“Juristët e rinj, me hatër i vlerësoj me notën gjashtë”

Mar 31, 2012 | 13:54
SHPËRNDAJE

Niveli i të diplomuarve në Drejtësi është tepër i dobët. Nëse do të ishin për t’u vlerësuar të rinjtë më të mirë të sistemit gjyqësor shqiptar, me pak hatër mund të marrin 6. Këtë deklaratë bëri dje drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Mariana Selimi, e pranishme në tryezën e rrumbullakët “Përmirësimi i edukimit ligjor përmes praktikës”, të organizuar nga universiteti “Luarasi”. Ajo e konsideroi katastrofale situatën në sistemim gjyqësor. Në të ishin të pranishëm kryetarë të gjykatave të Shkallës së Parë nga disa qytete të vendit. Po kështu merrnin pjesë drejtuesit dhe pedagogët e universitetit “Luarasi”, të cilët janë ndër ekspertët më të mirë të fushës në vend. Sipas drejtoreshës së Shkollës së Magjistraturës, as 30 kandidatë të këtij viti për Shkollën e Magjistraturës nuk kanë arritur të marrin minimumin e pikëve, ndonëse këta konkurrentë konsiderohen si më të mirët në vend. “Bëhet fjalë për 17 veta nga 248, pra një shifër shumë e vogël. Ne kishim në dispozicion 18 vende vakante, vendi i 18-të mbeti bosh, është bosh dhe sot. Kjo në fakt është e dhimbshme, sepse kufiri 60 është i ulët, 60 është 6, sepse po t’i rrish 8 me 8 nuk hynte asnjëri, por edhe 8 me 7 riskuam fort. U ulëm tek 6 dhe përsëri, ndonëse nuk është niveli që ne kërkojmë, dhe ky nivel nuk u arrit dot, pra nga shumë pak persona, 17 veta, është 5 konkurrentëve është një shifër shumë e vogël”, deklaroi Semini.
TREGU I TEJNGOPUR
Rektori i universitetit “Luarasi”, Kristaq Traja, theksoi se është e domosdoshme të investohet në formimin e juristëve të rinj. “Momentalisht kemi juristë të dobët, sepse janë të dobët në dije. Dija e pakët të bën frikacak dhe të tërhequr, ne nuk duam këtë nga studentët tanë, ndaj kjo situatë duhet të ndryshojë. Shqipëria prodhon juristë pa fund, duke e ngopur tregun, ndërkohë që kjo ngopje nuk kthehet në cilësi”, tha Traja. Pedagogët e Drejtësisë kanë sugjeruar se diploma në Drejtësi duhet të jetë 4-vjeçare, pasi me sistemin aktual 3 dhe 1, niveli profesional i juristëve të ardhshëm është i paplotë. “Për Fakultetin e Drejtësisë sistemi “Bachelor” nuk të jep asnjë lloj dritare, ku ti të gjesh të ardhmen tënde, që do të thotë- e vetmja mundësi për të vazhduar edukimin ligjor është ose një sistem 4-vjeçar që përfshin të paktën një master ose një sistem 5-vjeçar, që përfshin përsëri nivelin master por ndoshta me natyrë shkencore”, sugjeroi drejtoresha e Magjistraturës, Semini. E pranishme në tryezë, zv ministrja e Arsimit Nora Malaj, shprehu vullnetin e Ministrisë së Arsimit për të përmirësuar ciklet e studimit dhe mësimdhënien, në mënyrë që tregu i juristëve të marrë një tjetër hop. Sot, në vendin tonë operojnë 6 fakultete të Drejtësisë në universitetet publike dhe 17 fakultete të Drejtësisë në universitetet private. Në vit diplomohen mesatarisht 6000 juristë. Për të marrë licencën e “Avokatit”, të “Noterit” apo për të konkurruar në Magjistraturë, duhet diploma 4-5- vjeçare. Çdo vit konkurrojnë për të marrë licencën 400-500 asistentë avokatë, prej tyre vetëm 35-40% e konkludojnë me marrjen e licencës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura