Fundi i “bombës” për Interin dhe Rokin, prokuroria mbyll hetimet
Ka marrë fund një nga hetimet më të bujshme që ka tronditur futbollin italian gjatë muajve të fundit. Prokuroria e Milanos ka vendosur të arkivojë çështjen ndaj ish-drejtuesit të arbitrave Xhanluka Roki, zëvendësit të tij Andrea Gervasoni dhe Interit, duke përfunduar se nuk ekzistonte asnjë sistem i organizuar për të ndikuar në caktimin e arbitrave apo në zhvillimin e ndeshjeve.

Pas muajsh përgjimesh, marrjesh në pyetje në fshehtësi, dëshmish dhe madje edhe ndjekjesh të personave nën hetim, autoritetet nuk kanë gjetur prova që të mbështesin akuzat për mashtrim sportiv. Prokuroria:
Nuk kishte skemë për të manipuluar arbitrat Në njoftimin zyrtar të fi rmosur nga Prokuroria e Milanos thuhet se janë analizuar të gjitha episodet e dyshuara të ndërhyrjeve në emërimet e arbitrave, por nuk është konstatuar ekzistenca e një sistemi të strukturuar që synonte të ndikonte në caktimin e tyre. Sipas prokurorit Marçelo Viola, duhet bërë dallimi mes mashtrimit sportiv, që sipas ligjit kërkon veprime konkrete dhe të qëllimshme për të ndikuar në rregullsinë e një ndeshjeje, dhe episodeve të ndërhyrjes që, edhe nëse kanë ekzistuar, nuk përbëjnë vepër penale.
Në të njëjtën ditë, Interi u regjistrua zyrtarisht në regjistrin e personave nën hetim dhe menjëherë më pas çështja ndaj klubit u arkivua, pasi nuk u gjetën elementë penalë. Hetimi mbyllet pas muajsh përgjimesh dhe verifi kimesh Komunikata mban fi rmën edhe të prokurorit Maurizio Ascione, i cili drejtoi hetimin dhe që nga sot do të nisë detyrën e re në Prokurorinë Evropiane.
Gjatë muajit të fundit ai u mbështet edhe nga zëvendësprokurori Paolo Ielo, ndërsa vendimi për arkivimin erdhi pas diskutimeve të gjata brenda organit të akuzës. Ulivieri: Roki veproi me dinjitet Presidenti i Shoqatës Italiane të Trajnerëve (AIAC), Renco Ulivieri, vlerësoi vendimin e Xhanluka Rokit për t’u vetëpezulluar menjëherë pasi mori njoftimin për hetim.
“Si në çdo hetim duhet pritur vendimi i drejtësisë. Besoj se Roki bëri zgjedhjen e duhur duke u tërhequr. Nëse të gjithë do të vepronin si ai, shumë institucione do të funksiononin më mirë. Ai ndoqi një parim moral”, deklaroi Ulivieri pas mbledhjes së Këshillit Federal të FIGC. Roki kishte vendosur të largohej përkohësisht nga posti i drejtuesit të arbitrave të Serie A dhe Serie B, edhe pse kishte deklaruar vazhdimisht se kishte vepruar gjithmonë në mënyrë korrekte. Hetimi penal mbyllet, por ai sportiv vazhdon Megjithëse dosja penale është arkivuar, çështja nuk përfundon plotësisht. Materialet e mbledhura gjatë hetimit do të ndahen mes prokurorive kompetente për të shqyrtuar episode të veçanta. Një prej tyre është rasti i shumëdiskutuar i trokitjeve në xhamin e sallës VAR në Lisone, dosje që do t’i kalojë Prokurorisë së Monzës për kompetencë territoriale.
Atje do të analizohen veprimet e arbitrit të VAR-it Luigi Nasca dhe ndihmësit Di Vuolo, të dyshuar për mashtrim sportiv. Ndërkohë në Milano do të mbetet çështja e Daniele Paternës, asistent VAR në ndeshjen Udineze–Parma, i fi lmuar duke pyetur nëse episodi i diskutueshëm ishte penallti. Ai do të hetohet për deklarime të rreme të dhëna gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria.
Paralelisht, e gjithë dokumentacioni do t’i dërgohet edhe Prokurorit Federal të FIGC-së, Xhuzepe Çine, i cili do të vlerësojë nëse ka pasur shkelje të rregulloreve sportive. Në aspektin penal, megjithatë, historia konsiderohet tashmë e mbyllur: Prokuroria e Milanos nuk ka gjetur prova për një sistem të organizuar manipulimi të arbitrave apo favorizimi të Interit.
PANORAMASPORT.AL













