Vrasja e 33-vjeçares në Kosovë, Bedri Elezi për  ‘Panorama TV’: U rrezikua dhe jeta e dy fëmijëve, ngjarja tregon se…

Nov 30, 2023 | 15:32
SHPËRNDAJE

Eksperti i Sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, në një lidhje live me Panorama TV ka folur në lidhje me rastin e vrasjes së bashkëshortes së ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli.

Ai tha se nga ngjarja u është rrezikuar jetë dhe dy fëmijëve të viktimës, ndërsa shton se prej shumë vitesh Kosova nuk ka parë një krim të tillë.

Elezi u shpreh gjithashtu se kjo ngjarje tregon që institucionet ligj zbatuese të Kosovës duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë.

Ishte e dhimbshme kjo që ndodhi. Ishte një grabitje me viktimë dhe kishin të rrezikuar dy fëmijë. Ka vite që në Kosovë nuk ka kështu ngjarjesh.

Është një degradim serioz i sigurisë nga faktet që tani më qytetarët janë të rrezikuar nga grupe dhe banda që nuk kursejnë as jetën.

Këto ngjarje nuk i kemi parë në kaluarën, por është një tregues i qartë që institucionet ligj zbatuese të Kosovës duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme”, tha Elezi.

Kujtojmë se 33-vjeçarja është vrarë nga grabitës rreth orës 20:26 të mbrëmjes së të mërkurës (29 Tetor).

Liridona Murseli po udhëtonte me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre në rrugën Dlip Alshiq në kryeqytetin e Kosovës kur dyshohet se një person i panjohur i ka ndaluar dhe u  ka kërkuar sendet me vlerë.

Naim Murseli ka arritur të largohet nga makina me dy djemtë, ndërsa 33-vjeçarja është qëlluar për vdekje, sipas raportimeve.

“Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 – 20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje.

Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre.

Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, raporton policia e Kosovës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura