Mbrojtja e titullit nis nga Shkodra, Egnatia e Tetovës duhet të luajë pa Aleksin
Egnatia nis nesër fazën e tretë të kampionatit me një transfertë delikate ndaj Vllaznisë në Shkodër, një kundërshtar që këtë sezon i ka hapur jo pak probleme rrogozhinasve.
Një humbje dhe një barazim në dy përballjet e mëparshme janë rezultate që në kampin e Egnatias nuk janë harruar ende dhe shërbejnë si kujtesë se kjo sfidë kërkon maksimumin. Megjithatë, situata tashmë duket disi ndryshe. Egnatia vjen në këtë takim me një tjetër gjendje psikologjike dhe sportive, duke dhënë sinjale të qarta se po sillet si kampione në fuqi. Skuadra e Edlir Tetovës e mbylli vitin me një “poker” fitoresh radhazi në kampionat, një seri pozitive që jo vetëm i riktheu besimin ekipit, por i mundësoi edhe rimarrjen e vendit të parë në renditje.
Për këtë arsye, mbrojtja e titullit për Egnatian nis realisht nga Shkodra. Një rezultat pozitiv ndaj Vllaznisë, një rivali direkt dhe tradicionalisht të vështirë në fushën e vet, do të ishte një sinjal i fortë për të gjithë kampionatin se rrogozhinasit janë aty ku duhet, si në lojë ashtu edhe në mentalitet. Kalimi me sukses i këtij testi do të forconte bindjen se Egnatia jo vetëm po mbron titullin, por po e bën këtë me autoritet.
MUNGESAT – Megjithatë, jo gjithçka shkon “vaj” përpara këtij dueli. Trajneri Edlir Tetova do të duhet të bëjë llogaritë pa tre futbollistë të rëndësishëm, të gjithë të ndëshkuar për shkak kartonësh. Mungesa më e ndjeshme është ajo e kapitenit Albano Aleksi, i cili ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe është i detyruar të pushojë për një javë. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe mesfushori Altin Kryeziu, gjithashtu i pezulluar për kartonë, ndërsa lista e mungesave plotësohet nga mbrojtësi Zamig Alijev, i cili nuk do të jetë i gatshëm për këtë transfertë. Tre mungesa që e komplikojnë jo pak ndërtimin e formacionit, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e sfidës. Pjesa tjetër duket e gatshme, pasi për momentin nuk raportohet për lojtarë të dëmtuar.
QENDRA E MESFUSHËS – Me mungesat e Aleksit dhe Kryeziut, qendra e mesfushës mbetet pjesërisht e zbuluar, veçanërisht në aspektin mbrojtës. Bëhet fjalë për dy futbollistë që janë praktikisht të vetmit “filtra” tipikë para mbrojtjes, lojtarë që garantojnë balancën dhe ekuilibrin e skuadrës. Sidomos mungesa e kapitenit Aleksi është e vështirë për t’u kompensuar, për shkak të eksperiencës dhe rolit që ai ka në organizimin e lojës. Në këto kushte, Tetova pritet të detyrohet të bëjë eksperimente, duke gjetur zgjidhje alternative për të mbështetur Fernandon, i cili ka për detyrë ndërtimin e aksioneve dhe menaxhimin e ritmit të lojës. Një nga opsionet mund të jetë sakrifikimi i Flamur Ruçit, duke e tërhequr më mbrapa, falë grintës dhe gatishmërisë që ai ka për të bërë edhe punë mbrojtëse. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë deri në momentin e fundit. Nga ana tjetër, fakti që Tetova ka aplikuar rotacion pothuajse gjatë gjithë sezonit, e bën këtë situatë disi më të menaxhueshme. Shumica e lojtarëve kanë minuta në këmbët e tyre dhe janë mësuar të përshtaten me role të ndryshme, çka i jep trajnerit më shumë hapësirë për manovrim. Sfida e Shkodrës mbetet një provë serioze, por edhe një mundësi për të treguar se Egnatia ka thellësi dhe karakter për të përballuar momentet e vështira.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













