Vendimi, pa mesatare 6.5 nuk ka universitet. Për Mësuesinë do të jetë…

May 11, 2019 | 17:34
SHPËRNDAJE

Për të aplikuar këtë vit në universitet, nuk do të mjaftojë nota 6 si prag hyrës. Pas paralajmërimit të Kryeministrit Edi Rama për të rritur cilësinë e studentëve përmes rritjes së notës mesatare, vjen vendimi nga Këshilli i Ministrave, i cili e konkretizon që këtë vit akademik nismën.

universitet

Pa mesatare 6.5, nuk ka universitet. “Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020, të jetë nota 6.5″, citohet në vendimin e Këshillit të Ministrave, marrë një ditë më parë dhe që do të implementohet për pranimet për këtë vit akademik. Vendimi vlen edhe për transferimet, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen filtrit të mesatares bazuar mbi vitin, në të cilin janë pranuar në fakultet.

“Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim”. Rritjes së pragut minimal hyrës në universitet nuk i kanë shpëtuar as programet e edukimit. Nga 7, që do të duhej minimalisht të kishin për aplikim, për 2019- 2020 nevojitet nota mesatare 7.5. Të paprekur nga vendimi vijojnë të mbeten programet 2-vjeçare të shkollimit, zhvillimi i të cilave është në listën e prioriteteve të qeverisë.

“Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare e përllogaritur sipas këtij vendimi duhet të jetë nota 7.5. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare”, përcaktohet në vendim. Përpos rritjes me 0.5, mënyra e përllogaritjes së saj mbetet e pandryshuar. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon: a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”

ISHTE

6- për aplikimet në universitete 7 – për Mësuesinë

BËHET

6.5 – për aplikimet në universitete 7.5 – për Mësuesinë

Degët profesionale pa prag hyrës

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura