VIDEO/ Si ndotet deti i Dhërmiut nga vaji i hedhur nga anijet greke. Pronarët e lokaleve: E bëjnë qëllimisht

Jul 4, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Për të dytën ditë me radhë, deti i Dhërmiut vijon të ndotet vajrat që hidhen nga anijet. Një video e publikuar nga Nisma Thurrje tregon se si 30 minuta pasi në horizont u duk një traget i bardhë, në breg u panë njollat e vajit. 

*** 

Ujërat e plazhit të Dhërmiut dhe Himarës u “veshën” dje me vaj, duke vënë në alarm pushuesit e turistët. Kur dje shënohej dita e parë e korrikut dhe pushuesit nisin sezonin e plazhit, uji ishte i tejndotur. Kjo për shkak të hedhjes në mënyrë të papërgjegjshme të vajit dhe mbetjeve të tjera të karburanteve të anijeve dhe trageteve greke.

Shtresa e vajit në detin e Dhërmiut

Pushuesit nuk kanë mundur të lahen në det për shkak të frikës nga vajrat. Situata në plazhet e Dhërmiut është normalizuar vetëm në orët e vona të pasdites, kur vajrat apo nafta është asimiluar nga deti për shkak dhe të dallgëve që kanë filluar me intensitetin e tyre. “Mbetjet me bazë nafte dhe vaji janë hedhur nga anije greke. I hedhin sapo afrohen në ujërat detare shqiptare. Më pas këto mbetje i marrin rrymat detare dhe i nxjerrin në gjirin e Dhërmiut dhe të Himarës.

Derdhja e vajrave dhe naftës në det bëhet qëllimisht në kohë sezoni turistik për të ndotur detin tonë dhe për të larguar pushuesit nga zona bregdetare shqiptare”, shprehet pronari i një restoranti në Dhërmi. Sipas tij, është bërë fenomen shqetësues ndotja e bregut në çdo sezon veror, ndaj kërkoi marrjen e masave. Ndërkohë, përfaqësues të mjedisit shprehen se ujërat detare janë ndotur disa herë nga anijet dhe tragetet e shtetit grek, të cilët gjatë udhëtimit nga Greqia për në Itali hedhin mbeturinat dhe vajrat në det, me qëllim të mos dorëzimit në portet përkatëse, për të eliminuar pagesat.

Derdhje të tilla dhe ndotje të detit në zonën e Dhërmiut dhe të Himarës kanë ndodhur tre herë brenda një viti. Hera e parafundit ka ndodhur para dy javësh. Në rastet e viteve të mëparshme janë kryer takime mes palëve, asaj shqiptare dhe greke, ku janë analizuar situatat. Rastet për gati një vit nuk u përsëritën, por, brenda muajit qershor, deti është ndotur dy herë.

E njëjta gjë ndodhi edhe në ditën e parë të korrikut, pasi anijet dhe tragetet derdhin mbetjet me përmbajtje vajore në det, duke ndotur plazhet shqiptare. Mësohet se situata është raportuar në ministritë përkatëse për t’u analizuar dhe për të marrë masat përkatëse mes palëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura