“Ekspertiza e FBI për vrasjet e 21 janarit është mbështetur mbi ligjet e fizikës”

Jan 31, 2012 | 11:23
SHPËRNDAJE

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper. Majtas, nga protesta e dhunshme e 21 janarit

Flet ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë

Müller-Holtkemper: Ekspertiza e FBI është bazë solide, u mbështet mbi ligjet e fizikës

Carola Müller-Holtkemper, ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, tha dje se hetimet e Prokurorisë lidhur me ngjarjet e 21 janarit do të bëhen nëpërmjet ekspertizës që ka ardhur nga FBI-ja. Në një intervistë për “Dojçe Velen” ai tha se komuniteti ndërkombëtar po e ndjek me shqetësim këtë çështje, teksa shtoi se bëhet fjalë për procese komplekse, të cilat duhet të vazhdojnë të hetohen ende. “Në rastin e ngjarjeve të 21 janarit bëhet fjalë për procese komplekse, të cilat pjesërisht duhet të vazhdojnë të hetohen ende apo për sqarimin e të cilave është marrë edhe ekspertizë teknike e huaj. Lidhur me shkaqet e vdekjes ekziston tanimë një ekspertizë voluminoze e FBI-së dhe mbetet vetëm të shpresojmë që të mund të hidhen hapa të mëtejshëm duke u nisur nga kjo bazë solide e krijuar”, tha diplomatja gjermane në vendin tonë. Ajo theksoi gjithashtu se “FBI-ja ka mbërritur në konkluzionet e veta mbështetur në ligje të njohura të fizikës. Nëse këta ekspertë, nisur prej ligjesh fizike me vlefshmëri absolute, sikurse është ai i gravitetit apo lëkundja e frekuencave të rrjeteve elektrike, kanë mbërritur në përfundime të caktuara, atëherë nuk besoj se në këtë drejtim do të ketë devijime të mëdha; në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për çështje shijesh”. Dy ditë pas përkujtimit të ngjarjes së një viti më parë, ishte ambasadori amerikan në Tiranë, i cili mbështeti edhe një herë Prokurorinë e Përgjithshme në procesin e hetimit, duke kërkuar gjithashtu që ai të jetë gjithëpërfshirës, të fillojë me vdekjet e protestuesve dhe me qëllimet e organizatorëve. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim zyrën e prokurores së Përgjithshme, ndërsa vazhdon punën për këtë hetim. Dua të përsëris se ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë, që është e rëndësishme, që ky hetim të jetë i pavarur, të jetë i lirë nga ndërhyrjet politike. Në mënyrë që hetimi të jetë i besueshëm, ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe kjo përfshin, sigurisht, siç e përshkroi dhe prokurorja e Përgjithshme pak minuta më parë, hetimin pikë së pari mbi vdekjet e protestuesve të shkaktuara nga armë zjarri, si dhe veprimet e protestuesve që kryen akte të dhunshme dhe veprimet e qëllimet e organizatorëve, aq sa është e mundur”, u shpreh ambasadori Arvizu.
Ndërsa ambasadori i Komisionit Europian ka deklaruar: “Siç e kemi thënë, është e rëndësishme që ky hetim të jetë gjithëpërfshirës, i pavarur dhe pa ndërhyrje politike. Shqiptarët presin që të vendoset drejtësia. Po ashtu kemi thënë që ne presim që hetimi të vazhdojë mes zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri. Ne e mbështesim këtë dhe kemi besim të plotë te Prokuroria e Përgjithshme. Ne kemi besim që Gjyqësori në Shqipëri do ta bëjë punë e vet që të jepet drejtësia”.
Znj. Müller-Holtkemper, si e vlerësoni faktin që edhe pse ka kaluar një vit nga protesta antiqeveritare e 21 janarit, kur u vranë katër persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, ende nuk është zbardhur kjo çështje?
Pjesë e një procesi ligjor është edhe përcaktimi i një kuadri kohor të përshtatshëm, brenda të cilit drejtësia do të duhet të vendosë. Ju e dini tanimë se komuniteti ndërkombëtar i ndjek me shqetësim ato procese gjyqësore që zvarriten me vite të tëra. Në rastin e ngjarjeve të 21 janarit bëhet fjalë për procese komplekse, të cilat pjesërisht duhet të vazhdojnë të hetohen ende apo për sqarimin e të cilave është marrë edhe ekspertizë teknike e huaj. Lidhur me shkaqet e vdekjes, ekziston tanimë një ekspertizë voluminoze e FBI-së dhe mbetet vetëm të shpresojmë që të mund të hidhen hapa të mëtejshëm duke u nisur nga kjo bazë solide e krijuar. FBI-ja ka mbërritur në konkluzionet e veta mbështetur në ligje të njohura të fizikës. Nëse këta ekspertë, nisur prej ligjesh fizike me vlefshmëri absolute, sikurse është ai i gravitetit apo lëkundja e frekuencave të rrjeteve elektrike, kanë mbërritur në përfundime të caktuara, atëherë nuk besoj se në këtë drejtim do të ketë devijime të mëdha. Në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për çështje shijesh.
Në një kohë që nga forcat politike ka qëndrime të ndryshme për rolin e Prokurorisë së Republikës në procesin e hetimit të kësaj ngjarjeje, çfarë mendoni ju, znj. ambasadore, për atë se ç’pritet lidhur me hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje?
Organi kompetent për hetimet është Prokuroria e Përgjithshme, dhe mbështetur në parimet e shtetit ligjor, hetimi duhet të jetë i pandikuar politikisht.
Sa i rëndësishëm është në procesin e integrimit europian të Shqipërisë profesionalizmi dhe pavarësia e sistemit të Drejtësisë?
Ndërtimi i shtetit ligjor është kriteri më i rëndësishëm në kuadrin e procesit të integrimit europian. Në këtë kuptim, strategjia e integrimit për të gjitha shtetet kandidate për anëtarësim u përshtat në atë mënyrë që puna të niste pikërisht me këta kapituj. Por, përtej rëndësisë që ka për procesin e integrimit, shteti ligjor i shërben bashkëjetesës harmonike të një shoqërie, bashkëpunimit efektiv dhe zhvillimit ekonomik.

ARBEN MUKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura