Vrasja e Pjerin Xhuvanit para zgjedhjeve, gazetarja: Videoja e publikuar tregoi në çfarë derexheje ishte Elbasani. Artur Zheji: Serverat i ka zhdukur një dorë e kujdesshme, ka një lojë…

Oct 7, 2022 | 15:04
SHPËRNDAJE

Gazetarja Klodiana Lala duke komentuar vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021, tha se përdorimi i armëve dhe ngjarja nuk do të kishte ndodhur, nëse situata nuk do të ishte lënë të zgjidhej mes njerëzve “të fortë”.

ghdkdgjk-770x339

Në emisionin “Pikat mbi i”, Lala u shpreh se gjithçka ndodhi atë ditë dhe më pas në Elbasan, që nga vrasja e Xhuvanit e deri te mos-zbardhja e plotë e ngjarjes, tregon se “policia është mjaft e paaftë të mbrojë jetën e qytetarëve”.

Analisti Artur Zheji, është shprehur se serverat e videove të asaj ngjarjeje ishin fshirë nga nja dorë shumë e kujdesshme, çka sipas tij tregon edhe implikimin e policisë në këtë ngjarje.

Pjesë nga biseda në studio:

Artur Zheji: Pamë pasivitetin e policisë së shtetit, policia shikonte si po kryhej një krim elektoral dhe rrini spektatorë kur ata duhet të parandalonin. Policisë i është dhënë roli të bëjë spektatorin. Të rrijë si një spektator i mirë sepse po të ndërhyjë, ndërhyri shteti. Mendoj që gjyqi që po vonon, i rastit të Pjerin Xhuvanit do të zbardhë metaforën e zgjedhjeve të 2021. Është e kotë të kalojmë në Vetting gjykatat apo policinë, duhet të ketë vetting për procesin zgjedhor.

Klodiana Lala: Video tregonte fytyrën e vërtetë të Shqipërisë gjatë një fushate zgjedhore dhe se si policia është e paaftë të mbrojë jetën e një qytetari dhe për mënyrën se si politika do të ketë gjithcka në funksionin e saj. Ajo situatë nuk do kishte degraduar deri në përdorimin e armës nëse nuk do ishte lënë të zgjidhej mes njerëzve të fortë. Kemi folur gjithmonë për mënyrën se si situatat degradojnë në përdorimin e armës, por videon e publikuar tregoi qartë se në çfarë derexheje ishte Elbasani. Vetëm 10 min pasi mbështetësit e PD kanë bllokuar Mehmet Grecën, është bllokuar automjeti i tij pa targa, po ashtu në video shihet se më pas kanë mbërritur dy zëvendës drejtorë të policisë së qarkut, pra dhe 10 min më pas është përplasja.

Artur Zheji: Është thënë që janë zhdukur videot, nuk gjendeshin.

Klodiana Lala: Në pjesën dërrmuese serverat ishin fshirë

Artur Zheji: Ishin fshirë, por këtu ka një lojë shumë të çuditshme. Mendoj që një dorë e kujdesshme i ka zhdukur. “Policia është me ne” ka qenë një shprehje, për t’i pasur si një shantazh ku nuk dihet se për kë. Fakti që kjo video del pas një viti, ka një mister. Pra tani dali kur u tha që nuk kishte. 2 janë momentet me rëndësi; 1-kur shohim që policia i ka pistoletat e ndryshkura, pasi ka të ndryshkur iniciativën për të ndërhyrë. Punën e mbaron një polici pa uniformë, që është mercenare. Nuk duhet të hyjmë në zgjedhjet e majit pa një relativim të ndershëm.

Klodiana Lala: Këtu nuk është bërë drejtësi. Pra kemi një të dyshuar për vrasje që ka dhënë shpjegimet e veta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura