“M’u desh kohë e gjatë të krenohesha për mbiemrin tim”

Jul 26, 2011 | 11:53
SHPËRNDAJE

“Ky roman është një vepër artistike, e cila lidhet ngushtë me jetën time, siç përshkruhet me hollësi në kujtimet e mia, që do të botohen së shpejti. Rëndësinë për të ndihmuar të tjerët me qëllim që të përmbush identitetin tim personal, e kam kuptuar gradualisht, gjë që u kthjellua qartazi dhe u kristalizua me shpërnguljen time në Kinë.” Ja pse i libri i Mark Okoth
Obama Ndesandjo, vëllai nga babai i Barack Obamës së ri, “Nga Nairobi në Shenzen” ka shkaktuar debate në të gjithë botën. Sepse ka qenë lufta e
përhershme e një njeriu drejt identitetit të tij, por jo vetëm. Është edhe rrugëtimi i një shteti, i një epoke të tërë në kërkim të vetvetes. Lufta
shekullore e një race për t’u pranuar nga tjetra. “Libri është një himn për Afrikën, për njerëzit e këtij vendi, për të gjithë ata që kanë vuajtur
ndër vite për shkak të ngjyrës”- tha botuesi i këtij libri në shqip, Fahri Balliu,
gjatë fjalës prezantuese në promovimin e librit. Në sallën e Hotel Sheraton, i ftuari i nderit që shoqëroi Mark Obamën, për ta prezantuar me një pjesë të miqve e të ftuarve, ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha,
bashkë me disa ministra të kabinetit dhe deputetë të Partisë Demokratike. Është lehtësisht e kuptueshme, pesha e një mbiemri, që dikur nuk ka
dashur të jetë i tillë. Mark Obama e ka pasur shumë të vështirë ta pranojë mbiemrin e babait të tij, duke mbajtur për një kohë të gjatë atë të
njerkut, Ndesandjo. Dhuna që i ati ushtronte mbi të ëmën, nuk ishte e kapërcyeshme për të. Frymëzuar pikërisht nga kjo dhunë që ai ka ndier fare
pranë, brenda familjes së tij, por edhe nga situata të tjera të ngjashme apo edhe më të rënda, Mark Obama bën thirrjen e radhës, “Është mirë për
ju e për këdo, unë do ta përsëris këtë gjë sa herë të mundem, që një baba të
shpenzojë qoftë edhe pesë apo tetë minuta më shumë në javë me të birin, kjo do të sjellë sukses në marrëdhënien e tyre. Qoftë edhe nëse dy persona
më shumë ta praktikojnë, është mirë. Sepse paqja dhe dashuria në familje
është shumë e rëndësishme. Baballarët nuk duhet t’i rrahin nënat, le ta zëvendësojnë atë me respekt, të gjithë do të jenë më të lumtur”. Për t’i
sjellë këto mesazhe deri në Tiranë, autori i librit ‘Nga Nairobi në Shenzen’ falënderon ata që më së shumti e bënë të mundur realizimin e
tij, i dhanë suport dhe e mbështetën, familjen e tij. S’do mend që kjo listë falënderimesh do kryesohej pikërisht nga diçkaja që fëmijërisë
e rritjes së tij i ka munguar. “Tema e dhunës në familje është lënë shpesh në harresë. Njerëzit nuk e gjejnë kollaj guximin të flasin rreth saj. Sidoqoftë,
që kur është botuar libri, unë kam vërejtur një ngjallje të interesit në të gjithë
botën dhe shumë persona më kanë kontaktuar për të më shprehur mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre lidhur me subjektin”- citon Obama në
parathënien e librit. Por nuk është vetëm tema e dhunës. Ndihma që ai u ofron fëmijëve, madje duke dhënë vetë mësime falas në një jetimore,
është gjithashtu e rëndësishme. “Ndihma që u ofrohet fëmijëve për të mësuar pianon disa orë në muaj, duket tepër normale dhe nuk përbën diçka për t’u shkruar, por  kuptova se vëmendja që i është kushtuar kësaj pjese në
libër, do mund të nxisë dhe frymëzojë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë. Më vjen në mend krenaria që ndjeva kur një nga nxënësit e mi, tashmë në universitet, më  takoi një fundjavë dhe më tha “Mark, po mësoj falas
disa fëmijë çdo të diel. Veprimet, në dukje të parëndësishme, që ndihmojnë të
tjerët, mund të përhapen në mënyra të paparashikuara.” Prandaj, Mark Obama, për t’i mëshuar edhe më këtij qëllimi, kishte planifikuar të
luante një pjesë në piano. Ai është një pianist mjaft i mirë i muzikës klasike dhe asaj jazz e vazhdimisht organizon koncerte bamirësie. Të
gjitha këto veprimtari të tijat, që e bëjnë lehtësisht të ndihet krenar, nuk janë fare të ngjashme me kohën që i është dashur të pranojë mbiemrin e babait të tij, Barack Obamës (i vjetri). Përveçse është e dukshme në libër, ai e ka pohuar vetë këtë në një nga mediat ku ka prezantuar librin. ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura