Vrasja e 9-vjeçarit në Mamurras, gjyqi në Tiranë

Dec 30, 2013 | 10:32
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranes
TIRANE – Transferohet në Gjykatën e Tiranës gjykimi ndaj dy personave të akuzuar për vrasjen e 9-vjeçarit Endri Llani në Mamurras dhe plagosjen e xhaxhait të tij, Muharrem Llani. Më 9 dhjetor 2013, në Gjykatën e Tiranës është regjistruar dosja penale në ngarkim të shtetasve Alban (Oligert) Shkreta dhe Altin Shkreta. Të dy këta persona akuzohen se kanë kryer veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, në bashkëpunim, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit Shkreta, ka ndodhur në Mamurras. Më 5 qershor rreth orës 14:00 Muharrem Llani, 22 vjeç, bashkë me kunatën kishte marrë në shkollë në qytetin e Mamurrasit nipin 9 vjeç dhe fëmijë të tjerë dhe po kthehej me makinën e tij “Wolkswagen” në shtëpi, në Shpërdhet të Kurbinit. Në afërsi të Urës së Drojës, në Fushë-Mamurras ata kanë rënë në pritën e organizuar nga dy vëllezërit Shkreta. Autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të automjetit duke vrarë 9-vjeçarin që ndodhej në sediljen e parë, si dhe duke plagosur xhaxhain e tij, Muharrem Llani. Prokuroria i përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Kurbinit dosjen ndaj vëllezërve Shkreta. Procesi u ndesh me probleme për shkak të kërcënimeve dhe frikës, çka detyroi Gjykatën e Prokurorinë të kërkojnë transferimin e dosjes në Tiranë. Një gjë e tillë u miratua nga Gjykata e Lartë, ndërsa pritet që seanca e parë e procesit të zhvillohet më 21 janar 2014 në Gjykatën e Tiranës nën drejtimin e gjyqtarit Gerd Hoxha. Vrasja e 9-vjeçarit Endri Llani u bë shkak për një seri të përgjakshëm hakmarrjeje, që vazhdoi për dy vjet në Tiranë dhe në Mamurras. Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit, u betua të hakmerrej për vrasjen e djalit. Më datë 4 nëntor 2012, në Mamurras mbeti i vrarë shtetasi Gentjan Shkreta dhe u plagos vëllai i tij, Aurel Shkreta. Ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit të vrarë në Mamurras në qershor 2012. Jetmir Llani u arrestua në Itali kohë pas ngjarjes dhe po gjykohet në Shqipëri pas ekstradimit nga Interpoli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura