“Ferrari” me shpejtësi çan bordurën e rrugës, 2 vdesin

Jun 30, 2012 | 13:56
SHPËRNDAJE
“Ferrari” ku udhëtonin dy viktimat, pas daljes nga rruga

Dy persona mbetën të vdekur, ndërsa një i tretë është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti në superstradën Mamurras-Lezhë. Një automjet tip “Ferrari”, me targa italiane që drejtohej nga shtetasi Roland Dangaj, ka dalë nga rruga duke thyer barrierat mbrojtëse të saj e duke përfunduar 10 metra poshtë. Për pasojë, humbi jetën drejtuesi i saj, 35-vjeçari Dangaj, si dhe Agim Pali, 40 vjeç, pasagjer në automjet. Policia bëri të ditur se në ngjarjen e rëndë që ndodhi rreth orës 14:00 në afërsi të Fushë-Mamurrasit, mbeti i plagosur edhe Armand Dangaj, 18 vjeç, edhe ky pasagjer. Ai është transportuar menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë, pasi kishte pësuar plagë të shumta në kokë e trup, të cilat i rrezikojnë jetën. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shkak për këtë aksident është bërë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e drejtuesit për shkak të shpejtësisë së madhe të lëvizjes, duke sjellë përplasjen e fortë me bordurat mbrojtëse të rrugës dhe rrokullisjen jashtë saj. Mospërdorimi i masave administrative për tejkalim shpejtësie e mjeteve me targa të huaja konsiderohet si shkaku kryesor i rritjes së aksidenteve në Lezhë, ku përfshihen pikërisht këto automjete. Mësohet se tre të rinjtë me banim në qytetin e Mamurrasit po udhëtonin nga ky qytet në drejtim të Lezhës, kur janë aksidentuar në hyrje të urës në vendin e quajtur Fushë-Mamurras. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan policisë se mjeti kishte qenë me shpejtësi mjaft të madhe e për pasojë edhe përplasja ka qenë aq e fortë sa “Ferrari” theu barrierat mbrojtëse duke përfunduar në kanal. Mësohet se drejtuesi i mjetit me targë italiane ishte emigrant prej shumë vitesh në këtë shtet. Ai njihej në qytetin e Mamurrasit pasi me paratë e emigracionit kishte bërë disa biznese në këtë zonë. Ndërkaq, 18-vjeçari i plagosur mësohet se është nipi i viktimës. Ata ishin nisur për në qytetin e Lezhës, por pak minuta pas hyrjes në autostradë, u aksidentuan. Në vendin e ngjarjes u mblodhën mjaft banorë të zonës, të cilët tentuan t’u japin ndihmën e parë. Por ata i pohuan grupit të hetimit se dy viktimat kishin ndërruar jetë në vend. Ndërsa i plagosuri është transportuar me mjete të rastit drejt Spitalit Ushtarak, pasi gjendja e tij ishte mjaft e rëndë.     gj.f

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura