Vendoset më 26 shtator/ Shqipëria, kandidate për të pritur finalet e Europianit

Sep 19, 2023 | 21:08
SHPËRNDAJE

Shqipëria ka aplikuar për të pritur finalet e Kampionatit Europian për moshën U-17 ose U-19 dhe në datën 26 shtator do të vendoset gjithçka nga UEFA. Lajmin e ka bërë të ditur FSHF nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare.

Shqiperia

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Federata Shqiptare e Futbollit është pjesë e kësaj gare të rëndësishme për të cilën ka dorëzuar aplikimet për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Pjesë e kësaj gare janë dhe federata nga vende të rëndësishme europiane.

Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në ‘Air Albania Stadium’, ‘Elbasan Arena’, ‘Loro Boriçi’ dhe ‘Arena Egnatia’. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe.

Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen. Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Europian për moshat e reja”, thuhet në njoftim.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura