“Kurbani” i Ramës, jashtë panairit, përplasen Ymeri dhe Dudaj

Oct 31, 2011 | 11:27
SHPËRNDAJE

Ndërsa nuk kanë mbetur edhe shumë ditë nga hapja e Panairit të Librit të Tiranës, që konsiderohet si aktiviteti më i madh i librit në vend, vazhdojnë përplasjet mes dy shoqatave, që deri një vit më parë ishin nën të njëjtin emër. Drejtuesja e shtëpisë botuese “Dudaj” ka ngritur pretendimin se “Dudaj” këtë vit është lënë jashtë panairit, në një kohë që ajo asnjëherë nuk është shprehur se do ta bojkotojë atë. “Të gjithëve u janë ruajtur vendet, përveç meje”, thotë Arlinda Dudaj, e cila është edhe sekretare e Shoqërisë së Librit Shqip. Kjo histori përplasjesh bëhet edhe më e ndjeshme në momentin kur tashmë është njoftuar dalja e librit te kryetarit të Partië Socialiste, Edi Rama, “Kurban”,  botues i të cilit është “Dudaj”. Përballë këtyre akuzave, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ka dalë në konferencë për shtyp për të sqaruar situatën. “Shtëpia botuese Dudaj ngre pretendimin sikur është lënë jashtë Panairit të 14-të të Librit që nis më datë 9 nëntor. I gjithë ky është një spekulim, të cilin ne, anëtarët e Shoqatës së Botuesve, e mohojmë kategorikisht. Ne nuk jemi një organizëm politik, por jemi një organizëm profesional”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se qëllimi i tyre i vetëm është organizimi i Panairit për të gjithë dashamirësit e librit. “Në këto momente kur ne jemi në përfundim të punës të nisur muaj më parë, hidhet një shashkë e tillë, një pretendim i pabazë për të spekuluar punën. Në asnjë moment nuk kemi menduar të lëmë jashtë askënd nga panairi. E gjithë kjo, siç e kemi shpjeguar edhe më parë, erdhi si pasojë e mosinteresimit në kohë të shtëpisë botuese “Dudaj”, e cila nuk ka dashur të bëhet pjesë”. Sipas Shoqatës së Botuesve, sipërfaqja e stendave të panairit është mbyllur që në datën 10 shtator, e megjithatë, edhe më vonë kanë bërë vend për “Dudajn”. “Vetëm në mos e gjithë kjo të jetë një çështje marketingu. Për të gjithë ne është shumë mirë që të ketë tituj e autorë të mirë librash, sikundër edhe janë, askujt nuk i bëjmë presion, e theksojmë edhe një herë që janë të gjithë të mirëpritur”, tha Ymeri, teksa shton se, nëse “Dudaj” arrin të gjejë një hapësirë në marrëveshje me botuesit e tjerë, është e mirëpritur. Por Arlinda Dudaj thotë se historia nuk është edhe aq e thjeshtë. “Është e rëndësishme të shpjegohet e gjithë kronologjia e rrjedhës së ngjarjeve, për të kuptuar se si erdhëm deri këtu. Gjatë gjithë muajit korrik, i është kërkuar kryetarit të Shoqatës së Botuesve nga Shoqëria e Librit Shqip një takim për ta pyetur lidhur me rritjen prej 40 për qind të çmimit të stendave në Panairin e Tiranës, ndërkohë që sipas verifikimeve të bëra prej nesh nuk kishte pasur asnjë rritje të çmimit nga ana e Pallatit të Kongreseve. Kryetari i Shoqatës nuk iu përgjigj kurrë pozitivisht thirrjes sonë për takim, përveçse me disa mesazhe ironizuese, të cilat sigurisht i ka në e-mail secili anëtar i ShLSh. Megjithatë, në çdo mesazh tonin, ne kurrë nuk thamë se do të bojkotonim Panairin e Librit”, thotë Dudaj, duke shtuar se nuk ka kuptim që dikush që nuk do të marrë pjesë në panair, të interesohet për çmimet e tij. “Në fund të gushtit, del që kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, vepron në mënyrë arbitrare dhe e zë vendin tim të përvitshëm, besoj se gjithkush e di që shtëpia botuese “Dudaj” ka qenë e përvitshme në Panairin e Librit në hollin kryesor, me një vend të konsiderueshëm për titujt që ka. Gjithashtu mbetet jashtë edhe Ardian Klosi, të cilit nuk i është çuar asnjë njoftim, bëhet fjalë pikërisht për kryetarin dhe sekretaren e Shoqërisë për Librin Shqip. Gjithkujt tjetër iu ruajt vendi, e theksoj gjithkujt, edhe pas datës 10 shtator, ndryshe nga ç’thotë P.Ymeri. Atëherë ç’emër duhet t’i vë unë kësaj? Kjo ishte një histori që nisi si një luftë e ulët e meskine kundër konkurrencës së lirë e që përfundoi këtu”, thotë Dudaj, duke shprehur keqardhjen që pas kaq vitesh përpjekjeje për të arritur standardet europiane, të ndodhnin histori të tilla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura