Zbulohen prapaskenat/ Si u votua mes tensioneve vendimi për zgjedhjen e kreut të PD! Gjekmarkaj në “Panorama TV”: Ky është portreti i vërtetë i Lulzim Bashës, jo ai që qesh

Jun 8, 2023 | 8:45
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Gjatë mbledhjes së kryesisë, përkrahës të Lulzim Bashës konfrontuan anëtarë të Kryesisë së PD, duke kërkuar që çështja e lidershipit të mos vonohet.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas incidenteve të regjistruara mes mbështetësve të Lulzim Bashës dhe deputetëve demokratë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë. Bardhi shprehet se të tilla akte hedhin në erë tentativat për bashkim dhe dërrmojnë besimin e qytetarëve te kjo forcë politike.

Ai dënon incidentet e ndodhura, ndërsa shton se duhet distancim publik nga aktet e dhunës, prej të cilave shprehet se nuk ndërtohet asgjë afatgjatë.

“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve te PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, shprehet ai.

Bardhi tregoi dje detaje rreth vendimmarrjes për mbajtjen e zgjedhjeve brenda PD-së në 29 korrik, për të cilën votuan 17 nga 29 anëtarë të Kryesisë, në mbledhjen që zgjati për 9 orë. Ai tregoi si u hodh në votim propozimi për zgjedhjen e kryetarit në 29 korrik, mes përplasjeve mes anëtarëve. “Tensioni u krijua nga fakti që nuk pranohej të diskutohej asnjë propozim tjetër veç atij që u votua. Ndërkohë që Jemin Gjana, Roland Bejko dhe Jonila Godole po propozonin versione që bashkonin të dyja qëndrimet. Ne kërkuam që po, duhet të kemi një version të unifikuar, që bën të mundur të dalim me vendim unanim dhe të gjejmë një version që bashkon dy qëndrimet. Bërnjë propozim Land Bejko konkret për unifikim dhe sapo filluam të diskutojmë, nuk lejohej të flisnim nga të bërtiturat ‘votojmë, votojmë, votojmë, vetëm versionin e datës 15 korrik’”, tha Bardhi.

REAGIMI

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, e quajti të trishtë situatën e krijuar ditën e djeshme në mbledhjen e kryesisë së PD, e cila u shoqërua me tensione të shumta. Gjekmarkaj u shpreh në një intervistë në “Panorama TV” se portreti i vërtetë i Lulzim Bashës përfaqësohet nga ata që kërcënuan gazetarët dhe deputetët, dhe jo ai që kemi parë në gjithë këto vite duke qeshur. Ai e konsideroi Bashën simbol të humbjeve në PD.

“Më duket vërtetë një gjë shumë e trishtë. Më ngjan sikur Kuvendi i Kosovës në vitin 1990 që votonte për heqjen e autonomisë dhe jashtë ishte e rrethuar me trupat serbe. Si ka mundësi pas 32 vitesh demokraci, politika të degjenerojë në të tilla skena. E them në një habi të plotë sepse nuk e mendoja kurrë se mund të shkohej deri aty që të fyheshin deputetët dhe gazetarët nga mbështetësit e atij që pretendon të sjellë politikën e re. Është modeli i diçkaje që duhet ta lëmë pas. Ky është portreti i vërtetë i Lulzim Bashës të cilin ne e kemi mbështetur. Është koha t’i kërkojmë falje shqiptarëve për çdo fjalë të mirë që kemi thënë për të. Unë ende e kam të vështirë të besoj që kemi arritur në këtë pikë. Dhamë një shfaqje të turpshme. Kjo qenka fytyra e vërtetë e zotit Basha, jo ajo që qesh. Por rrethohet nga halabakë. Dhe tani i përdor si kamxhikë ndaj deputetëve dhe njerëzve që mendojnë ndryshe. Vendimi i asaj kryesie është nul. Nuk vlen asgjë. Vendimet e saj nuk kanë ndonjë vlerë shumë të madhe. Unë jam i distancuar nga dy grupet e Partisë Demokratike. Por ky grup i vulës mund të bënte një shërbim që të pengonte”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai theksi se Berisha dhe Basha nuk mund ta bashkojnë PD-në, pavarësisht se ish-Kryeministri është i fuqishëm edhe mund të konsiderohet një makinë elektorale që mbledh shumë vota pas vetes, por jo mjaftueshëm sa për të sjellë PD në pushtet.

“PD ka nevojë për një reflektim dhe zëra të arsyeshëm me vullnetin që të krijohen kushte për ta çuar partinë drejt një kongresin pajtimi. Unë e kam këtë bindje që qoftë Berisha apo Basha nuk janë më ata që e bashkojnë PD. Pavarësisht se Berisha është i fuqishëm edhe është një makinë elektorale. Ka shumë vota nga pas por jo mjaftueshëm për të çuar PD drejt fitores. Në qoftë se këta dy emra nuk mbesin te e kaluara do jetë vetë PD që do të jetë një kujtim i së kaluarës. Do kemi një grup mesatar të drejtuar nga Sali Berisha dhe një grup shumë të vogël, të marrë me forcë nga zoti Basha. Nuk mund të ketë demokraci nëse nuk ka një opozitë të vërtetë vendi. Basha nuk ka asnjë moral dhe asnjë etikë për t’u kthyer. Është simbol i humbjeve të Partisë Demokratike. Ai pati një PD të madhe dhe të bashkuar. Tani falë edhe kontributit të tij kemi një PD të përçarë. Shpresoj t’i ketë mbetur një fije arsyeje që të kthehet dhe të mos i çojë drejt konflikteve të panevojshme deputetët. Të shkojë mënjanë, atje ku i takon të jetë”, deklaroi Gjekmarkaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura