“Kuvendi do hetojë 21 janarin”

Jan 31, 2012 | 12:25
SHPËRNDAJE

Mbledhja e djeshme e Grupit të PD

Kryeministri sqaroi dje në Grupin e PD qasjen e maxhorancës ndaj Prokurorisë

Berisha: Kamerat dhe serverin i administron Garda

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se ngjarjet e 21 janarit do të hetohen nga Komisioni hetimor Parlamentar i ngritur në Kuvend. Në pjesën me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar demokrat, kreu i Ekzekutivit është ndalur gjatë në përleshjen e dhunshme të një viti më parë, ku pas një demonstrate prej pesë orësh mbetën katër protestues të vrarë. Në komunikimin e përjavshëm me deputetët, i cili zgjati rreth 60 minuta, Berisha u ndal fillimisht te Presidenti Topi. Ai u kujtoi deputetëve të PD-së takimin e 23 janarit të kreut të shtetit me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Lulzim Basha. “Më 23 janar Presidenti Topi takoi në zyrën e tij ministrin e Brendshëm dhe i tha: ‘Lëri punët e Gardës ti, por shiko ato letrat e tua’. Ministri i tha ‘mos ki merak për letrat e mia’. Këtu është bërë një maskarallëk”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë ai është ndalur edhe në pretendimin e Prokurorisë për fshirjen e serverit që mendohet se ka regjistruar të gjitha orët e rrethimit të Kryeministrisë. “Sa i takon pretendimit të Prokurorisë për serverin e Kryeministrisë, ne i kemi çuar që në muajin mars një relacion shpjegues për këtë çështje. Kamerat dhe serverin i ka Garda e Republikës, nuk i ka Kryeministria”, është shprehur më tej lideri i maxhorancës. Sipas tij, Komisioni hetimor parlamentar i ngritur dy ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, megjithëse është vetëm me pjesëmarrjen e maxhorancës, do të hetojë si zhdukjen e provave, ashtu dhe personat që kanë tejkaluar ligjin. “Do të hetohet gjithçka, përfshi edhe ata që kanë shkatërruar provat. Gardistët që kanë mbrojtur Kryeministrinë janë heronj. Do të shikohet nëse dikush ka tejkaluar ligjin”, theksoi Kryeministri.
Gjatë intervistave të javës së kaluar, shefi i qeverisë sulmoi ashpër Prokurorinë sa i takon hetimit të kësaj çështjeje. “21 janari pati një fatkeqësi tjetër të dytë: hetimin. Hetohej nga ajo që duhej hetuar vetë, për herë të parë në historinë e një hetimi, institucioni i akuzës merret përsipër nga një person që duhet të hetohet, Ina Rama, dhe po të kishte qoftë edhe një nanogramë moral profesional, ajo kurrë nuk do të merrte përsipër hetimin e kësaj çështjeje, do të kërkonte emërimin e një prokurori të shkëputur prej saj dhe do të pranonte të hetohej nga e para tek e fundit vetë, por këtë s’e bënte dot sepse i dilte implikimi”, u shpreh Berisha.

Hetimi
“21 janari do të hetohet në kushtet më normale, dhe është kush sinekuanon për paqen e këtij vendi që të hetohet. Kaq. Nuk zgjidhet 21 janari me listën që bën Edi Rama për hetim. Cili shqiptar mund të thotë këtu se do të na bindë ne se Besnik Bare qenka më përgjegjës sesa deputetët e filmuar duke nxitur dhunën? Nuk ka ndonjë film për Besnik Baren duke nxituar dhunën para Kryeministrisë?! Apo ai që mori makinën te ura e Lanës, para kamerave, e mori duke shtyrë si halabak derisa e solli këtu. Ai ishte deputet dhe s’e ka thirrur askush deri më sot dhe thyen rrethimin e Kryeministrisë”, ka deklaruar kreu i qeverisë.

Gjykata
Gjykata e Tiranës, e cila shqyrtoi kërkesat e Prokurorisë në datën 22 janar 2012, nuk pranoi të arrestonte komandantin e Gardës, Ndrea Prendi. Sipas Gjykatës, në datën 23 mars 2011 pranë Gardës së Republikës janë sekuestruar 8 pistoleta, përfshirë dhe atë me numër P52796Z, por pa përmendur se cilit person i është kapur apo i përket kjo pistoletë. Ky fakt, sipas Gjykatës, ka rëndësi të madhe për identifikimin e përgjegjësisë penale në lidhje me personin që ka përdorur armën, nga e cila ka dalë predha që ka goditur viktimën Faik Myrtaj.

Masat
Prej një jave, tre të akuzuarit e fundit të dosjes së 21 janarit, Ndrea Prendi, Armand Kasaj dhe Margarit Kume, po mbahen në masat e sigurisë “arrest shtëpie”. Kjo masë sigurie nënkupton qëndrimin pa lëvizur në shtëpi dhe ruajtjen me efektiva policie në dalje të banesës. Policët janë urdhëruar që të ruajnë dhe mbikëqyrin të pandehurin dhe të parandalojnë çdo tentativë largimi të tij nga vendi i caktuar nga Gjykata për kryerjen e masës së sigurisë. Personi në arrest shtëpie po kështu është në dispozicion të hetimit sa herë që të kërkohet për të dëshmuar nga Prokuroria.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura