“Gjelat e Blankut, nën tension para Shqipërisë”

Aug 31, 2011 | 12:01
SHPËRNDAJE

“Një repart difensiv për tu ribërë, dy lider teknikisht të njëjtë dhe një sulmues në formë të shkëlqyer, por që nuk shënon në Kombëtare prej shtatë muajsh”. Kështu e nis analizën e vet uebsajti fifa.com përsa i përket Francës, para ndeshjes me Shqipërinë dhe Rumaninë. Në analizë kapen të gjitha repartet duke filluar që nga portieri e deri te sulmi, ku vërehen probleme të cilat trajneri Blank duhet t’i zgjidhë para se të zbres në fushën e “Qemal Stafës” mbrëmjen e së premtes.
Hugo Loris – “Duke qenë se përpara do ketë një dyshe mbrojtësi si Kabul dhe Abidal, loja e portierit Hugo Loris, në takimin ndaj Shqipërisë, bëhet mjaft e rëndësishme. Portieri ka treguar një formë të mirë te Olimpiku i Lionit, por vërehet se nuk bën të njëjtën gjë kur përballë ka një publik të zjarrtë, sikundër pritet që të jetë në Tiranë. Gjithsesi, Blank beson shumë te Loris, duke e parë këtë të fundit si një nga pikat më të forta të skuadrës”.
Kabul-Abidal – “Me dyshen Mekses-Rami, trajneri i Francës u duk sikur kishte gjetur një lloj rehatie, që nuk ishte parë në repartin e mbrojtjes që prej Botërorit 2006. Por ja që dyshja e tij e preferuar e ka lënë në baltë në momentin më deciziv, atëherë kur Franca luan kualifikimin për në Euro 2012. Mekses është ende i dëmtuar, ndërsa Rami, i grumbulluar me ekipin, nuk do të luajë ndaj Shqipërisë për shkak pezullimi, kështu që në qendër do jetë Kabul dhe Abidal. Deri tani këtë ta dy kanë luajtur së bashku vetëm në ndeshje miqësore dhe, duke parë që presioni më i madh në Tiranë do jetë ndaj Kabul, i cili ka luajtur deri tani vetëm tri ndeshje me Kombëtaren, duket se ky është preokupimi më i madh për Blankun. Nga ana tjetër mbrojtësi i Totenhamit shihet si pika më e dobët e kësaj France. Ndërkaq, Abidal, edhe pse ka mbi supe eksperiencën, njihet si një mbrojtës i majtë dhe në qendër ka stonuar thuajse gjithnjë kur është aktivizuar. Madje po t’i kthehesh historisë vëren se, kur Abidal ka luajtur në qendër ka bërë gabime fatale duke shkaktuar edhe penallti si në rastin ndaj Italisë (0-2) dhe Meksikës (2-0)”.
Riberi-Nasri – “Që të dy nuk munden më të fshihen pas emrit të madh që mbajnë, por të nxjerrin në pah ndeshje me kualitet, sikundër u kërkohet. Që të dy konsiderohen si padronët e mesfushës franceze ndaj edhe atyre u kërkohet të jenë më produktivë në prodhimin e një ndeshje sa më sulmuese dhe kreative. Riberi ka kohë që nuk nxjerr një ndeshje të mirë ne ekipin përfaqësues dhe këtë gjë e pohoi ai vetë, ditën e hënë kur theksoi se do shikonim një Riberi tjetër me fanellën e Francës. Përsa i përket Nasrisë, duhet pranuar që e ka pasur më shumë mendjen gjatë kësaj kohe te kalimi te Mançester Siti, duke lënë mënjanë kombëtaren. Gjithsesi, Blank nuk ka nguruar që edhe këtë herë të shprehë haptazi afeksionin ndaj këtij futbollisti. Në krah të mesfushës do jenë Remi dhe Martin, dy lojtarë në top-formë”.
Benzema – Madrileni është padyshim në superformë, çka e ka treguar edhe me spanjollët, por duhet pasur parasysh një fakt: nuk shënon me Kombëtaren prej shumë kohësh në një ndeshje zyrtare. Hera e fundit ka qenë në shkurt ndaj Brazilit, në një miqësore. Gjithsesi Blank do mbështesë gjithë sulmin te ky lojtar, me shpresën që ndaj Shqipërisë do përsërisë ndeshjen e shtatorit të 2010-s në Sarajevë ku shënoi ndaj Bosnjës”.

Riberi: Do jem më i miri ndaj Shqipërisë
Frank Riberi është kthyer në Kombëtare dhe kërkon me çdo kusht që të bindë për formën e tij të mirë jo vetëm trajnerin Lorent Blank por edhe tifozët e gjelave. Në një intervistë për mediat franceze mesfushori me tipare sulmuesi i Bajernit të Mynihut ka pohuar se ndaj Shqipërisë të premten dhe ndaj Rumanisë më pas do jetë më i miri në fushë. “E di që kohët e fundit Franca nuk ka bërë ndeshjet e saja më të mira dhe këtu kam përgjegjësi edhe unë por ju siguroj se duke filluar që nga ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe në Rumani do shikoni një tjetër Riberi. Mendoj se jam kthyer në ditët e mia më të mira se atëherë kur zbrisja me shumë dëshirë në fushën e lojës. Këta kam bërë gjatë kësaj kohe te Bajerni dhe këtë dua të bëj edhe në Kombëtare”, ka pohuar Riberi.

Blank: Në Tiranë, si ndaj boshnjakëve
Trajneri i Francës, Lorent Blank, ka pohuar se ndeshja e së premtes në “Qemal Stafa” do të jetë pak a shumë si ajo e shtatorit 2010 ndaj Bosnjës në Sarajevë, ku Franca fitoi 2-0. “Do jetë pak a shumë si takimi ndaj Bosnjës. Sigurisht çdo ndeshje ka specifikat e veta dhe në gjykimin tim duhet të jemi të duruar dhe sidomos të saktë në veprimet tona sulmuese. Nuk e kam vendosur ende formacionin, pasi gjykoj se në Tiranë dhe Bukuresht, katër ditë më vonë, luajmë kualifikimet për në Euro 2012, ndaj këto ndeshje janë mjaft të rëndësishme dhe të vështira për ne. Do kisha dashur të kisha të gjithë lojtarët në dispozicion, por megjithatë, kam besim se edhe me grupin që kam do t’ia dalim mbanë”, ka pohuar Blank.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura