“Ja pse u eliminua Gjermania”

Jun 30, 2012 | 14:44
SHPËRNDAJE

Gjermani-Itali 1-2

Jurgen Klinsman, Lotar Mateus dhe Mikael Balak analizojnë humbjen ndaj Italisë.

“Kryqëzohen” skemat e Lëvit dhe puna e dobët e mesfushës”

Gjermania zhgënjeu, dhe ky konkluzion nuk arrihet vetëm prej eliminimit ndaj Italisë.
Skuadra e Joakim Lëvit çaloi në disa reparte, duke i lejuar kundërshtarit që të luajë lirshëm si në mesfushë, ashtu edhe në sulm.
Ikonat e futbollit gjerman, ish-kapitenë të ekipit përfaqësues, analizojnë arsyet që sollën edhe dështimin në gjysmëfinale. Jurgen Klinsman, Lotar Mateus dhe Mikael Balak “dënojnë” si skemën taktike të Lëvit, ashtu edhe kontributin e pamjaftueshëm të disa prej lojtarëve në fushën e lojës. “Unë mendoj se Joakim Lëv ka përgjegjësinë kryesore për humbjen. Në dy apo tri ndeshjet e fundit janë bërë mjaft ndryshime në formacion. Nëse dëshiron ta shohësh me optimizëm, do të thuash se lojtarët kanë qenë të freskët fizikisht. Por, ajo që rezultoi me negativja, ishte se për këtë fakt skuadra u eliminua në gjysmëfinale. Duke pasur kaq shumë ndryshime, futbollistët që zbritën në fushë ndaj Italisë, u vu re se nuk ishin mësuar të luanin me njëri-tjetrin. Toni Kros të paktën ishte i paqartë se çfarë duhet të bënte tamam. U vu re një mungesë vetëbesimi, ndryshe nga kundërshtari. Mendoj se nëse do kishin luajtur me skemën e zakonshme atë të dy ndeshjeve të para, Gjermania do të kishte qenë më e qëndrueshme në mbrojtje e mesfushë por, mbi të gjitha, më e qartë në aksionet sulmuese. Bashkëpunimi Boateng-Myler ka treguar se është i aftë të bëjë diferencën në krah, sidomos kur do përballeshin me vetëm një kundërshtar, siç ishte Kielini”, ka theksuar ish-kapiteni, Mikael Balak. Më fleksibël në gjykim, të paktën përsa i përket trajnerit, ka qenë Jurgen Klinsman. “Gjermania luajti në pjesën e parë, ashtu siç italianët shpresonin që të ndodhte. Me sulme euforike dhe me një mbrojtje të shpërqendruar, i dhanë shansin kundërshtarit që të niste kundërsulme të shpejta. Por, më kryesorja, ajo që edhe vulosi ndeshjen, ishte roli i mesfushës. Pavarësisht se Lëv u mundua të bllokojë këtë repart, lojtarët e tij nuk ia dolën që të markojnë as Pirlon, as Montolivon dhe as De Rosin. Madje, nuk fituan dot as dyluftimet për topin e parë. Një dështim total. Ishte pikërisht puna tepër e dobët që u bë në mesfushë, ajo që shkaktoi humbjen. Unë mendoj se mesfushorët janë fajtorët kryesorë, pasi i kishin të qarta detyrat që duhet të zbatonin dhe nuk ia dolën mbanë. Në pjesën e dytë ishte e logjikshme që Italia të mbrohej, madje e bëri mjaft mirë”, Jurgen Klinsman, i cili e ka drejtuar këtë Gjermani në 2006-n së bashku me Lëvin. Ndërsa Mateus tregon pikat e forta të Italisë, ato që bënë edhe diferencën ndaj Gjermanisë në këtë ndeshje. “Italianët fituan vetëm prej dy lojtarëve, Pirlos dhe Balotelit. Ishin ata që bënë diferencën në fushën e lojës. Mesfushori organizoi me zgjuarsi mjaft aksione të rrezikshme, me pasime të gjata në diagonale. Duhet theksuar se ishte gjithashtu meritë e tij që për pjesën më të madhe të ndeshjes ka qenë i pamarkuar. Ndërkohë, Baloteli tregoi se ka një talent dhe gjakftohtësi mbresël-ënëse. Shfrytëzoi me potencë dhe saktësi dy rastet që iu krijuan dhe e dërgoi Italinë në finale. Gjermania? Do kisha zgjedhur dy lojtarë të Gjermanisë me shumë dëshirë, por asnjëri prej tyre nuk ia doli që të bllokojë Marion ose Andrean”, komentoi Lotar Mateus.

Lëv: Humbëm për fajin tim
“Ambasadorët” e Gjermanisë janë rikthyer në shtëpi, ku trajneri i tyre, Joakim Lëv, nuk e fsheh zhgënjimin, por për të mos hedhur poshtë skuadrën, ka marrë vet përgjegjësitë. 52-vjeçari gjerman, gjatë një interviste për “Eurosport” ka analizuar duelin kundër Italisë, komenton vendimet dhe ecurinë në këtë Europian si dhe hedh një vështrim nga e ardhmja në vazhdimësi, pasi kreu i federatës blindon qëndrimin e tij. “Në pjesën e parë pas ndëshkimit u hutuam duke mos gjetur orbitat e sakta në fushë dhe si pasojë erdhi dhe ndëshkimi i dytë. Në të dyja rastet mungoi përqendrimi dhe vëmendja e mbrojtjes. Më pas ishte e vështirë ta përmbysje rezultatin kundër një Italia të vendosur mirë. Në pjesën e dytë skuadra tregoi shpirt të madh, por e pamjaftueshme. Nga pamja e jashtme mund të duket kështu, por Mario Gomez kishte shënuar tre gola dhe gjatë stërvitjes ishte tepër i motivuar. Me Toni Krosin doja të blindoja mesfushën për të përballuar Pirlon dhe De Rosin. Deri në momentin pa pësuar golin, loja ishte e barabartë, por më pas nuk e mblodhëm veten. Në parim kemi kaluar dy vite të bukura. Skuadra ka pësuar ngritje dhe humbëm kundër një përfaqësuese tepër të fortë si Italia. Nuk ka arsye për t’u irrituar maksimalisht, pasi patëm skuadrën më të re në Europian dhe arritëm në gjysmëfinale”.

Reporteri: Spiunova, por misioni dështoi
Reporteri “Bild”-it pas spiunimit të axhendës së Kombëtares greke, ka tentuar të spiunojë edhe Italinë. “Nëse italianët flinin, unë isha zgjuar në katin e 6-të të hotelit. Ditën e mërkurë, në orën 21:43, italianët ktheheshin nga stërvitja në hotelin me pesë yje, ku u akomodova edhe unë. Ata kanë edhe policinë me vete dhe e kisha të vështirë. Në orën 02:18 të mëngjesit do kryhej misioni im i fundit i spiunazhit. Dola nga dhoma, me qetësi zbrita shkallët. Shoh që në sallën e konferencave diskutohej. Më duhej të futesha! Hapa derën me delikatesë, kur njëri prej tyre bërtiste. Ishte një punonjës polak. Vrapon drejt meje dhe bërtet. I fola anglisht dhe i thashë që kërkoja diçka për të ngrënë. Ai ishte tërë nerva, por më la të vrapoja. Më vjen keq zoti Lëv, më shumë nuk kisha ç’bëja”…

Humbja në gjysmëfinale, “luftë” mes tifozëve

Përleshje mes 800 gjermanëve dhe 600 italianëve në Volfsburg të Gjermanisë
27 të ndaluar dhe 13 të plagosur, mes të cilëve një polic

Humbja e Gjermanisë në gjysmëfinalet e Europianit ka nervozuar jo pak tifozët e kësaj skuadre. Ka qenë e patolerueshme për ta, që të ishin prezentë në festën e fansave italianë, pikërisht në shtëpinë e tyre. Në qytetin e Volfsburgut, fundi i ndeshjes i ka “hapur rrugë” një përleshje mes dy tifozerive. Pasi kishin qenë duke e ndjekur transmetimin e supersfidës në sheshe publike dhe montiorë gjigandë, kanë mjaftuar disa ngacmime me fjalë për rezultatin e takimit, që të shkaktojnë edhe përleshje fizike. Dhe kur bëhet fjalë për një numër që i kap 1400 tifozët, gjithçka bëhet më e vështirë edhe për policinë. “Brenda një periudhe prej pesë minutash, pasi kishte përfunduar ndeshja, një grup prej afro 800 tifozësh gjermanë dhe 600 italianë kanë pasur një konlikt mes tyre, i cili arriti edhe në përleshje fizike. Policia i kishte marrë masat dhe kishte parashikuar që mund të kishte edhe incidente të tilla, për vetë rivalitetin e ndeshjes. Brenda një afati kohor prej pesë minutash, është bërë edhe qetësimi i situatës, ku u ndaluan 27 persona, 18 prej të cilëve u dha masa e arrestit”, thuhet në deklaratën për shtyp të Policisë së Volfsburgut. Nga përleshja në këtë qytet, pati edhe 13 të plagosur që u shoqëruan në spital, ku njeri ishte polic. Por, ky nuk ishte incidenti i vetëm në Gjermani. Përleshje ka pasur edhe në Solingen dhe Ramsheid, ndërkohë që në Kasel janë arrestuar edhe pesë ultras të tjerë. Pavarësisht se nuk kanë munguar të lënduarit, për policinë është cilësuar si “sukses” përfundimi i periudhës pas ndeshjes, pasi ka pasur me mijëra spektatorë në sheshet kryesore të qyteteve, të cilëve iu mundësia transmetimi në video-projektorë gjigandë.

Tifozi rrëshqet nga gëzimi dhe vdes
Ka përfunduar me tragjedi fitorja e Italisë për një tifoz “axurr”. 52-vjeçari Antonelo Ildo ka vazhduar të festojë në shtëpinë e tij edhe pasi nëna dhe vëllai kishin shkuar për të fjetur, rreth 30 minuta pasi kishte përfunduar ndeshja. Por, festa “e çmendur” ka rezultuar tragjike, pasi ai ka rrëshqitur dhe ka rënë sipër tavolinës prej xhami në sallon. Rrëzimi i ka shkaktuar preje të thella në pjesën e barkut dhe gjakderdhje të shumtë, aq sa ndihma mjekësore ka qenë e pamjaftueshme, sepse ai humbi jetën.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura