“Xhelatët e artit shqiptar, nuk ishin prindërit tanë, por njerëz…”- Refleksionet e artistes: Në mënyrë të pazakontë, shfaqjen donte ta shikonte edhe Enver Hoxha

Aug 31, 2023 | 8:11
SHPËRNDAJE

Njolla-te-murrmeNga Zana Bihiku

“Njolla e zezë” – Artikulli i Ibrahim Uruçit, që çoi në burg Minush Jeron dhe Mihal Luarasin-

Dhe historia përsëritet! Në kohën e Enverit, nuk mund të thoshe atë që mendoje për Mbretin Zog, e Mbretërinë Shqiptare, për Parlamentin e para çlirimit, etj. (E ndaluar! E ndaluar! – duhen faqe të tera për këtë argument!). Babai im, kur kthehej nga jashtë shteti, tregonte me zë të shuar, për “jetën kapitaliste”, ndërsa mikut të tij, Profesor Muin Çamit, i sekuestronin televizorin në doganë…! Në kohën e Demokracisë, mohohet arti i periudhës se ‘Realizmit Socialist’, një periudhe artistike kjo, e renditur së bashku me atë të impresionizmit, etj., ndër periudhat e historisë së Artit Botëror. Dhe askush nuk merr guximin, të renditë me objektivitet, vlerat dhe jo-vlerat!!

Artistët e mbetur jashtë burgjeve e që mundën të bënin art, me gjithë censurën, etiketohen si komunistë e të pavlerë! Televizionet shqiptare, të varura e të pavarura, nuk e lenë ketë popull të qetë, por dhe ata, si në kohën e Partisë, injektojnë ditë e për ditë, mbrëmje e për mbrëmje, politikat personale, opinionet e opinionxhinjtë, tashmë parazitë, prej 20 vjetësh po të njëjtët, ngado që ta kthesh kanalin e televizorit, komisarë blu, njëlloj si komisarët e kuq, të kohës së partisë.. të cilët ushqejnë çdo natë, e çdo ditë, inatet politike e personale, pa të cilën ata vet nuk mund të ekzistojnë…!

E ndihem përsëri keq, sa herë vij në Tiranë! Më vjen të qaj, ndërsa shoh njerëzit që më kalojnë pranë në formë siluetash! Të trishtuar përsëri! Të kërrusur e të pashpresë, përsëri! Në vitin 1991, në radhët e protestuesve kundër komunizmit, së bashku me të përndjekurit politikë e familjet e tyre, ishim edhe ne, bijtë e komunistëve. Ne që lexonim fshehurazi librat e ndaluara, ne që kur gjenim një libër arti të ndaluar, e përcillnim në të gjithë shoqërinë tonë….ndërsa ëndërronim të mos kishim frikë të shkruanim për Tonin Guraziun, për Llukë Kaçajn, për Edi Luarasin e Mihallaq Luarasin, etj. Studentët e Institutit të Arteve, ata të degës së pikturës e skulpturës, të cilët, në ato vite ishin njohur me artin modern, por kishin frikë te prodhonin publikisht art të ndaluar!

Unë jam rritur nga prindër intelektualë, të lidhur me komunizmin – përndryshe nuk mund të bënin karrierë! Por prindërit e mi, brenda mureve të shtëpisë, më tregonin historinë e vërtetë, më tregonin për artistët e talentuar e të burgosur pa arsye, për veprat e tyre. Unë për herë të parë, kam dëgjuar për dramën “Njollat e Murme”, në shtëpinë time, nga nëna ime, Ikbal Bihiku, e cila kishte qenë prezente, në shfaqjen e dhënë në Tiranë, e pastaj nga babai im, profesor Koço Bihiku, i cili, si anëtar i komisionit nga Lidhja e Shkrimtarëve, kishte vlerësuar publikisht pozitivisht këtë shfaqje.

Xhelatët e artit shqiptar, nuk ishin prindërit tanë, por njerëz si Xhelil Gjoni, tmerri i artistëve, që midis tyre e quanin XHAHIL GJONI!, i cili më kujtohet, gjatë provave të Dekadave të Majit, torturonte e shante para të gjithëve ne, këngëtaren Vaçe Zela!!! Risjell historinë me këto rreshta, e veçanërisht, artikullin e Ibrahim Uruçit dhe motivacionet e dënimit të Minush Jeros dhe Mihal Luarasit, për të rikujtuar mentalitetin që e mori në qafë këtë popull, për 50 vite rresht! Ai mentalitet i cili, nuk po na ndahet edhe sot, në prag të hyrjes në Evropë!

Minush Jero (1932-20060, autor i dramave “Stuhi në prill”, “Jashtë bie shi”, ne 1969, me dramën “Njollat e murrme”, regjia Mihallaq Luarasit, do të fitonte Flamurin e Festivalit të katërt Kombëtar të Teatrove. Gjithë Byroja Politike e dyndur në sallë tha fjalët më të mira. I lavdëroi autorët edhe Mehmet Shehu. Të nesërmen, e shtunë, 8 nëntor 1969, botohet artikulli lavdërues i Kudret Velçës. Më datë 9 nëntor, një artikull i Ibrahim Uruçit, do ta konsideronte dramën: “një flamur të zi revizionist”. (Ibrahim Uruçi, 9 Nëntor 1969).

Kjo ndodhi të dielën e nëntorit 1969, kur të hënën, në mënyrë të pazakontë, kërkon ta shohë shfaqjen edhe Enver Hoxha. “Kjo shfaqje është një vepër revizioniste dhe mishëron manifestimin e liberalizmit në Shqipëri”! – U desh kjo fjali e Hoxhës që suksesi të mbyllej brenda një dite. (Drama u izolua për t’u mos u shfaqur më, ndërsa pas rënies së diktaturës, regjisori francez Domenic Dolemie, do ta vinte në skenë në Francë). Në vitin 1970, vihet në skenë drama tjetër e Minushit, “Të pamposhturit”, e cila shfaqet në Korçë. Edhe këtë radhë bllokohet dhe me sa duket, rezonanca e “Njollave të murrme”, nuk mund të linte pa prekur dhe dramën tjetër dhe përfundimisht artistin.

Tiranë, më 9 Shkurt 1974

Republika Popullore e Shqipërisë
   Gjykata e Lartë
   “Kolegji Penal”
 

Nr. 181 i Regj. Themeltar
 Nr.172 i vendimit

                                                       Vendim
                                             “Në emër të Popullit”

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e:

Lumturie Resnja, anëtare e Gjykatës së Lartë
Sofokli Krongo, anëtar i Gjykatës së Lartë
Petrika Mushi, anëtar i Gjykatës së Lartë

Në seancën e hapët gjyqësore më datë 9/II/1974, mori në shqyrtim çështjen nr. 181 që u përket të gjykuarve:

  1. Emin (Minush) Jero, i biri Masarit dhe i Pertefes, i datëlindjes 1932, lindur në Vlorë, banues në Durrës, me origjinë shoqërore nëpunës, me gjendje shoqërore nëpunës arsimtar, i përjashtuar nga partia, me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, i padënuar më parë, i arrestuar më 30 prill 1973.
  2. Mihallaq Luarasi, i biri i Aleksit dhe i Marjanthit, i datëlindjes 1929, lindur në Korçë banues në Tiranë, me origjinë shoqërore punëtor, me gjendje shoqërore nëpunës, regjisor teatri, ish A.P., me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i padënuar më parë, i arrestuar më 11 korrik 1973.

Të akuzuar se: Vetëm dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor d.m.th. se kanë kryer krimin e parashikuar nga paragrafi I-rë, i nenit 73 të Kodit Penal.

Me vendimin Nr. 367, datë 28/XII/1973, gjykata e rrethit të Tiranës, i ka deklaruar të gjykuarve fajtorë dhe në bazë të paragrafit të parë të nenit 73 të K.P., i ka dënuar Emin Jeron me 8 vjet heqje të lirisë, Mihallaq Luarasin me 8 vjet heqje të lirisë. Kundër këtij vendimi, janë ankuar të gjykuarit, të cilët kanë parashtruar këto shkaqe, për prishjen e tij:

Emin Jero – Masa e dënimit është tepër e rëndë. Është treguar i penduar si në hetuesi e gjyq për veprat e kryera. Para arrestimit, e ka ndjerë fajin dhe ka kërkuar ndihmë të korrigjohet. Duke qenë në moshë të tillë, ka mundësi që me një dënim më të butë, të vihet në provë e të shlyejë dëmin, që i ka sjellë Partisë e pushtetit.

Mihallaq Luarasi – E ndjen veten krejtësisht fajtor dhe është treguar i penduar për këtë. Në fajësinë e tij në një shkallë të konsiderueshme, ka influencuar Todi Lubonja, është i sëmurë dhe duke qenë në moshë 45 vjet, një dënim më i butë, do të bënte efektin edukativ dhe do të krijoheshin mundësi që më punë të shlyente fajet e bëra.

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Pasi dëgjoi relacionin e anëtarit Petrika Mushi, mendimin e prokurorit Zaim Myftari, për lënien në fuqi të vendimit të gjykatës dhe pasi shqyrtoi e analizoi çështjen në tërësi,

Vëren:

Nga provat që ka administruar gjykata ka rezultuar se të gjykuarit, Emin Jero dhe Mihallaq Luarasi, kanë propaganduar kundër pushtetit popullor, me qëllim që ta minojnë ose ta dobësojnë atë. I gjykuari Emin Jero, ashtu sikundër ai ka pranuar, ka filluar aktivitetin e tij armiqësor kundër partisë e shtetit, qysh në vitin 1959, duke u vënë në opozicion me vijën e partisë, ai i ka thënë dëshmitarit Hysni Çyrbja, se kuadrot kryesore të ushtrisë, gjoja janë të paafta për të drejtuar. Dëshmitarit të sipërm, i ka folur dhe kundër pikëpamjeve të Partisë, lidhur me problemin e Kosovës, si dhe kundër Josif Stalinit. Për këtë aktivitet armiqësor; ashtu sikundër ka rezultuar, i gjykuari Emin, është përjashtuar nga Partia dhe është këshilluar që të heqë dorë nga kjo rrugë. Gjykimi i çështjes, tregoi se i gjykuari jo vetëm që nuk kishte hequr dorë, por se e kishte thelluar këtë aktivitet armiqësor dhe më tepër.

I gjykuari Emin së bashku dhe me të gjykuarin tjetër Mihallaq Luarasi, prej kohe janë vënë në opozicion me vijën e partisë dhe kanë propaganduar kundër politikës, e masave të ndryshme që ka marrë partia për revolucionarizimin e vendit. Ata kanë folur me persona të ndryshëm si dhe midis tyre kundra sistemit tonë socialist, që sipas tyre, ky sistem justifikohet vetëm për vendet e prapambetura, për kontradiktat që gjoja lind vetë ky sistem, për jetesën gjoja jo të mire, të artistëve dhe shkrimtarëve të vendit tonë, dhe duke bërë krahasime me jetën që bënin artistët e shkrimtarët në vendet borgjeze, mburrte këto të fundit. Të dy këta të gjykuar, veçmas e bashkërisht, përveç propagandës armiqësore edhe nëpërmjet veprave të tyre letraro-artistik.

Ata, sikundër kanë pranuar dhe vetë, kanë propaganduar që njerëzit duhet të drejtonin sytë nga arti borgjez modernist, veçanërisht nga ai amerikan, sepse sipas tyre, në vendin tonë kjo mungonte dhe se populli jonë, nuk e ka pasur traditë artin.

I gjykuari Mihallaq, ka rezultuar se ka folur me persona të ndryshëm, duke nënvleftësuar dramaturgët dhe regjisorët e vjetër. Ai, me qëllime armiqësore i ka folur piktorit Andrea Themeli, që të mos qëndronte, sipas tij, arkaik, por të orientohej nga piktura moderne. I gjykuari, me pretekst “t’i përshtatemi kohës”, ka orientuar persona të ndryshëm të artit që të kopjonin nga Perëndimi dhe të zbatonin metodat borgjeze në art.

Përveç sa sipër, i gjykuari Mihallaq, ashtu sikundër ka vënë vetë në dukje ai, ka zhvilluar një sërë biseda me karakter armiqësor për kundra udhëheqjes së partisë. Në këto rrethana, cilësimi i veprës në bazë të paragrafit I-rë të nenit 73 të Kodit Penal, është i drejtë. Fajësia e të gjykuarve ka rezultuar e provuar me një sërë dëshmitarë, të pyetur në hetuesi e në gjyq, si dhe me shpjegimet që kanë dhënë vetë të gjykuarit të cilët kanë pranuar plotësisht fajësinë e tyre. Pretendimet e të gjykuarve lidhur me një masë më të butë dënimi, nuk është e bazuar. Të gjykuarit ashtu sikundër ka rezultuar, kanë një kohë të gjatë që ushtrojnë aktivitet armiqësor kundër partisë e pushtetit. Ata, ndonëse të këshilluar dhe të kritikuar ashpër për qëndrimet e tyre në opozicion me vijën dhe orientimet e partisë, me konsekuencë kanë vazhduar rrugën e tyre kriminale dhe armiqësore ndaj pushtetit popullor.

Për këto arsye:

Këshilli gjyqësor i kolegjit penal të gjykatës së lartë në mbështetje të nenit 313 pika 1 të K.Pr.P.

Vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 567, datë 28/XII/ 1973 të gjykatës popullore të rrethit të Tiranës.

Kryesues: L. Resnja

Anëtar: P. Mushi, S. Krongo

Tiranë, më 28 dhjetor 1973

Republika Popullore e Shqipërisë
   Gjykata e rrethit Tiranë
    Nr.513. Rgj.themeltar
                                                                      Vendim                

                                                           Në emër të Popullit

Gjykata e Rrethit Tiranë e përbërë prej:

  1. Bozo – Kryetar
  2. Fico – Nd. gjyqtare
  3. Shano – Nd. gjyqtar

Të asistuar prej sekretarit Sadim Memo, me pjesëmarrjen e Prokurorit Vladimir Kristo, më datën 27 e 28 dhjetor 1973, mori në shqyrtim në seancën gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale Nr. 513 që iu përket të pandehurve:

Emin (Minush) Jero: i biri i Masarit dhe i Pertefës, i datëlindjes 27/06/1932, lindur në Skelë të Vlorës, banues në Durrës, Lagjja nr. Rruga “Ali Redha”, Nr.7, me origjinë dhe gjendje shoqërore nëpunës, në profesion arsimtar, me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë i padënuar më parë, i përjashtuar nga partia, oficer në rezervë, i arrestuar më datën 30 Prill 1973.

Mihallaq Luarasi: i biri i Aleksit dhe i Marjanthit, i datëlindjes 12/09/1929, lindur në Korçë, banues në Tiranë, Lagja Nr.8, Rruga “Brigada VIII”, Sulmuese., Nr.7 me origjinë shoqërore punëtor, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion regjisor teatri, me punë në Teatrin e Korçës, dhe në Teatrin Popullor Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, ish anëtar partie, pa dënuar më parë, shërbimin ushtarak nuk e ka kryer, i arrestuar më datën 11 korrik 1973.

Të akuzuar se vetëm dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e agjitacionit e të propagandës kundra pushtetit popullor të parashikuar nga neni 73/I të KP. Gjykata mbasi verifikoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi Prokurorin, kërkoi që dy të pandehurit të deklarohen fajtorë për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundra pushtetit popullor dhe në bazën të paragrafit I-rë të nenit 73 të Kodit Penal, të dënohen:

Emin Jero, me 10 vjet heqje të lirisë.

Mihallaq Luarasi, me 9 vjet heqje të lirisë.

Pasi dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të dy të pandehurve, të cilët kërkuan mëshirë:

Vëren

Gjatë gjykimit të çështjeve u vërtetuan se të pandehurit Emin Jero dhe Mihallaq Luarasi, kanë propaganduar kundër pushtetit popullor, me qëllim që ta minojnë ose ta dobësojnë atë. I pandehuri Emin Jero, pranoj para Gjykatës se aktivitetin e tij armiqësor, e ka filluar që nga viti 1959. Ai duke dashur të vihet në pozita armiqësore me politikën e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të Qeverisë, ka thënë se; kuadrot kryesorë të ushtrisë sonë, ishin të paaftë për të drejtuar ushtrinë tonë popullore dhe se ata duheshin hequr. Këtë gjë i pandehuri e ka biseduar me dëshmitarin Hysni Çyrbja. Po këtij dëshmitari i pandehuri, i ka folur kundër pikëpamjeve të Partisë së Punës së Shqipërisë, që përcaktoheshin në fjalimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë e Punës Shqipërisë, lidhur me problemin e Kosovës.

I pandehuri pranoi para gjykatës se dëshmitarët e sipër përmendur, i ka folur kundër Josif Stalinit. Për këtë veprimtari armiqësore, Emin Jero, u përjashtua nga Partia e Punës Shqipërisë dhe u këshillua që të hiqte dorë nga veprimtaria e tij armiqësore. Gjatë gjykimit, u vërtetua se i pandehuri jo vetëm që nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij kriminale, por përkundrazi, filloi të propagandojë kundër pushtetit popullor edhe në persona të tjerë. Ai ka folur kundër demokracisë popullore dhe zgjedhjeve elektorale. I pandehuri Emin Jero, mbasi është njohur me rrymat e idealiste-borgjeze në art, është përpjekur t’i propagandojë ato në persona të ndryshëm, duke pretenduar se gjoja këtyre rrymave reaksionare, u takonte e ardhmja dhe se ato japin liri në rrethet letrare-artistike.

Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Emin Jero, ka propaganduar kundër politikës së Partisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore Shqipërisë, për revolucionarizimin e vendit. Ai ka propaganduar në persona të ndryshëm se liberalizmi, kishte ardhur si rezultat i zbatimit të vijës së masave dhe se kjo krijonte shthurje dhe mungesë të disiplinës. Një propagandë të tillë, i pandehuri e bënte me qëllim që të diskreditonte politikën e drejtë të Partisë së Punës Shqipërisë, lidhur me zbatimin e vijës së masave.

I pandehuri, duke dashur të mbrojë pikëpamjet e revizionistëve, ka thënë se; socializmi justifikohet vetëm për vendet e prapambetura si Shqipëria, Kina, kurse format e përdorura në Bashkimin Sovjetik, nuk janë revizioniste. Ai duke dashur të propagandojë pikëpamjet armiqësore të revizionistëve, i ka thënë Xhevdet Mihalajt, duhet të lidhë marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, megjithëse e dinte qëndrimin e Qeverisë Shqiptare mbi këtë çështje, kurse dëshmitarët B. Havarit, me qëllim të caktuar armiqësor, i ka folur kundër revolucionit kultural në Kinë, duke përdorur fjalë përçmuese.

Gjatë takimit, u provua se i pandehuri Emin Jero, së bashku me të pandehurin Mihallaq Luarasin, që nga vera e vitit 1969, kanë filluar së bashku aktivitetin e tyre armiqësor, duke propaganduar kundra pushtetit popullor. Të dy këta të pandehur, përveç propagandës armiqësore që kanë zhvilluar me persona të ndryshëm, kanë përhapur pikëpamjet e tyre armiqësore edhe nëpërmjet veprave letrare, artistike të tyre. Të dy të pandehurit, pranuan para gjykatës se kanë biseduar se për zhvillimin e artit në Shqipëri, duhej të udhëhiqeshin nga arti borgjez perëndimor dhe të kopjonin rrymat moderniste të kohës.

Këto pikëpamje antisocialiste dhe antikombëtare, i kanë propaganduar në persona të ndryshëm dhe i kanë zbatuar në krijimtarinë e tyre letrare artistike, si në “Njollat e murrme” në Festivalin e XI-të të Këngës në Radio, në operën “Traviata” në dramën “Orfeu zbret në ferr”. Këta kanë thënë se; artistët në Republikën Popullore të Shqipërisë, nuk ishin të lirë të shprehnin në veprat e tyre realitetin objektiv dhe se gjoja ata shkruanin ato që diktoheshin.

Të dy të pandehurit, duke dashur t’i kundërvihen kritikës që bëri shtypi i Partisë, dramës “Njollat e Murme”, kanë zhvilluar bisedën armiqësore. Ata kanë thënë se vepra e tyre u kritikua, sepse gjoja kishte shqetësime për udhëheqësin e Partisë së Punës Shqipërisë, sepse nuk gjente zgjidhje problemi i inteligjencës dhe në këtë mënyrë të dy të pandehurit janë shprehur se kjo kontradiktë në socializëm nuk gjen zgjidhje. Të dy të pandehurit, duke dashur të propagandojnë kundër unitetit të udhëheqjes së partisë dhe të punës kolegjiale, kanë folur në persona të tjerë, se në sistemin socialist, nuk ka udhëheqje kolegjiale, vendos udhëheqësi kryesor dhe se me ndryshimin e tij, ndryshon edhe kursi politik dhe se një gjë e tillë ndodh edhe në Shqipëri.

Gjatë gjykimit, u vërtetua se i pandehuri Mihallaq Luarasi, në kundërshtim me vijën dhe orientimin e Partisë Punës Shqipërisë, lidhur me zhvillimin e artit dhe letërsisë në Shqipëri, ka propaganduar pikëpamjet e tija armiqësore. Ai u ka thënë dëshmitarëve Lutfi Zykës, Hamza Koçiut, Kristaq Jorgjit, Thimi Pustecit, se në Shqipëri nuk ka art, nuk ka tradita, duke nënvleftësuar në mënyre përbuzëse regjisorët dhe dramaturgët e vjetër shqiptarë, dhe se për zhvillimin e artit skenik dhe përgjithësisht të arteve të tjera, ka thënë se duhet shikuar dhe marrë nga perëndimi dhe sidomos nga arti amerikan.

Ai ka propaganduar që edhe në teatrin tonë, duhej të futej drama absurde. I pandehuri Mihallaq Luarasi pranoi se i ka thënë piktorit Andrea Themelit të mësonte nga piktorët borgjezë të perëndimit, të mos qëndronte arkaik dhe në veprimtarinë e tij të udhëhiqej nga piktura moderniste dekadente e Pikasos. Ai ka qenë kundër udhëheqjes së partisë në art dhe ka propaganduar që drejtorët e teatrove nuk duhesh të ishin njerëz politikë por vetëm kuadro të specializuara.

I pandehuri pranoi se ishte kundër metodës së realizmit socialist, e cila sipas tij ishte një metodë e vjetërsuar dhe që duhej zëvendësuar me një metodë të re që të përgjigjej kërkesave të kohës. Gjatë gjykimit, u provua se i pandehuri Mihallaq Luarasi, ka propaganduar me qëllime armiqësore jetesën e mirë të artit të shteteve borgjeze-revizioniste dhe ka kritikuar mënyrën e jetesës së shpërblimit të artistëve shqiptarë. Ai ka propaganduar zbutjen e luftës së klasave.

Gjatë gjykimit, u vërtetua se gjatë një vizite që ka bërë i pandehuri Mihallaq Luarasi, së bashku me Emin Jeron dhe Todi Lubonjën, në fshatin Shtyllë, ka shprehur pakënaqësinë ndaj jetesës së punëtorëve, duke thënë se ata jetonin si personazhet e fundërrinave të Gorkit. I pandehuri Mihallaq Luarasi, pranoi para gjykatës se ai së bashku me mikun e tij Todi Lubonjën, kanë zhvilluar biseda armiqësore kundër udhëheqjes së Partisë dhe kundër vijës politike dhe ideologjike të partisë në art, ashtu edhe në fusha të tjera.

Fajësia e të dy të pandehurve, u provua me thëniet e dëshmitarëve; Hysni Çyrbja, Barcallah Havari, Ilia Dede, Xhevdet Mahilaj, Lutfi Zyka, Kristaq Jorgji, Hamza Koçiu. Andrea Themeli, Thimi Pusteci, Mihal Hanxhari, si dhe me pohimet e tyre. Gjykata në caktimin e dënimit ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës, si dhe atë të dy të pandehurve, të cilët për një kohë të gjatë, kanë propaganduar kundër pushtetit popullor.

Për këtë arsye:

Gjykata Popullore e Rrethit të Tiranës, në bazë të neneve 219, e 284 të K. Pr. Penale:
                                                          Vendosi:

Të deklarojë fajtorë të pandehurit Emin Jero dhe Mihallaq Luarasi, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të paragrafit I-rë të nenit 73 të Kodit Penal:

– Emin Jero me 8 (tetë) vjet heqje të lirisë dhe

– Mihallaq Luarasin, me 8 (tetë) vjet heqje të lirisë.

Vuajtja e dënimit për Emin Jeron, fillon nga data 30 prill 1973, kurse për Mihallaq Luarasin, fillon nga 11 korrik 1973. Kundër vendimit të sipërm, mund të bëhet ankim ose protestë në Gjykatën e Lartë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura