“Fryma e Tiranës”, reformim të agjencive të OKB-së si në Shqipëri

Jun 30, 2012 | 13:59
SHPËRNDAJE
Konferenca e djeshme e Kombeve të Bashkuara

Konferenca e Pestë Ndërqeveritare për Reformën “Një OKB”, e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Tiranë, nën drejtimin e Shqipërisë, arriti konsensus në propozimin për reformimin e OKB-së, reformim prej kohësh i domosdoshëm. Nga përgatitja e mirë e propozimeve dhe drejtimi i mirë i konferencës u arrit një mbështetje e plotë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse nga ato donatore, te vendet pilote të këtij projekti, sa dhe Franca e quajti arritjen e konsensusit Fryma e Tiranës (L`esprit de Tirana). Konferenca e OKB-së në Tiranë, e para e dimensionit global që mbahet në kryeqytetin shqiptar, ra dakord për rekomandime të qarta për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki Mun, që të iniciojë procesi i reformës faktike, në të gjitha agjencitë e kësaj organizate, në javët e muajt e ardhshëm.
Treqind përfaqësues nga 40 vende të globit u mblodhën nga data 27-29 qershor 2012 për të marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Konferenca, që organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës, u përshëndet në ditën e parë të saj nga Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe Helen Clark, kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe administratore e UNDP-së (ish-kryeministre e Zelandës së Re). Synimi i organizimit të Konferencës ishte përmirësimi i efektshmërisë së sistemit të Kombeve të Bashkuara si dhe një mundësi e rëndësishme për të paraqitur rezultatet, arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga qasja “Një OKB”. Në ditën e fundit të konferencës u dakordësua mbi dy dokumente kryesore, të cilat japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në vendet ku ajo do të aplikohet. Vendet pjesëmarrëse ranë dakord mbi një qëndrim të përbashkët që, elemente kyçe të nismës “Një OKB”, t’i paraqiten në korrik 2012 Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012. U identifikuan dhe njohën praktikat më të mira të nismës “Një OKB”, ndër të cilat edhe shembulli i Shqipërisë si një histori suksesi dhe arritja e konsensusit e pagëzuar nga pjesëmarrësit si “Fryma e Tiranës”. Për organizimin e Konferencës u ngrit një grup ndërinstitucional pune, i kryesuar nga ministri për Inovacionin dhe TIK, z. Genc Pollo, i cili çeli siparin e konferencës.

Haxhinasto
Në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryetaren e grupit të zhvillimit të OKB-së, Helen Clark, me rastin e përfundimit të Konferencës për nismën “Një OKB”, Haxhinasto bëri dhe një rezyme të punës treditore të takimit, nga ku u mblodhëm mbi 300 personalitete nga 40 vende të botës, si dhe apeloi për bashkëpunim të të gjitha forcave politike. “Nuk do të bëjmë komente, do të punojmë për reformat”, tha dje Haxhinasto.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura