Vlerësimi i gjyqtarëve, ja drafti i dërguar në qeveri

Apr 16, 2015 | 14:35
SHPËRNDAJE

Ministria e Drejtësisë dorëzoi dje në qeveri projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Përmes këtij projektligji synohet që gjyqtarët të bëhen pjesë aktive e procesit të vlerësimit të tyre. Sistemi i ri parashikon si të detyrueshëm vetëvlerësimin e gjyqtarit, çka përbën edhe pikënisjen e procedurës së vlerësimit. Ky vetëvlerësim, bashkangjitur vlerësimit të kryetarit të Gjykatës do t’i përcillet më pas Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Projektligji përcakton parimet, kriteret dhe procedurat për vlerësimin profesional dhe etik të veprimtarisë së gjyqtarëve dhe të kryetarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Gjykatave të Apelit. Ai nuk prek çështjet institucionale, duke lënë KLD-në organ përgjegjës për vlerësimin. Projektligji do të shërbejë për të informuar KLD-në në procesin e vendimmarrjes në kuadër të transferimit dhe ngritjes në detyrë si dhe për nevojat për trajnim të gjyqtarëve.

Projektligji konsideron me rëndësi vlerësimin e aftësive komunikuese të gjyqtarëve me palët dhe publikun, por dhe mes tyre. “Vlerësuesit duhet të trajtojnë raportet personale dhe të punës ndërmjet kolegëve me kujdes të madh. Këto janë rastet kur kolegët nuk shkojnë me njëri-tjetrin, por të dy janë gjyqtarë shumë të mirë dhe me një menaxhim të përshtatshëm, nevoja e ndërveprimit ndërmjet tyre mund të minimizohet”, thuhej në relacionin e draftit.

VETEVLERESIMI

Sipas projektligjit, çdo gjyqtar vlerësohet së paku një herë në 3 vjet sipas kritereve të ligjit, ndërsa kryetarët e gjykatave së paku një herë në 4 vjet. Gjyqtari brenda 3 javëve nga marrja e njoftimit për vlerësim, bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij.

Në këtë vetëvlerësim, ai përshkruan veprimtarinë e tij dhe bën një vlerësim të përgjithshëm të saj. Po ashtu, paraqet një analizë të të dhënave statistikore të veprimtarisë së tij, përcakton objektiva për përmirësim profesional, si dhe përshkruan hapat e ndërmarrë për përmbushjen e objektivave, si edhe rrethanat që e kanë penguar për ngritjen profesionale.

Vetëvlerësimi i gjyqtarit duhet të shoqërohet me 4 vendime të përzgjedhura nga vetë gjyqtari dhe dokumentacion që tregon angazhimin e tij në trajnime profesionale. Vetëvlerësimi i dorëzohet kryetarit të Gjykatës, i cili brenda katër javësh duhet të paraqesë mendimin e tij mbi veprimtarinë e gjyqtarit. Pasi vihet në dijeni, gjyqtari ka një afat të përcaktuar të kërkojë të dëgjohet nga kryetari në rast kundërshtish.

Në vijim, dosja dorëzohet nga ana e kryetari në KLD, inspektorati i të cilit përgatit dokumentacionin e nevojshëm për periudhën e vlerësimit. Procedura e vlerësimit e parashikuar nga ky ligj zbatohet edhe për vlerësimin e veprimtarisë së kryetarit të Gjykatës.

 

Armand Bajrami 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura