Marku sfidon bardheblutë, Josa aktivizon më të mirët. Ja formacioni i mundshëm
Sfida e fazës së tretë të kampionatit me Tiranën, e cila luhet sot në Ballsh, në orën 13:30 ka marrë vëmendje të veçantë nga mallakastriotët.

Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij ende nuk e kanë vendosur se kë lojtarë do të hedhin në fushë, pasi ka pasur shumë lëvizje gjatë kësaj jave, si para sfidës me kurbinasit, çka u pa edhe në testet e kontrollit edhe në këto seanca prag-Tirana, nisur edhe nga luhatjet që skuadra shfaqi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Bylisi ka më shumë se dhjetë ditë që ka nisur përgatitjet dhe skuadra duket gati. Afrimet e fundit janë adaptuar më së miri me grupin në seancat stërvitore.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur në prag të ndeshjes së parë zyrtare të kampionatit për Vitin 2026, kapiteni Aurel Marku, një nga lojtarët stabël, por edhe që po bën mjaft mirë këtë sezon me Bylisin.
“Luajmë një tjetër ndeshje në fushën tonë dhe që ka rëndësi të madhe për ne, ndaj edhe na duhet fitorja. Ndeshjet janë delikate dhe kjo është faza që ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të jemi të konsoliduar javë pas jave, sepse siç u pa edhe rivalët janë shtrënguar në ndeshjet e fundit, apo dhe të përforcuar në merkato. Dua të theksoj se në shtëpinë tonë, ne duhet që të marrim pikët maksimale dhe fitore me çdo ekip , duke nisur që nga dueli me Tiranën edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Kualifikimi në Kupën e Shqipërisë shërbeu edhe si një motivim për këtë duel deçiziv, ndaj ne duhet që të marim një tjetër fitore dhe të gëzojmë tifozët tanë. Ta fillojmë mbarë, duke mposhtur Tiranën dhe të vazhdojmë rrugën të qetë më pas drejt realizimit të synimeve që ne kemi në kampionat. Mundësitë dhe cilësitë i kemi, të mos harrojmë që i kemi mundur ë kryeqytet, por kemi edhe lojtarë më të mirë se të bardhebluve. Ta nisim me përqendrim ktë duel dhe të vlerësojmë çdo aksion për të shkuar tek suksesi. Kam besim se në këtë pjesë të dytë të garës do të jemi një skuadër edhe më e fortë dhe me synime më të mëdha”, tha në mbyllje të prononcimit mbrojtësi i mallakastriotëve, lezhjani Aurel Marku.
FORMACIONI – Ballshiotët kryen një “test kontrolli” në Kupën e Shqipërisë ndaj Laçit në fundjavë dhe u kualifikuan, ndërsa Mirel Josa do të vendosë edhe për lojtarët të cilët do të hedhë në fushë ndaj kryeqytetasve sot. Gurau titullar në portë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës duket njësoj si më parë, në ndeshjet e fundit të 2025. Me Kamara në dyshim që la sfidën duke çaluar ndaj Laçit, ndërsa, Marku, Bruno e Peralta në mbrojtje. Në mesfushë mund të ketë ndonjë lëvizje, ndërsa sulmi me Mustafanë në “majë” duket i pazëvendësueshëm, pasi është lojtari më në formë te skuadra mallakastriote këtë sezon.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













