Kampion me Milanin, mesfushori “qan” eliminimin nga Dinamo e Ilir Dajës: Menduam se do të kualifikoheshim
Ish-mesfushori i Milanit, Aleksandër Merkel, komentoi humbjen në shtëpi të ekipit të tij aktual Astana ndaj Dinamos dhe eliminimin nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Konferencës.
“Mendoj se e nisëm mirë, po kryesonim 1 me 0, mund të kishim vazhduar lehtësisht lojën, por për fat të keq morëm një karton të kuq dhe ishte e vështirë që nga ai moment.
U përpoqëm të jepnim më të mirën deri në fund, luftuam, kështu që jemi vërtet të zhgënjyer, menduam se do të kualifikoheshim. Nëse e shikoni, luajtëm shumë mirë me dhjetë lojtarë deri në fund, por ky është futbolli.
Ne dhamë gjithçka nga vetja. Një falënderim i madh për tifozët që erdhën dhe na mbështetën. Ne u përpoqëm më të mirën tonë”, deklaroi mesfushori i cili në sezonin 2010-2011, fitoi titullin kampion me Milanin në Serinë A.
34-vjeçari u bashkua me Astanën në 16 qershor nga skuadra e Zhenis, teksa në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Xhenoas, Udinezes, Uatfordit, etj.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL














