ÇANO NORA/ Fidai Veliu bën pjesë tek ato figura antikomuniste që e ka nisur rrugën e jetës në radhët e luftës nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët, madje e ka ndjekur rrugëtimin antifashist deri në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë.
Mirëpo atëherë kur lufta kishte mbaruar, ai u përplas me drejtuesit politikë për çështjen e udhëheqësit kryesor të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare dhe përfundoi në burg. Po burgu nuk mund ta mbante vrullin dhe burrërinë e tij brenda hekurave. Ai partizani tashmë antikomunist mori arratinë. Këtu fillon dhe historia tjetër e tij në radhët e lëvizjes së nacionalistëve shqiptarë jashtë vendit për përmbysjen e regjimit komunist.
I rikthyer në Shqipëri pas katër viteve përgatitje në një akademi në Gjermani për të ekzekutuar Enver Hoxhën, u rrethua i tradhëtuar nga një bashkëpunëtor i vet dhe për mos të rënë në duar të sigurimit vrau veten. Tashmë pas kaq vitesh, i biri Rushan Veliu, që ka qënë vetëm dy vjeç kur i ati është arratisur, risjell me detaje historinë e të atit me mirënjohjen për aktin dhe atdhetarinë e tij. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai tregon çfarë ka dëgjuar e mësuar sidomos vitet e demokracisë për bëmat e të atit…
******
Zoti Rushan, ju jeni djali i vetëm i Fidai Veliut, që njihet për historinë e arratisë dhe rikthimin me një grup parashytistësh për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës. Çfarë kujtoni nga akti i tij dhe mënyra si u eliminua në përpjekje me forcat e ndjekjes?
Unë kam qënë shumë i vogël kur im atë është arratisur, dhe të them të drejtën nuk e mbaj mend fare fytyrën e tij. Jam rritur me historitë që tregoheshin fshehtas e nën zë me familjarët e tjerë. Pavarsisht se emri i tij në opinionin e asaj kohe, për arsye që dihen tashmë, tipizohej si macja e zezë, nga mënyra si kujtohej në shtëpi dhe në rrethin e ngushtë të miqve, të them të drejtën me jepte një ndjenjë kënaqësie që duhej ta ruaja patjetër brenda vetes. Megjithatë, erdhën kohët, u përmbys flama e atij sistemi, dhe tanimë ajo histori është prezente në mbarë opinionin. Dhe padyshim jo si një histori tradhëtie e burravecësh, por si një ngjarje me theks të spikatur atdhetarie, që veç më bën krenar mua si pasardhës i tij…
Të kthehemi pak në historinë e strehëzës ku lindi dhe u rrit babai juaj…
Im atë lindi në një kohë të vështirë. Ishte fillim vjeshte. Shpatat e luftëtarëve kurveleshas s’ishin ulur ende. Kur gjyshi vendosi për të ikur në Turqi si emigrant në vitin 1924, ai iu afrua pranë dhe i tha në vend të betimit: S’do të ikësh vetëm këtë herë. Do vij dhe unë, le të jem i vogël. Të jemi bashkë se kështu bëhen më mirë punët! Dhe gjysh, Rrapua, s’ia bëri dysh të birit, që kërkonte të burrërohej para kohe. Im atë atëherë ishte vetëm 12 vjeç.
Dhe ikën babë e bir jashtë shtetit, por koka u mbeti pas se këtu lanë pjestarët e tjerë të familjes së tyre, në një kohë që ata kishin shumë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Aty larg në Anadoll, gjyshi punonte për të mbijetuar dhe për të mbajtur familjen këtu në Shqipëri. Ndërkohë, im atë, Fidaiu nuk ishte në gjendje për punë. I duhej të mësonte gjuhën turke dhe të vazhdonte dhe hkollën atje.
Mbrëmjeve vonë kur bashkoheshin, babai i drejtohej gjyshit: Bëj durim, do vijë dhe dita jonë që të bëhemi mirë! Ja sa të mbaroj shkollën dhe më ke në krahë, do punojmë bashkë. Në verën e vitit 1938, kur im atë tashmë 22 vjeç, u kthye në vendlindje. Ca më vonë u kthye dhe babai i tij. Po kurbeti si kurbeti, më shumë kishte namin, se të jepte vetëm ca kacidhe sa për të mbajtur frymën. Tregojnë se kur erdhi për të mos ikur prapë, kishte sjellë vetëm ca këmborë e zile për bagëtinë e paktë që kishim në shtëpi. Këmborët e zilet ishe pasuria e vetme që vuri në emigrim gjyshi im.
Pra, u kthye nga emigrimi në kohën kur Shqipëria ishte monarki…
Në moshën 22-vjeçare, kur u kthye në Atdhe, kur ende nuk ishte çmallur mirë me familjen, tim eti i erdhi thirrja për shërbimin ushtarak. Durrësi ishte vëndi ku ai u rreshtua për të kryer detyrën ushtarake. Aty fillimisht bëri betimin ushtarak. Dhe qëlloi të vihej në provë të tij vetëm pak ditë më vonë, ditën e 7 prillit ’39 kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Ai në vijën e parë të frontit për të ndalur zbarkimin e këmishzinjve në tokën shqiptare. Ishte koha kur atë operacion e drejtonte Abaz Kupi, asokohe me detyrën e komandantit të kufirit.
Dhe qëndroi deri në fund siç i kishte hije një luftëtari të vërtetë. Ndërkohë, do t’i mbetej besnik deri në fund dhe komandant Abas Kupit. Pa konfliktit të këtij të fundit në nëntor të vitit 1942, me liderët e komunistëve, batalioni i tim eti u shpërbë. Të gjithë ushtarët e tij shkuan në rrethet nga kishin ardhur. Im atë, Fidaiu, u kthye në Fushëbardhë dhe iu bashkua shokëve të tij të batalionit “Karafil Bello”, në brigadën e 6 sulmuese. Partizan në krahë të bashkëmoshatarëve Dilaver Poçi, Brahim Miho, Boço Muho e të tjerën, do ta ndiqte brigadën nga beteja në betejë, me dëshirën e zjarrtë për liri…
Me një fjalë, Fidaiu ka qënë partizan pjestarë i lëvizjes antifashiste që drejtonin komunistët…
Kjo është katërcipërisht e vërtetë. Im atë lëvizjen për lirinë e këtij vendi e ka nisur nga rreshtat partizane, pavarësisht si rrodhën ngjarjet më vonë. Madje, dëshmitarët e asaj periudhe tregojnë se ka qënë një nga partizanët e guximshëm që hidhej ndër të parët në luftim…
Po si ndodhi që babai juaj nga radhët e çlirimtarëve u gjend në grupin e nacionalistëve dhe të antikomunistëve?
Kjo ka ndodhur në operacionin e qershorit të vitit 1944, kur babai pati një konflikt të fortë me Jaho Gjolikun, komandantin e tij. Ishin në Fterrë ku bëheshin luftime me gjermanët dhe në përballjen me ta u vranë dy shokët e tij, Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu. Im atë, i indinjuar dhe i prekur nga humbja e jetës të tyre, ikën nga kjo brigadë dhe shkoi për të takuar komandantin e Zonës së Parë Operative,Islam Radovickën. Që prej këtej do të ishte pjesë e brigadës së 7 sulmuese, ku do të gjente Tahir Kadarenë, me të cilin kishte njohje më herët…
Sidoqoftë, përsëri në radhët e një brigade tjetër partizane…
Po, po, ai deri në fund të luftës ishte luftëtar i brigadave parizane. Madje, me urdhër të Tahir Kadaresë, i rreshtuar në divizionin e parë, luftoi deri në Jugosllavi për çlirimin e trojeve shqiptare. Në qershor të vitit 1945, u kthye në Atdhe me shokët e tjerë dhe u caktua me forcat e ndjekjes. Mirëpo ndodhi që pa mbushur as dy vjet aty, e vunë në rreth të ciklonit duke e akuzuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Për ironi të fatit e patën denoncuar te organet e sigurimit dy kushërinjtë e tij nga Fushbardha.
E gjithë akuza përmblidhej në një fjali të vetme “Ke folur kundra partisë, ke thënë se Islam Radovicka ka drejtuar luftën dhe se Enver Hoxha ka qenë në shërbim të jugosllavëve”. Ishte koha kur Islamin Radovickën e arrestuan. Im atë që e njihte shumë mirë burrërinë dhe atdhetarizmin e tij, nuk u pajtua asnjëherë me dënimin që i dhanë atij. Nuk rreshti së foluri kundër kësaj padrejtësie, ashtu sikundër mendonte, aq sa ra në sy të “vigjilentëve” që e çuan të freskët akuzën te zyrat e Sigurimit. Këtej filloi pastaj kryeqëzata ndaj tim eti. Në 1947, e burgosën në qelitë e burgut të Gjirokastrës. Një histori tjetër nis për të nga ky moment.
Që këtej fillon një Fifai tjetër, tashmë jo një ushtar besnik i ish-çlirimtarëve, por një kundërshtar i vijës udhëheqëse të tyre…
Pikërisht për këtë e mbyllën në shtatë penxheret e kalasë. Po nuk mund ta gjunjëzonin Fidai Veliun, burrin e sprovuar në vijën e zjarrtë të luftimeve për çlirimin e vendit. Që ditët e para të burgut, gardianët u përballën me të dënuarin rebel që nuk i bënte dritë në sy. Ndërkohë, ata që e njihnin nga afër thoshin: “Ku mbahet Fidai Velia! E hedh në det dhe e gjen në stere”. Dhe ndodhi pikërisht kështu.
Ai ish-partizani i rreshtit të parë të frontit kundër pushtuesit, i theu hekurat e burgut dhe iku në Greqi. Nuk i duronte prangat që vinin nga pabesia. Sa mbërriti në tokën helene, u largua sërish në Itali dhe prej aty përfundoi në Gjermani. Në Gjermani ra në kontakt me një grup nacionalistësh që e kishin lënë atdheun në rrethana si ai. Nisma e tyre për një lëvizje kundër fryëms staliniste që kishte pushtuar Shqipërinë, u mirëprit prej tij Aty u përgatit politikisht dhe ushtarakisht sipas platformës së Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qëndër në Nju Jork. Katër vjet në trajnimin e përgatitjen për t’iu kundërvënë regjimit në Shqipëri. Në krye të katër vjetëve, u bë pjesë e një misioni për t’u dërgaur në Shqipëri bashkë me Xhemal Rizain, Kasem Shehun me origjinë çame dhe Muhamet Hoxhën nga lagjja “Palorto e Gjirokastrës”, i cili ishte kushëriri i Enverit.
Dhe u nisën për të kryer misionin sekret në Shqipëri…
Në Gjermani në Shkollën Ushtarake Antikomuniste, ata të katërt u përgatitën për të desantuar në vendin tonë për i bërë atentat Enver Hoxhës dhe pjesës tjetër të udhëheqësve komunist, që kishin paralajmëruar se do të merrnin pjesë në festën e çlirimit të Vurgut të Delvinës. U nisën në 23 korrik të vitit 1951. U zbuluan sa u hodhën nga parashuta, nga një rreshtër me emrin Njiazi, i cili i konsideronte shokë dhe në anën tjetër i raportonte te Sigurimi i Shtetit. Ndodhte kështu me atë që pararshytistët e mbanin si njeriun e tyre të besuar. Po me sa duket, Njaziu ishte një nga agjentët e fshehtë të Sigurimit që ishte përgatitur për roli e pabesisë.
Tashmë, asgjë s’ishte më sekret, sepse rreshteri i Sigurimit ua kishte thënë atyre fill e për pe qëllimin e ardhjes së tyre nga Gjermania. E përçau grupin dhe vuri në dijeni “kopetentët” se ata zbarkuan në vendin e quajtur Dragas në afërsi të Kalasës. Me një shpejtësi të rrufeshme, forcat e Sigurimit morën informacionin nga njeriu që kishin brënda, se Njaziu, Fidaia dhe Xhemali kishin mbetur në Dragas. Sigurimi i Shtetit, menjëherë organizoi operacionin me katërmijë forca, në përbërje të të cilit ishin forcat vullnetare të zonës së Delvinës, repartet e ushtrisë, forcat e ndjekjes dhe të policisë. Nuk zgjati shumë dhe vendi i zbarkimit të tyre u zbulua. Thirrjes për t’u dorëzuar paqësisht, ata iu përgjigjën prerë: “kurrën e kurrës!”. Vendosmëria e tyre ishte e patjetërsueshme:.
Edhe në rastin më ekstrem të kërcënimit të jetës, nuk do të “zbërtheheshin” për misionin e marrë jashtë Shqipërisë. Gjallë pra, nuk do të dorëzoheshin. Sakaq, Sigurimi kishte marrë informata edhe për dy shokët e tyre Muhamet Hoxha dhe Kasem Shehu,të cilët ishin hedhur me parashutë rreth 500 metra larg të parëve. Muhameti ndoqi rrugën drejt fshatit Kopaçëz, për të mos u kapur nga forcat e shumta që po “krihnin” të gjithë zonën, ndërsa Kasemi iku nëpërmjet shelgjeve të lumit të Kalasës. Që të dy ata s’shpëtuan dot. U kapën dhe u dënuan me nga 25 vite burg.
Çfarë ndodhi me Fidaiun në këtë betejë?
Fidaia i shpërfilli që në fillim thirrjet e tyre për t’u dorëzuar. U çua në këmbë dhe aty për aty, iu ktheu përgjigjen e prerë: “S’kam ardhur për t’u dorzuar, por për t’iu thënë se jeni futur në një rrugë të gabuar. Çohuni kundër partisë dhe Enver Hoxhës, se janë bashkuar me Titon dhe Stalinin. Do t’ju marrin në qafë, se do t’ju kolektivizojnë çdo gjë, madje edhe gratë”. Pastaj, për të hapur rrugën mes forcave të shumta që e kishin rrethuar, qëlloi disa herë në ajër dhe fliste parreshur kundër komunizmit.
Në momentin që po çante rrethimin, pa se prej turmës u shkëputën dy oficerë me tre ushtarë që iu qepën pas dhe i ngushtuan rrezen për ta mbajtur të kryqëzuar. Shoku i tij, Xhemal Rizai, i pozicionuar diku më tutje, hapi zjarr ndaj tyre. Duke u bindur se im atë nuk dorëzohej, shefi i Sigurimit, Kadri Ismailati, nga Libohova e Gjirokastrës, urdhëroi të qëllonin menjëherë mbi të. I plagosur rëndë në këmbë, Fidaiu, u kthye nga ata dhe u tha: “Jam antikomunist dhe nuk dorëzohem. Do të kryej misionin që Shqipëria të ndryshojë sistemin sovjetik dhe të kthehet me perëndimin”.
Aty për aty, i vuri flakën çantës me sekretet e misionit që kishte brenda bashkë me radion që komunikonte dhe pasi u ul në tokë shkrepi armën nbi gjoksin e tij. Ndërkaq, tjetri që kishte luftuar në krahë të babait ishte plagosur dhe ra në duart e xhelatëve që e morën dhe e çuan të lidhur në Sarandë, por rrugës vdiq. Tim atë, Fidainë, e morën zvarrë ashtu të gjakosur pa jetë, e tërhoqën me litarë dhe e varën te një fik. Ashtu, të varur e lanë deri në orët e mesnatës. Më pas, i hodhën vajguri dhe e dogjën. Ato pak kocka që i kishin mbetur ia hodhën në fundin e një grope, atje ku Sigurimi i Shtetit e mbajti të fshehtë për 60 vite me radhë.
Kërkuat ndonjëherë për vendndodhjen e eshtrave të tij?
Kjo as që mund të ndodhte kurrë në atë sistem. As emrin s’ia zinim dot në gojë, se përndryshe të pinte e zeza. Ne si familje na trajtonin si pjesë e armikut të regjimit. Ai ishte fati ynë. Me ardhjen e demokracisë, bëmë ç’është e mundur për të gjetur eshtrat e tij. Askush s’na afronte ndihmë për këtë. Shteti jo e jo, por dhe banorët e asaj zone nguronin për një gjë që e kishin parë me sytë e tyre. Ishte Hido Zbobo, bijë fushëbardhase dhe e martuar në fshatin Kalasë, që u tregua e gatshme të bashkohej me ne për gjetjen e vendvarrimin e tim eti. Kërkuam disa ditë, por s’gjetëm gjë. Në momentin që hoqëm dorë përfundisht, nënë Hidua na dha kurajë dhe na drejtoi edhe për tek një vend tjetër. I gjetëm më në fund dhe na dukej se babain e kishim ende gjallë. I mblodhëm kockat një për një, aq sa kishin mbetur pas djegies dhe i varrosëm në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Fushëbardhë. E futëm në një vend me nënën e tij, nënë Mecoviten, që kishte 60 vite pa e parë të birin, kur ishte gjallë. Tani ata do të ishin të dy bashkë pranë njëri – tjetrit.
Në kohën e regjimit komunist, me çfarë pune jeni marrë?
Kam punuar fort kudo që të kishte nevojë për mua. Banoja në Fier. Babai më la dy vjeç, por më ndihmoi një dajë që kisha në Fier. Atje mora edhe zanat. Kam punuar kantier më kantier, s’e kam përbuzur punën. Në hidrocentralin e Fierzës, nëpër veprat e bonifikimit, në ndërtim – montimin e Elbasanit, kudo nëpër Shqipëri. Nga fshati më vinin letra atje ku punoja, s’më linin rehat, më luftonin. Vetëm Brahim Mihua më ka ndihmuar. Asnjëherë s’e tha një fjalë që të më bënte keq. Unë isha djali i Fidai Velisë, i cili donte ndryshimin, përmbysjen e pushtetit të asaj kohe. Dhe sot e kësaj dite çuditem! Përse merreshin me mua, kur u arratis babai më la vetëm dy vjeç!
Po në demokraci, çfarë detyra keni kryer?
Si gjithë të tjerët, si i barabartë me ta. Vetëm shkollën e mesme arrita të bëja atëherë. Në demokraci vazhdova dhe Akademinë e Rendit. Asnjëherë, kudo që shërbeva, nuk thashë, se tani erdhi koha ime, por kam thënë me plot gojën se erdhi koha jonë. Dhe shef rendi më bënë, po çfarë mund të bëja unë i vetëm, pa punuar që nga unë dhe deri te polici në rreshtin e fundit.
Si e vlerësoni sot qëndrimin e babait në atë kohë?
Gjykimi im për qëndrimin e tim eti ka qenë dhe është i pandryshueshëm. Ai bëri atë që do të bënte çdo shqiptar për Shqipërinë, çdo njeri që donte ndryshimin, që donte perëndimin. Dhe ndryshimi i shumëpritur erdhi, por shumë vonë. Im atë vdiq, por mbetën të gjallë të tjerët.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al