Vrasësin e policit Novruz Cenalia e refuzuan të gjithë avokatët, ç’ndodhi brenda seancës gjyqësore me dyer të mbyllura! 23-vjeçari pranoi krimin pa shfaqur pendesë

May 18, 2024 | 8:36
SHPËRNDAJE

Azgan Mërnica, 23- vjeçari nga Fieri ka dalë dje para gjykatës nën masa të rrepta sigurie.

azgan mernica novruz cenalia1

I braktisur nga të gjithë, deri edhe nga avokatët kryesisht të gjykatës, Mërnica nuk ka folur në lidhje me ngjarjen, duke lënë gjithçka në atë dëshmi që ka dhënë në prokurorinë e Fierit, pasi ai është dorëzuar më 15 maj.

Ndaj tij është dhënë masa e ‘arrestit me burg’, masë nën të cilën do të zhvillohen edhe hetimet për gjithçka ndodhi në mes të rrugës teksa dyshohet se ai e qëlloi pas shpine efektivin e policisë, i cili po hipte në makinë për t’u nisur në drejtim të Fierit që të merrte turnin e shërbimit atë ditë, shërbim që ia preu në mes bashkë me jetën Mërnica, i riu që u shfaq duke qeshur teksa po nisej për në policinë e Fierit!

Seanca

23-vjeçari Azgan Mernica, që ekzekutoi me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia u paraqit ditën e djeshme në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë. I veshur me antiplumb dhe i shoqëruar nga dy furgonë policie, Azgan Mërnica mbërriti rreth orës 13:45 në ambientet e Gjykatës se Fierit dhe doli prej aty në 15:00.

Shkak për vonesën u bë refuzimi i avokatëve për të mbrojtur vrasësin e policit. Avokati i caktuar kryesisht nga shteti, Xhevair Morina, nuk u paraqit në seancë ndaj sekretaria ka thirrur me altoparlant për avokatë të tjerë. Në përfundim gjykata arriti të gjente, Arvenola Dolen, avokaten e caktuar kryesisht për realizimin e seancës së masës së sigurisë “arrest në burg”.

Mbi Azgan Mërnicën rëndon akuza ‘Vrasjes së punonjësit të policisë së shtetit’ parashikuar në nenin 79/b të Kodit Penal, dhe ‘armëmbajtje pa leje parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal. Burimet thanë se 23-vjeçari nuk ka folur në seancën me dyer të mbyllura, vetëm iu është përgjigjur shkurt me po dhe jo pyetjeve të gjyqtares Dajana Ndrea.

Edhe më herët, kur është marrë në pyetje nga hetuesit, ai e ka pranuar krimin e rëndë pa shfaqur pendesë. Sakaq, në ambientet e jashtme të gjykatës nuk kishte asnjë familjar të tij. Vrasja ndodhi mesditën e 13 majit 2024 kur efektivi i “Shqiponjave”, veshur me uniformë, udhëtonte nga fshati i tij Baltëz drejt Fierit.

Në rrugë ndeshi rastësisht, 23-vjeçarin nga fshati Sulaj, i cili me nënën pasagjere lëvizte me shpejtësi. Efektivi i bëri me shenjë të ndalonte dhe pasi zbritën të dy nga makinat iu drejtua me fjalët “ku shkon me këtë shpejtësi?!”.

Me pretendimin se u ndje i frikësuar, Mërnica u tregoi hetuesve se e qëlloi policin Novruz Cenalia sapo ai kthye kurrizin për të hipur në makinë. Vrasësi gjakftohte e qëlloi policin me një plumb në kokë dhe për 48 orë u fsheh në fshatrat e Fierit, pranë zonës së tij të banimit. Rrethuar nga forcat RENEA, në pamundësi për tu larguar, orëve të vona të 15 majit familjaret e dorëzuan në polici.

Ai u pa të filmohej nga një person me një celular ndërsa u tha se ishte një drejtues sektori në Policinë e Fierit që e mori, jo vetëm atë po edhe porosinë e familjarëve të tij që të mos e prekte kush me dorë në momentin që do të ishte në qeli!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura