“Çmendet” Plaku, godet me kokë Frashërin

Apr 30, 2012 | 13:22
SHPËRNDAJE

Ishte minuta e fundit shtesë, nga pesë që akordoi gjyqtari i katërt, Lorenc Jemini. Topi ndodhet në duart e portierit të Bylisit, Stivi Frashëri, i cili mundohet të përfitojë sa më shumë sekonda, me qëllim që të mos i japë mundësi skuadrës korçare që të bëjë edhe një sulm të fundit. Në këtë moment, është sulmuesi Sebino Plaku që i kërkon llogari, duke i thënë që ta gjuajë topin. Portieri i kthehet jo me aq xhentilesë, duke e ofenduar dhe aty nis edhe përplasja. Plaku fillimisht i afrohet, ndërsa Frashëri i vë duart në kokë duke e shtyrë. Po sulmuesi i afrohet sërish, duke e qëlluar me kokë në fytyrë. Arbitri me të drejtë i nxjerr që të dy lojtarët me karton të kuq. Por, për sulmuesin kartoni është fatal, pasi ai nuk do mund të luajë në dy ndeshjet e fundit të sezonit. “E pash që Frashëri po mundohej ta vononte lojën, pas një faulli që kishin fituar dhe nuk po përmbahesha dot, sepse në atë çast po mendoja se e humbëm titullin. Unë nuk e dija që në Durrës, Teuta me Kamzën ishin ndalur në barazim, ndaj pas një debati që bëra në atë çast me Frashërin, i humba nervat, sepse mendova humbjen e vendit të parë dhe e gjuajta me kokë”, – sqaroi Plaku.

“Barazuam me Bylisin, s’jemi kampionë”
Trajneri i Skënderbeut ka qenë mjaft i kënaqur me rezultatin e ndeshjes së djeshme. Edhe pse Skënderbeu i tij nuk arriti të fitonte, Levi e ka parë si një fitore, kjo nisur nga fusha e keqe pore dhe kundërshtari. “Ne erdhëm këtu që ta fitonim ndeshjen. Për ne kjo ishte një sfidë e vështirë pasi, duke parë fushën që kemi pas shpine këtu, nuk mund të luhet dhe kënaqemi duke bërë futboll. Edhe skuadrat e tjera e kanë pasur shumë të vështirë që të merrnin pikë në këtë fushë. Sakaq, u luajt drejt dhe kjo më pëlqeu. Na mbeten dhe dy ndeshje, luajmë kundër dy skuadrave që kërkojnë ‘play-out’-in dhe duhet të bëjmë kujdes, sepse kampionati është i ndërlikuar”, tha çeku.

“Dështuam, nuk mund t’ia falim vetes”
Hasan Lika në fund të takimit është shprehur më shumë se i mërzitur, pasi ky ishte një shans i artë për të mos u humbur. “Pavarësisht rezultatit të Skënderbeut në Ballsh, ne duhej të dilnim të fituar nga fusha e jonë. Ekipi luajti mirë, krijoi volum loje, iu paraqitën mjaft raste shënimi, por mbetëm të pafatë për të shijuar golin, aq shumë të dëshiruar. Tri mungesat që kishim na dëmtuan. Pesha e përgjegjësisë, dëshira për të shënuar sa më shpejt, mbrojtja hermetike e Kamzës, gjendja befasuese e portierit Bytyçi, krijuan një barrierë të pakapërcyeshme, duke mos arritur fitoren. Veç kësaj, më mbetet të përgëzoj ballshiotët, të cilët nuk u tunduan nga interesat e Skënderbeut”, tha Lika.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura