Martini do përqendrim dhe jo eufori nga Vllaznia, java e dytë e vë përballë një tjetër testi të vështirë
Fitorja kundër Egnatias në debutim me rezultatin 2-0 për Vllazninë ka qenë një nisje shumë pozitive për kuqeblutë në edicionin 2025-26. Entuziazmi dhe optimizmi që shoqëroi shkodranët para nisjes së duelit, i pasqyruar edhe në deklaratat për shtyp, u shfaq edhe në lojën në fushën e blertë të “Loro Boriçit”.

Në sinkron me tifozët, 9 herë kampionët e vendit zhvilluan një performancë dominuese ndaj kampionëve në fuqi të Superiores. Por ky gëzim dhe entuziazëm është “harruar” tashmë në kampin shkodran, pasi menjëherë është ulur doza e euforisë dhe kjo ishte thjesht ndeshja hapëse e kampionatit. Duke konsideruar rrugën e gjatë që duhet të ndjekë skuadra e Martinit për të arritur objektivin final, është kërkuar menjëherë fokus te ndeshja tjetër dhe objektivi i radhës për rezultat pozitiv.
Këtë javë, Vllaznia do ketë sërish një ndeshje shumë të fortë ndaj një kundërshtari direkt siç është Dinamo, ndaj të cilit kërkohet të tregojë të njëjtin nivel si ndaj rrogozhinasve dhe të krijojë vazhdimësi në këtë fillim sezoni, duke treguar ambiciet për sezonin 2025-26.
PANORAMASPORT.AL













