“Zogjtë” dhe “Ekuinoks”, dy poezi emocionuese në çdo fjalë! Endja nëpër yjësi e artistit Timo Flloko

Dec 5, 2023 | 11:33
SHPËRNDAJE

Poezinë e tij “Ekuinoks”, Timo Flloko ia dedikon dashurisë së tij të jetës, bashkëshortes Vera Grabocka. “Ekuinoksin” e bashkëshoqërojnë “Zogjtë”, një tjetër poezi emocionuese e artistit. Dy poezi të ndjera për endjen në yjësi deri te ylli “V”, që i përket vetëm atij…

Timo Flloko1

“Endem në univers nëpër yjësi, përtej fantazisë në mend të kam ty”, është një nga vargjet e ndjera që aktori ka shkruar për të shtrenjtën e tij.

“Poetët më tepër se astrologët thonë se çdo njeriu në këtë botë i takon një yll në qiell, ku ka miliarda e miliarda yje, që këputen simbolikisht e bien… Poezinë ‘Ekuinoks’ e shkrova kur nga qielli u këput dhe ra ylli im… i kushtohet Verës”, – shprehet aktori Timo Flloko.

Pak ditë më parë në amfiteatrin historik të Butrintit, aktori i madh Timo Flloko interpretoi poezitë e tij. Atij iu bashkuan edhe figura të tjera të shquara të artit, si sopranoja e përmasave botërore Nino Matchaize dhe zëri i pakrahasueshëm i tenorit Saimir Pirgu. Po ashtu Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Nik Xhelilaj dhe Kristian Koroveshi.

Nën kujdesin e paarritshëm të regjisores Vera Grabocka, çdo zë është i kuruar në të gjitha detajet. Shoqëruar me tinguj violine, kjo poezi është emocionuese në çdo fjalë.

EKUINOKS V-SË

Endem në univers, nëpër yjësi… përtej fantazisë.

Në mend të kam ty.

Zbres në Hënë,

te Det’ i Qetësisë,

atje një shenjë lë,

për hir të dashurisë,

inicialin tënd “V”,

që koha kurrë s’e fshin.

(E di ti të fshehtën: Erë në Hënë s’fryn.)

 

E pazakontë duket, sublime…

Në Hënë, si në ëndërr,

ngadalësohet ritmi i fluturimit.

 

Ëndrra, si një balonë ajri,

më merr në largësi…

Endem qiellit pa kufi,

gjashtë herë më i lehtë se trupi im,

i çliruar nga rëndesa e vetes,

nga çdo paradigmë.

Dashuria përherë enigmë,

gravitacion biblik.

E di nga Ajnshtajni përmasën,

E=mc2, ekuacioni kozmik.

V-ja afron dy skaje në një pikë

dhe i çon ato në infinit.

 

Viteve shkretëtirë,

Kohës pas.

Dashuria jonë,

Ishte si një oazë…

Të kujtohet,

Ekuinoks 21 mars?

 

Nesër,

sa të lindë dielli,

Me rrezet e tij,

Si meteor në s’u djegsha

A mbetsha qiellit varur,

do të vij.

 

Prej largësisë ekuivalente mes nesh,

Në ditën baraz me natën,

Nga koha kur ishim aq larg

Dhe po aq pafundësisht afër…

 

Largësisë dashuria s’humb,

Dashuria nuk njeh fund.

Për dashurinë, në këtë botë,

Sa pak është, një jetë.. im Zot!

 

Të them tani:

Në jetë kur të mos jemi..

Shkronja V, Simboli i dashurisë,

Në hënë, ku erë s’fryn,

Do mbesë përjetë aty,

Kurrë s’ka për ta fshirë,

Stuhi në gjithësi.

 

Te oazi i dashurisë më prit,

Si përhera…

Sa herë të vijë pranvera,

Dhe të fryjë era…

ZOGJTË

Atje tani është në prag pranvera,

po kthehen zogjtë shtegtarë…

Të munduar nga fati,

që kurrë s’na ndriti,

me pengun e ikjes lëmsh në fyt,

të lamë Shqipëri,

morëm arratinë,

mes erës që kuiste, detit me stuhi.

Për një tjetër jetë!

Sa herë na i përpinë ëndrrat,

poshtë, vorbullat në thellësi…!

 

Kohë kaloi, vite në largësi…

 

S’më mahnit më shkëlqimi,

larg vendit tim,

Paris, Londër, New York, Los Anxheles,

Romë, Berlin…

Të rrejnë me iluzione,

Të vrasin me vetmi,

këta qytete të ftohtë,

me qiej të zymtë!

Zgjohem, shpesh dhe kur s’gjej qetësi,

endem qytetit pa natë, udhëve pa mbarim,

me peshën e mallit sa një oqean për ty.

Sa më mungon, atdheu im..

*

Vij nga larg, ku jetoj me vite,

por me zemër s’kam ikur,

jam gjithmonë pranë tek ti,

Kthehem të takoj vitet e mia,

Që lashë pas kur isha fëmijë…

Të jetë një ëndërr kjo çfarë po ndodh

sonte,

Një mrekulli kjo natë,

Të jem këtu pranë jush,

Të them për ju disa vargje nga im atë?

Ja ç’sjell në mend, tani…

*

Si erdhi’ kjo ndarje kaq e largët, Shqipëri?!

Atje nga unë vij perëndon dielli, kur lind

këtu te Ti…

Këtu pranë teje, mbi Adriatik e Jon,

të magjishme janë netët, praruar nga yjtë..

 

Por,

Pse parandjej zhgënjim në shpirt, mos të

është ftohur valle dashuria në gji,

rrënuar ura mes nesh,

përjetë jemi ndarë, Shqipëri?!

Lus Zotin, jo, se ky mall,

Më bën të më rrahë zemra pa pushim,

dashuria më e pamatë u bëka,

kur kapërcen largësi pa kufij!

Druhem, Zot, qiejve mos mbes,

para se të mbërrij tek ty…!

*

Ka zogj fatlumë që shkojnë e vijnë,

ka zogj që nisen, por kurrë s’mbërrijnë,

nga udhë e gjatë, padurimi,

në fluturim ngrijnë.

Dhe tek i sheh atje lart,

në kthimin prej se largu,

s’di janë të gjallë, a malli i ka ngrirë, në

ardhje krahëhapur!

Ata vijnë si zogjtë stinorë,

S’i përfillin largësitë.

Presin verën të afrojë,

Me një mall të madh në shpirt..

Të jetë ëndërr kjo pamje sonte,

Mbi këtë arenë ku muza lind,

Kur yjet lart nga qielli i natës,

Shkëlqejnë e bien mbi Butrint?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura