Vrau me armë të atin dhe e groposi në kasolle, vajza rikthehet në vendin e krimit! 19-vjeçarja me maskë anti-Covid në fytyrë dhe e shoqëruar nga policia

Feb 23, 2024 | 11:54
SHPËRNDAJE

Hygerta Meta, e cila vrau me armë të atin dhe e groposi në kasolle, është rikthyer në vendin e krimit, në banesën e saj në fshatin Shënavlash të Durrësit.

19-vjeçarja shoqërohet nga policia dhe mësohet se po tregon para hetuesve dinamikën e vrasjes.

Hygerta Meta mban veshur një xhup të zi, ndërsa në fytyrë ka maskë anti-COVID.

Ajo ka treguar para hetuesve në dëshminë e saj se e kreu vrasjen e të atit, Pëllumb Meta, pasi ky i fundit donte ta fejonte me zor.

Hygerta Meta, studente në Fakultetin e Ekonomisë, është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Trupi i pajetë i 50-vjeçarit u gjet i groposur në kasollen brenda rrethimit të banesës në Shënavlash të Durrësit, 10 ditë pasi u denoncua i zhdukur nga djali i tij.

hygerta meta5

DËSHMIA

19-vjeçarja ka dëshmuar se donte që të ndiqte studimet dhe ëndrrat e saj, por i ati kërkonte ta fejonte pa dëshiren e saj.

Hygerta Meta deklaroi se 50-vjeçari këmbëngulte që ajo të martohej me një djalë nga fshati, emigrant në Itali, që sipas të resë nuk ishte në nivelin e saj.

“Doja të ndiqja ëndrrat e mija, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dikë që nuk ishte në nivelin tim. Kishin hyrë shkuesi me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja atë, babai këmbënguli dhe fllimisht e vrara me armë zjarri dhe më pas e varrosa”, ka deklaruar 19-vjeçarja.

Ajo ka treguar se e qëlloi babain me armën e tij, pasi ky i fundit e mbante armën pasi punonte si roje nate.

19-vjeçarja rrëfeu se pasi e ka vrarë me armë zjarri e ka varrosur të atin po në kasolle pranë banesës së tyre në Shënavlash të Durrësit.

Kur është bërë zhvarrosja e trupit të 50-vjeçarit, nga kqyrja paraprake është vërejtur se e kishin lidhur dhe “paketuar” në qese para se ta varrosnin.

ZBARDHJA E VRASJES

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen sepse dyshohet se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë.

Pëllumb Meta rezulton i zhdukur prej datës 13 shkurt 2024. Ka qenë djali i tij, 25-vjeçari me iniciale H. M., i cili rreth orës 22:30 ka kallëzuar në polici se babai i tij ishte larguar nga banesa, babai i tij dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas denoncimi të djalit për zhdukjen Pëllumb Metës, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet dhe më datë 17 shkurt kanë gjetur automjetin e tij të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes dhe nga provat e siguruara u ngrit dyshimi se 50-vjeçari nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Trupi i Pëllumb Metës është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Durrës/ Familjarët e kallëzuan të humbur 50-vjeçarin, Policia, pas 10 ditësh kërkime dhe hetime intensive, zbardh ngjarjen.

Falë veprimeve të shpejta profesionale, Policia gjen trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij.

Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj.

Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit P. M. është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura