Vrasja e Erjon Javorit, policia jep detaje mbi ngjarjen: Pati shkëmbim zjarri mes viktimës dhe autorit. Në mjetin tip “Benz” ndodhej dhe…

Dec 8, 2023 | 16:46
SHPËRNDAJE

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj 41-vjeçarit Erjon Javori, një ditë më parë (7 dhjetor) në Fier.

erjon javori agim gashi vrasja ne fier

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë dhe bën me dije se midis 41-vjeçarit që mbeti i vdekur dhe autorit të dyshuar, Agim Gashi ka pasur një shkëmbim zjarri.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se Agim Gashi nuk ndodhje vetëm në automjet, por i shoqëruar nga i vëllai, shtetasi me iniciale K. G., 33 vjeç.

Blutë raportojnë se dy vëllezërit janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin të Javorit u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis Agim Gashit dhe Erjon Javorit, për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë

Fier/Informacion shtesë në lidhje me mekanizmin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, ku mbeti i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetetit, rezultoi se:

Ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi E. J., ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G.  dhe shtetasit E. J. për motive të dobëta.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe mbledhjen e te gjitha provave për dokumentimin e plotë të saj.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve A.G. dhe K.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura