EKSKLUZIVE/ Agostineli, kontratë me Flamurtarin: Me letra jam trajner i skuadrës vlonjate, por kjo…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2025 | 8:33

EKSKLUZIVE/ Agostineli, kontratë me Flamurtarin: Me letra jam trajner i skuadrës vlonjate, por kjo…

Andrea Agostineli është padyshim arkitekti i rikthimit të Flamurtarit pas pesë vitesh në Superiore, pavarësisht se si shkuan gjërat në fund me klubin që e shkarkoi.

agostineli

Italiani është i lidhur ngushtësisht me Vlorën dhe interesohet për ecurinë e kuqezinjve. Në intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Agostineli thotë se humbja në Elbasan erdhi për shkak të një gabimi individual. Ai thotë se nuk duhet të bëhet dramë, pasi kështu i ndodhi edhe atij kur debutoi në Vlorë. Por, është i mendimit se duhet reagim dhe fitore në Ballsh. Andrea Agostineli thotë se është ende në kontratë me Flamurtarin, pasi nëse do të ngjiteshin në Superiore kontrata do të rinovohej automatikisht.

Flamurtari e nisi me humbje kampionatin në Elbasan…

Vitin e kaluar humbëm ndeshjen e parë, pastaj bëmë atë që bëmë dhe që ju e dini mjaft mirë. I fituam të gjitha ndeshjet dhe nuk u ndalëm më. Humbja e një ndeshjeje mund të ndodhë dhe kjo nuk ka asgjë të keqe. E rëndësishme është reagimi.

Në fakt erdhi për shkak të një autogoli të ish lojtarit të Realit, Hoze Rodriguez Martinez…Keni një koment?

Ata humbën për shkak të një gabimi individual. Por, duhet të gjykojmë se sa e rrezikshme dhe e ekuilibruar ishte skuadra.

Nëse do të ishit ju trajner çfarë do të bënit, do ta mbanit grupin e vitit të kaluar?

Unë nuk jam trajneri dhe nuk dua të hyj në këtë temë.

Ndeshja e radhës me Bylisin, çfarë duhet të presim?

Duhet të presim reagimin nga skuadra. Fitorja nuk duhet që të vendoset në diskutim.

A i kanë mundësitë për të reaguar?

Patjetër që po. Flamurtari është shumë i rëndësishëm dhe historik në Shqipëri.

Keni një këshillë për skuadrën?

Ata duhet të zhvillojnë një kampionat të fortë. Unë dua që t’ju kujtoj juve një gjë…

Çfarë doni të na kujtoni?

Që unë jam ende nën kontratë me Flamurtarin.

Ju jeni ish-trajneri i Flamurtarit, është dikush tjetër në pankinë. Si qenkeni nën kontratë?

Sepse, nëse Flamurtari do të luante në Superiore, kontrata ime e vitit të dytë do të kishte hyrë automatikisht në fuqi.

Në këto kushte, ju kanë detyrime dhe a do të ndiqni ju rrugën ligjore për prishje të kontratës?

Jo, jo nuk po them këtë. Presidenti ka qenë gjithmonë perfekt në këtë drejtim, sipas të gjithëve.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL