Zjarri në Urgjencën e QSUT-së, ministrja e Shëndetësisë nxjerr pamjet nga dëmet: Ka nisur puna për riparimin e rrjetit elektrik

Apr 23, 2024 | 9:19
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu thotë se ka nisur puna për riparimin e defektit elektrik në Urgjencën e QSUT, e cila dy muaj më parë u përfshi nga flakët.

ugjenca defetk riparim demi

Me anë të një njoftimi në Facebook, ministrja thotë se shërbimet aktualisht janë duke u marrë në  Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Sipas saj, shërbimet e QSUT-së nuk kanë munguar, por ofrohen për të gjitha urgjencat e sëmundjeve të brendshme, gastrohepatologji, nefrologji, hematologji, endokrinologji, dermatologji, alergologji, reumatologji si dhe të gjitha urgjencat neurologjike.

“Prej disa ditësh në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nisur puna për riparimin e dëmit në rrjetin elektrik, të shkaktuar nga incidenti i ndodhur në muajin shkurt.

Ne luftë me kohën për të rikthyer sa me parë në këtë strukture spitalore dhe shërbimin për urgjencat kardiovaskulare, shërbim që aktualisht po ofrohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Shërbimi i Urgjencës në QSUT, vijon çdo ditë të ofrojë shërbim për të gjitha urgjencat e sëmundjeve të brendshme, gastrohepatologji, nefrologji, hematologji, endokrinologji, dermatologji, alergologji, reumatologji si dhe të gjitha urgjencat neurologjike”, shkruan ministrja ne Facebook.

Hetimet

Kujtojmë që më 2 mars, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” për zjarrin në Urgjencën e Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’.

Procedimi është regjistruar pa persona në hetim. Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura