statistikave, të cilët do të merren me anketimet, miratimi i numrit të tyre, afatet kohore dhe specifikime të tjera të përcaktohen nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët ndërmjet INSTAT-it dhe Ministrisë së Financave”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në këtë akt përcaktohet gjithashtu se efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2012, për njësitë e qeverisjes qendrore. “Përjashtimisht për ALUIZNI-n, QTTB-të dhe 20 (njëzet) punonjësit e SHISH-it, efektet financiare të përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit. Efektet financiare për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore fillojnë më 1 janar 2012”.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura