“Hiqe ministrin nga priza”, dy çmime në Dibër

Jul 8, 2011 | 10:39
SHPËRNDAJE

Teatri i Metropolit kthehet në Tiranë me dy çmime të fituara në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni”, i cili u mbajt në Dibër në datat 28 qershor-4 korrik 2011. Juria e festivalit e vlerësoi me çmimin “Shfaqja më e mirë” komedinë “Hiqe ministrin nga priza”. Ndërsa aktorja e trupës, Cubi Metka, fitoi çmimin si aktorja më e mirë joprotagoniste. Komedia u shfaq ditën e parafundit të festivalit, duke marrë menjëherë mbështetjen e publikut. Aktorët Ina Gjonçi, Devis Muka, Klodian Hoxha, Klodiana Keco, Cubi Metka, Roland Saro dhe Alban Musa, përmes një loje dinamike përcollën fabulën tragji-komike të një ministri të aksidentuar rëndë, që e mbanin në jetë nëpërmjet një aparature vetëm për shkak të numërimit të “gishtave” të votave, sepse vota e tij ishte vendimtare për rënien ose jo të një qeveria angleze. Kjo vepër komedi, e autorit anglez Eric Idle, u vu në skenë nga regjisori Arbër Jakllari. “Hiqe ministrin nga priza” do të rikthehet në Teatrin e Metropolit në muajin shtator.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura