Vrasja e mbuluar me mister e Xhulio Prelës, pse u ekzekutua polici? Dosja kalon për gjykim, kush janë autorët e dyshuar

Dec 1, 2022 | 9:48
SHPËRNDAJE

Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku janë dy personat e vënë nën akuzë për vrasjen e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhuliano Prela, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2020 në superstradën LezhëMilot, pranë fshatit Gajush.

xhulioprela

Pas rikthimit për plotësim hetimesh disa muaj më parë, Prokuroria ka reflektuar dhe dosja penale e hetuar nga Erjon Shehaj ka kaluar për gjykim themeli në Gjykatën e Lezhës.

Redion Hysa do të përballet në Gjykatë me akuzat, “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i kodit penal, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosje” si dhe “Prishje së rendit dhe qetësisë publike”, pasi në këtë dosje është bashkuar edhe procedimi i ngjarjes së datës 28 dhjetor të vitit 2020, ku u qëllua me breshëri automatiku karburanti dhe trajleri i markës “Man”, që ishte në pronësi të një subjekti privat në Lezhë.

Ndërsa për Nikoll Shernikun, është ngritur akuza “Përkrahje e autorit të krimit”. Sherniku ndodhet në burg, pasi gjatë verës u kap dhe me armë e makinë të blinduar në zonën e Kunës në Shëngjin.

Autori i dyshuar i vrasjes së policit u zbulua pas gjetjes së një pistolete TT dhe një automatiku në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë së Redion Hysës, ku rezultoi më pas se automatiku ishte përdorur në ngjarjen e datës 28 dhjetor 2020, kur ishte qëlluar me 28 plumba karburanti dhe trajleri. Por më pas, përgjegjësia penale e Redioin Hysës u rëndua në muajt në vijim, pasi njëra nga armët, pistoleta e gjetur, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela.

Ekspertiza balistike, ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajetë efektivi i Policisë.

Sipas dosjes hetimore, edhe predha që i ka marrë jetën punonjësit të Policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës. Vetë i akuzuari ka mbajtur qëndrim mohues, duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen, por referuar provave të paraqitura Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi që ta kalojë çështjen për gjykim themeli.

Efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhuliano Prela, u ekzekutua me armë zjarrit në orët e para të mëngjesit të 6 dhketorit të vitit 2020, teksa po lëvizte me automjetin e tij në drejtim të Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura