Raporti, OBSH: Bie numri i të prekurve me HIV

Nov 30, 2011 | 18:51
SHPËRNDAJE

Rreth 34 milionë vetë jetojnë me virusin HIV në të gjithë botën.

Kjo është një e dhënë e publikuar sot nga një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku theksohet se bota ka realizuar arritje të jashtëzakonshme gjatë vitit të fundit në luftën kundër virusit HIV, por nevojiten përpjekje më të mëdha për të ndaluar këtë epidemi globale.

Raporti, i përgatitur nën drejtimin e OBSH-së, arrin në përfundimin se numri i infeksioneve të reja ka rënë 15 për qind gjatë dekadës së fundit. Po sipas raportit, ka pasur një rënie prej 22 për qind të vdekjeve nga SIDA gjatë 5 viteve të fundit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun thotë se bota është tani në gjendje ta ndalë këtë epidemi, por ai u bëri thirrje donatorëve ndërkombëtarë të përmbushin nevojën për 24 miliardë dollarë në vit për të financuar plotësisht nismat globale.

Një raport i vitit 2005 i OKB-së, dëshmonte se jetojnë me virusin HIV rreth 40 milionë vetë në të gjithë botën, një shifër e cila në atë kohë sa vinte e shtohej.

Nesër, në të gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e SIDA-s që daton që prej vitit 1988.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura